3.4 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Merre përgjegjësinë, Albin!

Rekomandime

Para pak javësh kryeministri Albin Kurti lavdohej dhe merrte meritat për shifrat e ulëta të infektimeve me Covid-19, duke thënë se gjithçka ishte rezultat i qeverisjes së mirë. Pesë muaj pas ardhjes në krye të qeverisë, situata me pandeminë është alarmante. Si dikur meritat, tash Kurti duhet ta marrë përgjegjësinë për dështimin.

Imer Mushkolaj

- Advertisement -

Ditën kur në Kuvendin e Kosovës u votua qeveria e re Kurti 2, me virusin Covid-19 ishin infektuar 781 persona. Me kalimin e javëve, sikurse dhe në vendet tjera të rajonit dhe më gjerë, shifrat u ulën drastikisht, për të rënë madje edhe në numra njëshifrorë gjatë 24 orëve.

Kryeministri Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë të Vetëvendosjes nuk hezituan që t’i marrin meritat për vete, për uljen e numrit të infektimeve. Sipas tyre, menaxhimi i mirë i situatës me pandeminë kishte bërë që shifrat të ulen.

Pesë muaj më vonë, më 20 gusht, numri i të infektuarve brenda 24 orëve arriti në 2250, duke vendosur kështu një rekord të ri të zi. Në asnjë shtet tjetër të rajonit nuk janë rritur infektimet kaq shumë si në Kosovë, sikurse që në asnjë shtet tjetër të rajonit nuk janë dhënë vaksina më pak se në Kosovë. Por, përderisa para pak javësh Albin Kurti lavdohej në Kuvend për menaxhimin e mirë të situatës, tash nuk po dëgjohet të marrë përgjegjësinë për situatën alarmante. Zyrtarë të qeverisë dhe të tjerë të Vetëvendosjes po heshtin dhe nuk po e marrin përsipër edhe dështimin.

- Advertisement -

Në kohën e qeverisjes së Avdullah Hotit, Vetëvendosja nuk linte akuzë e fyerje pa bërë në drejtim të qeverisë dhe ministrit të atëhershëm të Shëndetësisë. Çdo ditë qeveritarët e atëhershëm ishin në shënjestër të kritikave dhe sulmeve se nuk po dininin të menaxhonin pandeminë, se ishin të paaftë e të padishëm.

Por, pesë muaj pasi Albin Kurti edhe sërish në pushtet, e njëjta mund të thuhet edhe për qeverinë e udhëhequr nga ai dhe mënyrën e tij të qeverisjes. Ka ditë që infektimet po kalojnë shifrën prej dy mijë në ditë, ndërkohë që vetëm të premten kanë hyrë në fuqi masat e reja.

- Advertisement -

* * *

Hapja e shpejtë, mosrespektimi i masave në fuqi dhe mungesa e mbikëqyrjes kanë bërë që situata me pandeminë të përkeqësohet dhe Kosova të renditet në krye të vendeve me më së shumti infektime. Mbushja pa kontroll e klubeve të natës, dasmave dhe ahengjeve të tjera, kombinuar me hezitimin e një pjese jo të vogël të qytetarëev për t’u vaksinuar, është treguar fatale dhe ka rezultuar me një situatë të rëndë.

Dhe, si për ta kompletuar mozaikun e një fotografie të zezë sa I përket pandemisë, ministrin e Shëndetësisë tashmë Vetëvendosja e ka kandiduar për kryetar të Prishtinës. Mund të supozojmë se çfarë do të ishin reagimet e kësaj partie po që se Lidhja Demokratike e Kosovës ose ndonjë parti tjetër do të kishte vepruar njësoj. Do të quheshin të papërgjegsjëhm e të pandërgjegjshëm, do të kritikoheshin e sulmoheshin.

Në këtë situatë të vështirë më parësore për Vetëvendosjen del të jetë fitorja në Prishtinë, në zgjedhjet e 17 tetorit, sesa shëndeti i qytetarëve në mbarë vendin. Me këtë vendim, Vetëvendosja vetëm sa i ka legjitimuar pritjet e të gjithëve se Arben Vitia është veç përkohësisht ministër, deri në fillimin e fushatës për zgjedhjet lokale. Pra, kështu Vetëvendosja vetëm i ka përligjur kritikat e atyre që thonë se, kur bëhet fjalë për vota, kjo parti nuk zgjedh rrugë as mjete.

Vetëvendosja ka marrë vota e kredi me emrin e Vitisë, duke e konsideruar ministrin më të suksesshëm, ndërkohë që tash, kur pandemia po bën kërdi, si të mos jetë duke ndodhur asgjë, e kandidon për të parin e Prishtinës. Është pak të quhet papërgjegjësi.

* * *

Sikurse për plot çështje të tjera, edhe për pandeminë Vetëvendosja po operon me dy standarde. Përderisa zvogëlimi i numrit të të infektuarve Albin Kurti thoshte se ishte meritë e qeverisë dhe e qeverisjes, për situatën alarmante tash gishti po drejtohet kah qytetarët.

Është e vërtetë se qytetarët e kanë pjesën e vet të përgjegjësisë, por është shteti, qeveria, janë institucionet ato që duhet të menaxhojnë, të veprojnë si duhet kur shohin se gjendja po del jashtë kontrollit. Është shteti që duhet të reagojë, kur e sheh se masa nuk respektohen thuajse nga askush. Shteti ka mekanizma për ta mbajtur gjendjen nën kontroll.

Duket të ketë qenë e lehtë për Vetëvendosjen, sa ka qenë në opozitë, që të kritikojë çdo veprim e vendim që merrej nga qeveritë e atëhershme. Por, gjatë pesë muajve në qeverisje, duket se kjo parti e ka kuptuar se jo gjithçka është e lehtë si kritikat. Qeverisja po vazhdon me hapa breshke, ndërkohë që dy muajt e ardhshëm fokusi do të jetë tek zgjedhjet lokale. Sikurse në fillim të vitit, fushata parazgjedhore do të jetë edhe njëherë aleat i Covidit.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit