Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar bisedë telefonike me emisarin special të BE-së për dialogun me Serbinë, Josep Borrell dhe sekretarin Gjeneral të NATO-s, Jens Stoltenberg, në lidhje me zhvillimet në veri të Kosovës.
Në një shkrim në Twitter, Kurti ka thënë se dialogu është mënyra e vetme për të gjetur zgjidhje për de-përshkallëzimin e situatës në veri.
“Në bisedat telefonike sot me Borrellin dhe Stoltenbergun ne diskutuam sundimin e ligjit, paqen dhe sigurinë dhe nevojën për de-përshkallëzim në veri të Kosovës. Dialogu është mënyra e vetme për të gjetur zgjidhje”, deklaroi kreu i Qeverisë.
Lidhur me këtë edhe Stoltenberg ka bërë të ditur se pos Kurtit, ka pasur telefonatë edhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq për të gjetur zgjidhje.
Lexo po ashtu:
Vuçiq: Ushtria serbe nuk do të futet në Kosovë, paqja është e nevojshme – pres reagimin e NATO-s
Ndërkaq, Vuçiq ka thënë se Serbia nuk ka hyrë në territorin e Kosovës, sepse me marrëveshjen e Kumanovës dhe vendimet pas saj, si dhe hapjen e vendkalimeve, Beogradi nuk ka të drejtë ta bëjë këtë.
“Ne nuk do të hyjmë me trupat tanë. Paqja është më e nevojshme. Ne presim që NATO të reagojë, ne jemi duke pritur për 24 orë. Nëse vazhdon përndjekja e popullsisë, Serbia do të reagojë”, citohet të ketë thënë Vuçiq.
Lexo po ashtu:
Situata në veri, SHBA: Po punojmë që të ulen tensionet mes Kosovës dhe Serbisë
Po ashtu për zhvillimet në veri, të dielën gjatë ditës, pati reagime edhe nga BE-ja dhe SHBA-ja.
BE ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të ulin tensionet duke “tërhequr menjëherë njësitë speciale të policisë dhe duke hequr bllokadat rrugore” në veri të Kosovës.
Ndërsa zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, ka thënë se SHBA-ja po punon që të ulen tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.
“SHBA-ja po punon me Bashkimin Evropian, NATO-n dhe qeveritë e Kosovës dhe Serbisë për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm në shtensionimin e situatës dhe për të shmangur veprimet që rrisin tensionet, që vënë në rrezik përparimin e arritur në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve”, tha zëdhënësi i DASH-it.