Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, ka kërkuar nga shtetet anëtare të NATO-s që të mos rrinë të heshtura e të paqarta kur Serbia e kërcënon Kosovën.
Në ditën e dytë të takimit të ministrave të vendeve të Aleancës Veri-Atlantike, Peleshi ka folur për rolin në rritje të Rusisë dhe Kinës në rajon teksa ka kërkuar vëmendje më të madhe të NATO-s për Kosovën.
“Rusia e Kina po avancojnë objektivat e tyre strategjikë në rajonin tonë, nëpërmjet lidhjeve të tilla historike, kulturore, ekonomike, apo nëpërmjet influencës së tyre në vende apo pjese të rajonit. Ngjarjet e fundit të ndodhura në veri të Kosovës nuk janë dhe nuk duhet të trajtohen si të izoluara. Ne jemi dëshmitarë të një modeli shqetësues që na prezantohet nga pala serbe, e cila vijon të pajiset me sisteme moderne armatimi nga Rusia dhe Kina, stërviten bashkërisht dhe siç ishim dëshmitarë së fundmi, dërgoi trupa ushtarake në kufirin me Kosovën, të cilët u ‘bekuan’ edhe nga ambasadori rus në Beograd. Në këndvështrimin tonë ky është një mesazh shumë shqetësues, të cilit Aleanca duhet t’i kushtojë rëndësinë e duhur. Shqipëria, të gjithë ne në NATO apo në BE, duhet të jemi të kujdesshëm që në rastin më të mirë t’i ‘kalibrojmë’ qasjet dhe deklaratat që të mos mbeten të paqarta kur ushtria serbe i afrohet kufirit të Kosovës, e cila është në të drejtën e saj dhe i duhen njohur përpjekjet për të siguruar rend dhe siguri për të gjithë qytetarët. Kosova nuk është as çerek shteti, as gjysmë shteti, por shtet në kuptimin e plotë të fjalës”, ka thënë Peleshi.
Deklarata e ministrit shqiptar të Mbrojtjes për rolin në rritje të Rusisë dhe Kinës në këtë rajon, vjen një ditë pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar shpalljen non-grata të dy zyrtarëve rusë nga ana e Republikës së Kosovës./Koha/