4.5 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Shqiptari që u bë mbreti i Moldavisë dhe sundoi për 19 vite

Rekomandime

Vasili lindi në vitin 1595, duke qenë një nga 8 fëmijët e Nikollë Koçit.Pas vdekjes së të atit, familja u vendos në Moldavi, ku nisi rrugëtimin ”ujku” shqiptar.Filozofi dhe historiani Dimitrie Cantemir, që jetoi gjatë viteve 1673 – 1723, e konsideronte periudhën e sundimit të Vasil Koçit si atë të rizgjimit dhe rikthimit në dritë nga errësira e barbarive që shtriheshin në vend.

- Advertisement -

Duke qenë se studimet e mirëfillta për këtë figurë mungojnë, edhe vendi i origjinës së saktë të familjes është i vështirë të thuhet.

Elementi që bashkon të gjithë studiuesit dhe historianët është fakti se rrënjët e tij ishin qartësisht shqiptare, kjo edhe sepse ai identifikohej me origjinën e tij.

Vasili lindi në vitin 1595, duke qenë një nga 8 fëmijët e Nikollë Koçit. Ky i fundit u vendos në territoret rumune pas një kryengritjeje të dështuar, me ndihmën e një prej princërve të kohës, Radu Mihneas. Pas vdekjes së të atit, familja u vendos në Moldavi, ku nisi rrugëtimin ”ujku” shqiptar.

- Advertisement -

Vasili pati pozicione të larta gjatë viteve 1626 – 1629 dhe 1633, kur në sundim të Moldavisë ishte Miron Barnovchi.

Në 1634-n, si kundërpërgjigje e fisnikëve vendas ndaj forcimit të konkurrentëve grekë dhe levantinë, ai u zgjodh princ i Moldavisë.

- Advertisement -

Ky vendim ishte rezultat i vendosmërisë dhe forcës që ai tregoi në revoltën ndaj princit Alexandru Ilias dhe njerëzve të tij.

Vasil Koçi u mbështet mjaft edhe nga një sundimtar tjetër, Matei Basarab, princ i Vllahisë, si dhe pashai turk i Silistrës, Mehmet Abza.

Hipja në fron e sundimtarit shqiptar konsiderohej si një sukses jo thjesht ushtarak, por edhe për vetë reformat modernizuese që ai ndërmori, ashtu si edhe investimet që ruhen ende sot.

Vasil Lupu njihet si sundimtari i parë që kodifikoi ligjet në Moldavi.

Ky dokument i veçantë u quajt Romanesca de Invitatura ose kodi i Vasil Luput dhe i dha prioritet jo thjesht anës juridike, por edhe elementeve të tjera, siç ishte gjuha rumune.

Kjo reformë shënoi kalimin nga ligjet e pashkruara e të bazuara më së shumti në zakonet e kohës tek ato zyrtare, të hartuara dhe publikuara sipas një stili romano – bizantin.

Jo më kot filozofi dhe historiani Dimitrie Cantemir, që jetoi gjatë viteve 1673 – 1723, e konsideronte periudhën e sundimit të Vasil Koçit si atë të rizgjimit dhe rikthimit në dritë nga errësira e barbarive që shtriheshin në vend. Vasili ishte një drejtues i aftë jo thjesht në politikën e brendshme, por edhe në rrafshin diplomatik. Ai mbajti marrëdhënie me të gjitha superfuqitë përreth, duke forcuar lidhjet me Vjenën, Varshavën, Moskën etj. Pozita e tij u bë kaq e rëndësishme sa shpesh ai ndërhyri për të forcuar rolin dhe pushtetin e tij edhe në konflikte, siç është ai në Krime, në vitet 1635 – 1637 apo në krizën turko – ruse për qytetin e Azovit, në vitet 1637 – 1642.

Princi themeloi, në vitin 1640, shkollën e parë, që njihet si Akademia Vasiliane, duke u dhënë mundësi në këtë mënyrë të rinjve vendas të mësonin aty pa u dashur të largoheshin drejt Polonisë, siç kishte ndodhur deri në atë kohë për pinjollët e familjeve të mëdha. Biblioteka e Universitetit të Lashit ishte gjithashtu vepër e tij, ndërsa shtypshkronja e parë ishte një tjetër investim që u ngrit me mbështetjen e fortë të sundimtarit dhe që shënoi nisjen e një tjetër epoke për publicistikën vendase.

Ai ndërtoi mjaft objekte kulti, ndër të cilat edhe kishën e “Tre Hierarkëve”, një monument i mbrojtur nga UNESCO. Në fakt, princi Vasil u shndërrua në një mbrojtës të ortodoksisë jo vetëm në territoret e tij, por edhe shumë më gjerë. Shuma të mëdha parash iu dhanë, me urdhrin e tij, Patriarkanës së Kostandinopojës dhe Jerusalemit, ashtu si manastirit të malit Athos në Greqi. Më se 30 kisha dhe manastire në Moldavi u ngritën prej tij, ndërkohë që bamirësi të tjera bëri edhe në Poloni, Bullgari etj.

Paralelisht me investimet, Vasil Koçi kërkoi të forconte pushtetin duke u përpjekur të përfshinte nën sundim zotërime të reja. Nëse me princin e Transilvanisë, Gheorghe Rakoczi I, mbajti marrëdhënie mjaft të mira të bazuara mbi dy traktate të nënshkruara në vitet 1638 dhe 1646, me një ish-aleatin e dikurshëm, princin e Vllahisë, Matei Basarab, që e mbështeti për të hipur në fron, gjërat shkuan ndryshe.

Etja për territore bëri që Vasil Koçi t’i shpallte luftë rivalit të tij. Për këtë qëllim, ai lidhi edhe krushqi me ushtarakun e lartë të kozakëve, Bohdan Chmelnyckij, i njohur ndryshe si Bogdani i Zi.

Princi shqiptar i dha vajzën e tij, Ruksandrën, djalit të Bohdanit.

Pozicionet kyçe nën sundimin e tij i mbanin jo thjesht njerëzit më besnikë, por mbi të gjitha të afërmit.

Mjafton të përmendet fakti se 10 nga 17 guvernatorë ishin familjarë të sundimtarit tregues i kujdesit që Vasil Koçi tregonte për të mos forcuar njerëz të jashtëm që mund t’i cenonin pushtetin, por ishte pikërisht kjo etje për rritje të pushtetit që e rrëzoi.

I forcuar edhe me koalicionin e ri pas martesës së të bijës, Vasili mendoi se do ta kishte më të lehtë të shkatërronte princin e Vllahisë. Plot tri herë ushtritë u përplasën në 1639-n, në Ojogeni e më pas në Nenisori, e në fund në 1653-shin në Finta. Në të tria rastet, ushtritë e sundimtarit shqiptar u mposhtën. Beteja e fundit rezultoi më fatalja.

Pas kësaj beteje nisi një rebelim i menjëhershëm i fisnikëve moldavë, të cilët 19 vjet më parë e kishin mbështetur.

“Ujku” nuk mundi këtë herë të qetësonte gjërat me dredhitë e tij dhe përfundoi i zëvendësuar në fron nga princi Gheorge Stefan.

Vasili u largua drejt Stambollit, ku jetoi në ekzil për vite të tëra. Ka të dhëna se 5 vite ai i kaloi në një nga burgjet e perandorisë, i arrestuar nga autoritetet osmane.

Ndonëse nuk rreshti për asnjë moment në përpjekjet e tij për rikthimin në pushtet, kjo nuk ndodhi më kurrë.

E megjithatë, Vasili arriti të shihte nga larg, në vitin 1559, hipjen në fron të djalit të tij, Stefan Lupu.

Në vitin 1661, sundimtari i dikurshëm, që kaq shumë ndihmoi në zhvillimin e principatës së drejtuar prej tij, vdiq në ekzil në Stamboll, ndërsa vetëm pak kohë më pas djali i tij ra nga froni.

Stefani, mesa duket, nuk kishte trashëguar aftësitë e të atit për të qëndruar gjatë në pushtet përmes aleancave të ndryshme, duke e mbajtur atë vetëm dy vjet.

Trupi i sundimtarit shqiptar që udhëhoqi Moldavinë për 19 vite sot prehet në katedralen e “Tre Hierarkëve” në Lashi.

Vasil Lupu ishte i pari i një pushteti shqiptar, që më pas vijoi edhe me dinastinë e famshme të familjes Gjika, që drejtuan për breza Vllahinë e Moldavinë apo edhe familjet Duka, Shucu, Balsha etj.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit