Daut Dauti ka publikuar për herë të parë disa dokumente nga komunikimi i ish presidentit historik Ibrahim Rugova me zyrtarë britanikë.
Sipas Dautit, këto dokumente ruhen në akrivat e zyrës jashtme të Britanisë në historinë e Rugovës.
Për më shumë lexojeni të plotë pandërhyrje shkrimin:
Këto dy letra ruhen në arkivin e Foreign Office-it britanik dhe kanë të bëjnë me Ibrahim Rugovën e për këtë arsye edhe me fillet e korrespondencës diplomatike të Kosovës. Letra e parë (e datës 6 dhjetor 1991) i është dërguar Douglas Hurd-it nga Ibrahim Rugova, i cili shkruan në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kordinues të partive politike të Kosovës, por edhe në emër të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës.
Ibrahim Rugova e falënderon vendimin e Bashkësisë Ekonomike Evropiane për sanksione ndaj Serbisë dhe Malit të Zi. Njëkohësisht edhe ankohet që këto masa do ta dëmtojnë popullin e Kosovës (më se 90% shqiptarë) dhe për këtë arsye, Rugova bënë me dije se Kosovës i duhet ndihmë. Letra është e shkruar mirë sikur të mos ishte një gabim te titulli apo funksioni i Dougllas Hurd-it, të cilit Rugova i drejtohet me titullin ministër. Në fakt, në këtë kohë Hurd ka qenë sekretar (foreign secretary) në qeverinë e Margaret Thatcher-it. Ai ka qenë ministër i shtetit për Evropë më herët.
As atëherë e as sot shumica e politikanëve dhe gazetarëve në Kosovë nuk e kanë të qartë se në qeverinë britanike ka sekretarë dhe ministra. Por, sekretari është pozitë më e lartë se ministri. Por, kultura politike në Kosovë është e tillë sa që sekretari konsiderohet si punë administrative e që është në kundërshtim me rastin britanik. Pra, në këtë letër Douglas Hurd, del në pozitë më të ulët se që ka qenë në realitet. Në diplomaci ky nuk është gabim i vogël.
Në letrën e dytë (data 12 dhjetor 1991) ambasada britanike në Beograd kërkon udhëzim nga Foreign Office-i në Londër se si duhet bërë punës së letrës së Ibrahim Rugovës, i cili këtu cilësohet si pretendues shtetëror (përdoret shprehja diplomatike franceze ‘soi-disant’ që dmth i ashtuquajturi apo i vetëemëruari). Duhet t’i kthehet përgjigjigje apo jo? Nëse i kthehet përgjigjja, faktikisht ai do të njihej si kryetar së bashku me organet shtetërore të Kosovës. Kjo nuk duhet të ndodhë. Prandaj, ambasada britanike në Beograd i sugjeron Foreign Office-it në Londër se Rugova nuk duhet të injorohet tërësisht. Por, duhet t’i kthehet një përgjigje në ndonjë lloj forme sa për t’ia bërë me dije se letra ka ardhur në cak.
Diplomacia është një lloj fizkulture që kërkon eskuivazhe në disa raste. Tashti është mirë që ambasadori britanik në Prishtinë nuk e ka këtë problem.