2.6 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Të bëmat e “Currit” dhe grupit të tij, akuzohen se përfituan mbi 1.5 milion euro nga fajdet

Rekomandime

Lënda ndaj të akuzuarve Ismet Osmani i njohur si “Curri”, Sami Nikës, Ilir Bojkut, Mentor Maqanit dhe Adil Thaqit, i është ndarë gjykatëses Medie Bytyqi për ta gjykuar.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

- Advertisement -

Aktakuza e ngritur më 19 nëntor 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Ismet Osmanin, Sami Nikën, Ilir Bojkun dhe Mentor Maqanin po i ngarkon me veprat penale “Fajde” dhe “Detyrim”, kurse Adil Thaqi akuzohet për “Mashtrim”.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për këtë rast, e cila përmban pesë dispozitiva, si dhe kërkesën për konfiskim të pasurisë.

Sipas aktakuzës së 19 nëntorit 2021, të pandehurit Sami Nika, Ismet Osmani dhe Ilir Bojku, në periudhën e fundvitit 2013 deri në shtator 2015, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit Faton Dalladaku për shkak të borxhit të marrë në qershor 2012, në shumë 350 mijë euro (nga të cilat 100 mijë euro transfer dhe 250 mijë euro në dorë), me çka i pandehuri Nika dhe i dëmtuari lidhin një kontratë mbi shitblerjen e paluajtshmërisë-shtëpisë, lokacioni qytezja Pejton-Prishtinë.

- Advertisement -

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Nika e evidenton në kadastër si pronë të tij, duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të Dalladakut, me rastin e dhënies së parave e ngarkon duke kontraktuar një shumë dukshëm jopropocionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, ashtu që me kamatë 7% e cila gjatë dy muajve në vijim i pandehuri Nika nga i dëmtuari Dalladaku merr kamatën në shumë prej 50 mijë euro.

Tutje, thuhet se të pandehurit Nika, Osmani dhe Bojku shtojnë presionin ndaj të dëmtuarit Dalladaku dhe me këtë rast këta në bashkëpunim duke kontraktuar një shumë dukshëm jopropocionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, ia japin Sahit Paraqarizit shumën prej 250 mijë euro, sepse toka prej 3 hekatarësh në magjistralen Prishtinë-Ferizaj 8 km, nga Prishtina, e cila kishte vlerën prej 600 mijë euro ishte e Paqarizit, ashtu që ai e bëri bartjen e pronësisë të kësaj toke.

- Advertisement -

Ndërsa thuhet se për të njëjtën shumë pra 600 mijë euro (250 mijë euro plus 350 mijë euro) e ngarkojnë të dëmtuarin Dalladaku si borxh i ri, por gjithnjë në bashkëpunim edhe më tej të pandehurit e mbajnë në posedim shtëpinë e Dalladakut sipas kontratës me të akuzuarin Nika.

Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Fajde”.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se të akuzuarit Nika, Osmani dhe Bojku, pasi në periudhën e fillimvitit 2014, i dëmtuari Dalladaku dështon në kthimin e shumës fillestare 350 mijë euro, i pandehuri Nika në bashkëkryerje me Osmanin e Bojkun, përdorin kanosjen serioze për të detyruar të dëmtuarin të kryejë veprim në dëm të pasurisë së tij.

Tutje, thuhet se kanë shkuar fillimisht në lagjen Pejton, ku është prona e cila ishte objekt i shitblerjes mes Nikës e Dalladakut, dhe kanë hyrë në shtëpi, me këtë rast, me veprime kërcënuese dhe me tone të ashpra kanë komunikuar me dëshmitarin Muharrem Hajdaraj dhe Gazmend Qelaj, punëtorë në firmën “Design Factory” që kishte zyrat aty.

Në aktakuzë thuhet se Osmani kontrolloi në zyrë duke hapur derën e zyrës së Dalladakut, por i njëjti i frikësuar për jetë ndal dritën dhe fshehet në tualet, pastaj të pandehurit tentojnë që me forcë të marrim çelësin e shtëpisë nga Hajdaraj, i cili edhe pse pati kërcënime në adresë të vet dhe të Dalladakut, fillimisht refuzoi t’ua japë, por pas këmbëngulësisë dhe ashpërsisë së sjelljes së tyre, detyrohet t’ua japë.

Tutje, thuhet se pas disa muajsh të tre të pandehurit e detyrojnë të dëmtarin Dalladaku t’ua japë një pronë në sipërfaqe 3 hektarësh në lokacionin afër QMI, vlera e së cilës është rreth 900 mijë euro, por për borxhin e arritur i llogaritet vetëm 700 mijë euro, e me këtë rast Nika nuk ia kthen shtëpinë Dalladakut, por vazhdon që ta mbajë edhe më tutje në emrin e tij, ashtu që në vitin 2017, sipas një marrëveshje, të njëjtën ia shet Adil Thaqit në shumë prej 260 mijë euro.

Për këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Detyrimi”.

Tutje, i pandehuri Mentor Maqani, në shtator të vitit 2015, thuhet se kontrakton një shumë dukshëm jopropocionale të pasurisë duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare në këmbim të shërbimit, duke hyrë në marrëveshje verbale me të dëmtuarin Dalladaku që të blejë pronën 5 hektarësh afër QMI-së, në të cilën i pandehuri Dalladaku kishte një leje ndërtimi për spital, e që me kapital të tij veçse kishte ndërtuar 1 plus 3 kate me investim rreth 1 milion euro duke i paguar 700 mijë euro për këtë pronë në emër të blerjes së aksioneve për spitalin “Intermed”.

Tutje, thuhet se marrëveshja ishte që i akuzuari Maqani të blinte borxhin prej 450 mijë euro nga të pandehurit Nika, Osmani dhe Bujku të paraqitur në dispozitivin II duke e liruar nga ky borxh të dëmtuarin Dalladaku, kurse mbetjen prej 250 mijë euro t’ia paguante Dalladakut dhe me datën 5 shtator 2015, i pandehuri Maqani ia transferoi shumën 100 mijë euro Dalladakut dhe ia dha dy vetura në vlerë prej 150 mijë euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Fajde”.

Dispozitivi i katërt i aktakuzës thotë se i pandehuri Maqani në muajin mars 2016, njëanshëm ndërpreu marrëveshjen verbale të cekur më lartë dhe ia ka marrë të dy veturat të dëmtuarit Dalladaku, ia ka llogaritur 80 mijë euro shfrytëzim të veturave dhe punën e kompanisë “Albioni” dhe duke përdorur kanosjen serioze kërkoi mbetjen prej 582 mijë euro prej të dëmtuarin Dalladaku.

Këtë thuhet se e ka bërë ashtu që e ka detyruar të njëjtin të kryejë veprim në dëm të pasurisë së tij, të pranojë imponimin, se ka obligim ndaj Maqanit dhe i dëmtuari Dalladaku bie në kontakt me Adil Thaqin që të jetë ndërmjetësues tek Maqani për shtyrje të afatit të borxhit.

Fillimisht thuhet se me Thaqin arrihet marrëveshje verbale që borxhi i imponuar 582 mijë euro të shtyhet deri në natën e fundit të vitit 2017 dhe po ashtu me datë 30 maj 2017 bëhet një marrëveshje lidhur me shtëpinë në Pejton ku Thaqi ia pagoi Nikës 260 mijë euro me kusht që nëse Dalladaku nuk arrin të paguajë këtë borxh, Dalladaku merret vesh me Nikën dhe Thaqin që shtëpia në Pejton t’i shitet Thaqit.

Me këtë, Maqani akuzohet se ka kryer veprën penale “Detyrimi”.

Ndërkaq, në dispozitivin e fundit të aktakuzës, thuhet se në janar të vitit 2018, i pandehuri Thaqi, i cili ishte si ndërmjetësues, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten e mashtron të dëmtuarin Dalladaku se kinse ai është pronar i ligjshëm i shtëpisë në Pejton edhe pse nga transaksionet financiare shihet se nuk kishte të holla 260 mijë euro për pagesën e kryer për Sami Nikën.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mashtrimi”.

Prokuroria ka propozuar që të konfiskohen pasuritë e luajtshme që janë objekt i urdhrit nga neni 273 dhe urdhrit për ndalim afatgjatë nga neni 266 të KPP-së të lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake, të cilat kanë rrjedhë si rezultat i veprave penale dhe kjo pronë t’i kthehet pronarit tani të ligjshëm, të dëmtuarit Dalladaku si në vijim: parcela me adresë rruga “Perandori Justinian” në Prishtinë, me sipërfaqe 446 metra katror.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit