Valuta e Turqisë në muajt e fundit ka rënë në vlerat më të ulëta në histori në krahasim me dollarin amerikan dhe euron.
Kjo pasi presidenti turk Recep Tayyip Erdogan insiston në politikën shumë të kritikuar për uljen e normave të interesit, megjithëse çmimet për konsumatorët janë rritur.
Si rezultat i kësaj, familjet po kanë vështirësi të blejnë ushqim dhe mallra të tjera dhe lira turke ka humbur rreth 40 për qind të vlerës së saj që nga fillimi i vitit, duke u bërë një nga valutat me performancën më të ulët.
Çfarë po ndodh?
Banka Qendrore e Turqisë e ka ulur koston e huazimit të parave për 4 për qind që nga shtatori, sipas dëshirës së presidentit Erdogan, edhe pse inflacioni u ngrit për rreth 20 për qind.
Erdogan, që është në pushtet për rreth 19 vjet dhe është bërë më autoritar ndër vite, pretendon se normat e larta të interesit shkaktojnë inflacion, gjë që shkon në kundërshtim me atë që ekonomistët në përgjithësi e thonë: që normat e rritura të interesit do t’i ulin çmimet.
Ulja e normave ka rritur shqetësimet mbi pavarësinë e Bankës Qendrore, derisa politikat jo të zakonshme monetare të shtetit, i kanë frikësuar investitorët e huaj, që po i heqin asetet turke.
Në anën tjetër, qytetarët turq po nxitojnë që të këmbejnë kursimet e tyre në valuta të huaja dhe në ari, që t’i mbrojnë ato nga inflacioni në rritje.
“Njerëzit sjellin kursimet e veta dhe gjithmonë duan të blejnë dollarë. Kur do të përfundojë, ku do të shkojë kjo? Po bëjnë panik. Njerëzit janë gjithmonë në panik dhe po përdorin edhe paratë e ruajtura nën krevat”, tha Hulya Orak, një punëtor në një qendër për këmbim të valutave.
Si rezultat, lira turke që mezi është rimëkëmbur nga kriza e vitit 2018, është dobësuar në vlera rekorde në krahasim me dollarin dhe euron.
Kjo valutë ra në një vlerë të ulët rekorde në krahasim me valutën amerikane, më 23 nëntor, pasi Erdogan insistoi se nuk do të ketë kthim prapa nga politikat e tij jo të zakonshme.
Të martën e kaluar, lira ra në vlerën 14 në krahasim me një dollar, pasi Erdogani ritheksoi se ulja e normave të interesit do të vazhdojë.