2.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Britania godet fuqishëm projeksionet serbo-ruse/ Zbardhen arsyet pse Stuart Peach vjen në Ballkan

Rekomandime

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka konfirmuar se Sir Stuart Peach do të jetë i dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor.

Johnson ka thënë se emërimi i Peach është pjesë e përkushtimeve të vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për stabilitet dhe paqe në këtë rajon.

- Advertisement -

Në njoftimin për emërimin e Stuart Peach si i dërguar i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, është thënë se ai do të punojë në mbështetje të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si dhe do të përkrahë punën e Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt në Bosnje.

Është hera e parë kjo që Mbretëria e Bashkuar emëron emisar special për Ballkanin.

Lidhur me këtë hap të marr nga Mbretëria e Bashkuar ka folur profesor doktor Enver Bytyçi, sipas të cilit, ky hap vjen pas tensioneve të krijuara së fundi në Ballkan.

- Advertisement -

“Britania e Madhe caktoi ushtarakun e larte, Stuart Peach, si përfaqësues të saj në Ballkan. Ky hap diplomatik i Londrës duket se do të shërbejë për të ndryshuar ekuilibrat e prezencës së Fuqive të Mëdha për Ballkanin. Gjithçka erdhi si rezultat i ngjarjeve që kanë ndodhur e po ndodhin në rajonin tonë. Milorad Dodik e kërcënon vazhdimisht ekzistencën e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës. Serbia kërcënon përmes Dodik dhe drejtpërdrejt Bosnjën, por në mënyrë të veçantë Kosovën”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, Vuçiq po synon realizimin e skenarit të tij duke shfrytëzuar Edi Ramën dhe Zoran Zaevin.

- Advertisement -

“Nga ana tjetër presidenti serb Vuçiq po përpiqet t’i fusë në xhepin e tij të vogël Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut përmes Edi Ramës dhe Zoran Zaevit. Në Mal të Zi ka një agresion politik nga ana e Kishës Ortodokse të Serbisë të mbështetur nga qeveria e Beogradit. Pra kemi një panoramë të zymtë të situatës gjeopolitike në rajon, kemi një intensifikim të përpjekjeve të Serbisë për të krijuar Serbinë e Madhe dhe prezantuar bazat ushtarake dhe logjistike e të shërbimit sekret rus në rajon. Kemi akte, të cilat po çojnë në një garë armatimi të shfrenuar. Para së gjithash përpjekjet e Serbisë për të arritur supremacinë e saj ushtarake përballë kombeve të tjera. Madje deri te përcaktimi si shtete armiqësore në dokumentin strategjik të Beogradit të Shqipërisë, Kroacisë, Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës”, shprehet profesor Bytyçi.

“Të gjitha këto zhvillime janë shoqëruar me iniciativa politike serbe si Open Ballkani, si dhe me vizita të shpeshta të politikanëve dhe liderëve shtetërorë serbë në Moskë e në Kremlin. 19 vizita ka bërë në tetë vite në Moskë vetëm presidenti Vuciq. Dhe në këto kushte ishin të parët amerikanët që paralajmëruan masa të rrepta diplomatike në Ballkan. Ato larguan lobistin serb, Metju Palmer, nga detyra e te ngarkuarit për Ballkanin dhe ngarkuan me këtë mision diplomatin Gabriel Escobar. Kanë vendosur gjithashtu të sjellin në rajon katër ambasadorë të fuqishëm, në mesin e të cilëve dhe Chris Hill”.

Sipas Bytyçit, Britania e Madhe bëri atë që nuk pritej për momentin.

“Evropianët po ashtu me përpjekje të dobëta kanë në lojën diplomatike në rajon zotin Borel dhe zotin Lajcak. Por Britania e Madhe bëri atë që nuk pritej për momentin. Ngarkoi në këtë mision një personalitet diplomatik e ushtarak të sprovuar, i cili e njeh shumë mirë Ballkanin dhe ka reputacion të jashtëzakonshëm në rajon e në Evropë. Ky hap i Londrës është shumë domethënës”, nënvizon Bytyçi.

Goditje e fuqishme e projeksioneve serbe dhe ruse

Më tej, Bytyçi shprehet se angazhimi britanik me përfaqësues diplomatik në rajonin e Ballkanit Perëndimor, është goditje e fuqishme e projeksioneve serbe dhe ruse.

“Së pari, se angazhimi politik dhe diplomatik i Britanisë së Madhe gjithnjë vjen në momente kyçe në zhvillimet rajonale kudo ku ajo ka interesa. Kjo do të thotë se qeveria e këtij vendi do të japë një ndihmesë të jashtëzakonshme në momentin e duhur në rajonin tonë. Diplomacia angleze është diplomacia më e përparuar ndër diplomacitë e Fuqive të tjera të Mëdha. Së dyti, angazhimi britanik me përfaqësues diplomatik në rajonin e Ballkanit Perëndimor është goditje e fuqishme e projeksioneve serbe dhe ruse për ndikim, influencë e praninë e Lindjes në rajonin tonë. Ballkani gjithnjë ka qenë vatër e nxehtë e përplasjeve midis Lindjes e Perëndimit. Kësaj radhe duhet të besojmë se me kontributin e qeverisë së Londrës do të kemi një zgjidhje përfundimtare në favor të përcaktimit perëndimor të të gjitha shteteve të rajonit tonë”, thekson Bytyçi.

Profesor, doktor Enver Bytyçi shton se territori ballkanik do të jetë cak i sulmeve dhe diversioneve të vazhdueshme të Moskës.

“Së treti, diplomacia angleze është gjithnjë e harmonizuar me diplomacinë amerikane, gjermane dhe franceze, ndonëse për këtë të fundit më duhet të them se kam rezervat e mia. Por harmonia e qëndrimeve politike midis Uashingtonit, Londrës dhe Berlinit është çelësi i zgjidhjes përfundimtare dhe pro-perëndimore të përcaktimit të rajonit tonë e të shkëputjes nga ndikimi rus. Së katërti, kriza e Ukrainës duket se po kthjellon diplomacinë amerikane, evropiane dhe britanike për të reaguar me kohë në rajonin tonë të Ballkanit. Është e ditur se pas Ukrainës, territori ballkanik do të jetë cak i sulmeve dhe diversioneve të vazhdueshme të Moskës. Për ta parandaluar këtë duhet një angazhim i tillë në rajon”, nënvizon Bytyçi.

Për fund, Bytyçi deklaron se bashkohen të gjithë aktorët perëndimorë, është e mundur që edhe Serbinë ta shkëpusin nga ndikimi gjeopolitik i Rusisë.

“Përfundimisht unë e shoh si një shenjë shumë pozitive përfshirjen e Britanisë së Madhe në aktivitetin e saj politik e diplomatik në rajonin tonë. Nëse bashkohen të gjithë aktorët perëndimorë është e mundur që edhe Serbinë ta kyçin në integrimet euro-atlantike dhe ta shkëpusin nga ndikimi gjeopolitik i Rusisë. Megjithëse kjo do të jetë shumë e vështirë sa kohë që popullsia serbe në shumicë dërmuese është pro-ruse dhe jo pro-amerikane, pro-britanike apo pro-evropiane. Gjithsesi duhet marrë në konsideratë fakti se nga të gjithë aktorët perëndimore, Londra është më e ftohtë se çdo vend tjetër me Rusinë. Marrëdhëniet midis Moskës e Londrës janë në pikën zero dhe të tilla kanë qenë së paku në 25 vitet e fundit. Kjo do të thotë se përfaqësuesi britanik në grupin e diplomatëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor do të kontribuojë shumë pozitivisht për të drejtën e kombeve të shtypura gjatë shekullit XX në këtë rajon!”, përfundon profesor Enver Bytyçi.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit