4.2 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Publikohen audio-incizimet: Albulena Haxhiu ishte dorëhequr nga VV për shkak të pagës

Rekomandime

Në vitin 2018 ndodhi përçarja më e madhe e Lëvizjes Vetëvendosje, partisë që tani është në pushtet.

Demokracia.com ka siguruar disa audio-incizime të mbledhjeve të fundit të kryesisë para ndarjes, ku figurat që pritej të largoheshin kishin shprehur pakënaqësitë për ofendimet që u bëheshin nga aktivistë të LVV-së dhe mënyrës sesi organizata i qëndronte besnike vetëm Albin Kurtit. Emrat e të dorëhequrve diheshin, Visar Ymeri, Dardan Sejdiu, Dardan Molliqaj, Shqipe Pantina e disa të tjerë, që më pas kaluan në Partinë Socialdemokrate.

- Advertisement -

Në këto audio-incizime të siguruara nga Demokracia.com përmendet edhe një dorëheqje e mëhershme e një prej figurave kryesore në LVV, e cila tani është Ministre e Drejtësisë. Dorëheqjen nga LVV-ja e pranon edhe vetë Albulena Haxhiu në këtë audio-incizim dhe konfirmon se ky veprim i saj ndërlidhej me pakënaqësitë rreth pagës që merrte në parti.

Ka qenë viti 2018 kur Glauk Konjufca vendosi t’i mbledhë shumë figura të LVV-së, pas dorëheqjeve të njëpasnjëshme, duke përfshirë këtu edhe kryetarin e asaj kohe, Visar Ymerin.

Albin Kurti pritej që të ishte kandidati për kryetar, gjë me të cilën nuk pajtoheshin shumë figura të Lëvizjes Vetëvendosje, deri sa deklaronin se e gjithë partia po i qëndronte besnike vetëm atij.

- Advertisement -

Demokracia.com ka siguruar një audio-incizim të kësaj mbledhjeje shumë të tensionuar, e cila kishte kaluar me polemika të shumta, derisa shumica e figurave që u larguan tregonin se arsyet që po bëhej kjo janë edhe sulmet që u bëheshin pikërisht nga aktivistët e partisë.

Megjithatë, gjatë kësaj periudhe, në Lëvizjen Vetëvendosje kishte ndodhur edhe një dorëheqje tjetër, që për publikun mund të jetë e pabesueshme arsyeja dhe ende nuk dihet sesi vendosi më pas të rikthehej sërish në parti.

- Advertisement -

Albulena Haxhiu, e cila reflektonte plot besim në kauzat që i ndiqte LVV-ja për të ardhur në pushtet dhe tani e udhëheqë një institucion mjaft të rëndësishëm nën qeverisjen e Albin Kurtit, ishte dorëhequr nga LVV-ja në shtator të vitit 2017, pas zgjedhjeve lokale, për shkak të pagës që ia jepte asaj partia.

Këtë e pranon edhe vetë Haxhiu në këtë mbledhje me anëtarët e dorëhequr dhe në audio-incizimin dëgjohet duke thënë se dorëheqjen e saj nuk ka dashur ta bëjë publike.

“Po më vjen mirë e para që po mbahet një mbledhje e përbashkët. Për LVV-në as personalisht nuk është e mirë kjo që po e kalojmë. Së pari, nuk i di detajet. Nuk jam munduar t’i di. Nuk është që më kanë lënë përshtypje. Problemin e brendshëm të LVV-së e kam kuptuar gjatë vitit të kaluar edhe sigurisht që pjesë-pjesë… Sot i kemi tri komuna, por nëse do të pyetesha, ma shumë kisha pasur dëshirë të kemi një organizatë të fuqishme sesa këto fitore. Kjo nuk është adresuar atë kohë, pasi ka pasur një marrëveshje të gjerë që këto probleme të adresohen pas zgjedhjeve të qershorit. Në shtator unë kam dhënë dorëheqje, nuk kam qenë pjesë e këtyre skenarëve. Dorëheqjet e fundit janë të orkestruara, po bëhen me plan, me tendencën për të dëmtuar LVV-në. Kjo është e qartë. Ne budallenj nuk jemi. Mënyra sesi çdo ditë shkruhen dorëheqjet, po ashtu nuk pajtohem me disa prej tyre. Momentin që ka dhënë dorëheqje Visari, nënkryetari automatikisht duhet me e pa problem dhe ta thërras mbledhjen e kryesisë. Kjo nuk ka ndodhë. Pas përpjekjes së sekretarit me e kontaktu Dardanin, nuk ka pasur kontakt me të… Dorëheqja ime në shtator nuk ka qenë publike, i kam treguar vetëm kryesisë, as arsyetimin nuk e kam shkruar aty, sepse nuk kam dashur që diçka të dalë jashtë. Nuk kam dashur që çështjet e brendshme të dalin jashtë, ajo ka ardhur pas një vendimi në kryesi për çështjen e pagave”, dëgjohet duke thënë Albulena Haxhiu, e cila atë kohë ishte deputete.

Mirëpo, këtu kishte ndërhyrë Glauk Konjufca, i cili i kishte thënë Haxhiut të mos flasë në atë mbledhje për çështje të tilla, pasi po diskutonin për diçka tjetër.

“Kjo nuk është relevante për çështjen për të cilën jemi mbledhur. Fol ti për atë që po e kalon LVV-ja, si ta rregullojmë këtë”, kishte thënë Galuk Konjufca.

Demokracia.com në vazhdim do të publikojë edhe audio-incizime të tjera nga mbledhjet e brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje.

Shumë deputetë të LVV-së si Visar Ymeri, Dardan Molliqaj, Dardan Sejdiu, Shqipe Pantina, Dukagjin Gorani, Donika Kadaj, Aida Derguti, Shpend Ahmeti, Driton Qaushi e disa të tjerë ishin larguar nga kjo parti gjatë vitit 2018.

Më pas disa prej tyre kaluan në Partinë Socialdemokrate, të cilën sot e udhëheqë ish-sekretari i LVV-së, Dardan Molliqaj.

Këto figura politike kishin shprehur pakënaqësi të shumta me ideologjinë dhe konceptin e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa në audio-incizimet që i posedon gazeta disa prej tyre flasin edhe për besnikërinë e verbër të kolegëve të tjerë ndaj Kurtit.

 

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit