Sekretari shtetëror i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, Nemanja Staroviq, ka komentuar letrën e 16 kongresmenëve amerikanë dërguar presidentit Joe Biden.
Letra bën thirrje për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë dhe sipas Staroviqit ky është një lajm i rëndësishëm që tregon se Serbia ka ndryshuar dhe ka kapacitet për të projektuar një pamje të vërtetë të saj në mbarë botën.
Staroviq tha për RTS se ky ishte rezultat i punës së përkushtuar të Ambasadës Serbe në Uashington.
“(Ambasadori) Marko Gjuriq në fakt dyfishoi numrin e anëtarëve të grupit serb në Kongresin Amerikan, i cili është një lloj grupi miqësie me Serbinë. Kemi një letër të nënshkruar nga 16 kongresmenë nga të dyja partitë politike. Kjo është shumë e rëndësishme sepse ajo nuk është çështje partiake”, ka theksuar Staroviq.
Ai shtoi se personalisht nuk i kujtohet që Serbia të ketë pasur ndonjëherë një mbështetje të tillë në Kongresin Amerikan, pra kaq shumë anëtarë që do ta nënshkruanin një letër të tillë.
“Serbia nuk ka angazhuar asnjë agjenci lobimi për këtë aktivitet, por është ekskluzivisht rezultat i aktiviteteve të diplomacisë sonë në Uashington”, theksoi Staroviq.
Ai theksoi se lajmi shkaktoi një shkallë të lartë të pakënaqësisë në Prishtinë, para së gjithash për faktin se, siç theksoi ai, ishin të përgjumur në një lloj mbështetjeje apriori dhe të parezervë nga Shtetet e Bashkuara.
“Ata janë mësuar me faktin që situata në Ballkan do të shikohet gjithmonë nga Uashingtoni në mënyrë binare, ku kemi aleatë absolut dhe rivalë absolutë, ku roli i të këqijve do t’u rezervohet serbëve në një mjedis të tillë” – shpjegoi Staroviq.
Staroviq tha se është larg arritjes së pikës së kthesës, se ka ende shumë punë për të bërë, por se mendon se këto janë suksese të vogla që ngadalë po e ndryshojnë dinamikën e marrëdhënieve të fuqive të mëdha ndaj Serbisë.