Deputetja e Partisë Guxo, Doarsa Kica Xhelili ka reaguar pas daljes së rezultatit të procesit të vlerësimit të kandidatëve për drejtor të RTK-së.
Sipas saj, tre anëtarë të bordit të RTK-së, kanë dhënë pikë në mënyrë identike në të gjitha pyetjet për njërin prej kandidatëve.
Kica Xhelili në një reagim në Facebook ka thënë se nuk është e kënaqur me procesin deri më tani.
“Me shqetësim të jashtëzakonshëm po i pranoj lajmet lidhur me mbarëvajtjen e procesit të vlerësimit për kandidatët për drejtor të RTK-së.
Në linkun e mëposhtëm të RTK, pashë që njëri nga kandidatët ka marrë poena IDENTIK në të gjitha pyetjet nga tre anëtarë të ndryshëm të bordit.
Kjo kërkon analizë dhe hetim sepse është ‘koincidencë’ e pazakontë”, shkruan ajo në Facebook.
“Pa dashur ta paragjykoj asnjë kandidat dhe asnjë vlerësim, përshtypjet që i kam krijuar deri tani, fatkeqësisht nuk i reflektojnë pritshmëritë e mia profesionale nga ky proces”, shtoi ajo.