9.1 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Një tragjedi shqiptare që nuk duhet harruar

Rekomandime

Nga Azem PARLLAKU

- Advertisement -

Shpërnguljet e mëdha të shqiptarëve të Kosovës janë regjistruar, që nga periudha e viteve 1877-1878 kur u dëbuan masivisht nga Sanxhaku i Nishit, e më vonë me mbërritjen e eksodit masiv kur u dëbuan rreth 1 milion qytetarë nga regjimi i Millosheviçit në vitin 1999.

Kujtojmë se; Në katër ditët e fundit të marsit 1999 fluksi i shqiptarëve të Kosovës, të cilët po linin shtëpitë e tyre dhe kërkonin strehë në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut ishte marramendës.

Ndonëse NATO kishte nisur bombardimet mbi caqet ushtarake serbe, Millosheviçi nuk po hiqte dorë nga politika e tij, e cila synonte spastrimin etnik të Kosovës. Qëllimi politik i Aleancës ishte evitimi i një “katastrofe humanitare”.

- Advertisement -

Në fakt ndodhi e kundërta. Masakra në Krushë të Madhe që sapo kishte ndodhur, ishte pjesë e aktakuzës për krime lufte kundër kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç dhe disa udhëheqëseve të tjerë politikë e ushtarakë serbë.

Eksodi me përmasa biblike që me të drejtë tronditi botën dëshmoi se si, Kosovën e zaptuar nga forcat serbe u detyruan ta lënë rreth 1 milionë gra, burra e fëmijë. Përveç të shpërngulurve në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, mijëra shqiptarë të Kosovës kaluan kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës. Eksodi i vitit 1999 është pa dyshim ngjarja më dramatike në historinë e re të Kosovës dhe ndër ngjarjet më të bujshme botërore të fundit të shekullit të njëzetë. Ai u krahasua me eksodin e njohur biblik si për nga përmasat, ashtu edhe për nga vuajtjet e shkaktuara.

- Advertisement -

Aq tronditëse ishin ngjarjet, të cilat do të mbesin gjatë në kujtesën tonë kombëtare e përtej saj. Në vitin 2015, fotografët e Reutersit në kuadër të 30-vjetorit të shërbimit të fotografive vendosën të sjellin në retrospektivë fotografitë më dramatike që ilustrojnë tragjeditë njerëzore, natyrore dhe atyre të luftërave. Ata i publikuan fotografitë në tri pjesë, ndërsa si fotografinë më të mirë të pjesës së parë që përbëhet nga tetë fotografi, fotografët zgjodhën atë të eksodit të kosovarëve gjatë luftës në vitin 1999. “Një grua shqiptare ushqen beben e saj derisa ajo së bashku me dy mijë refugjatë tjerë, të zhvendosur nga lufta në Kosovë, janë lejuar që të hyjnë në Maqedoni prej disa male afër Bllacës”, thuhej në përshkrimin e fotografisë.

Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton, në Mars të vitit 1999, në një takim me gazetarët u kujtonte atyre historinë e një vajze nga Kosova; “Sot nuk duhet të harrojmë guximin e popullit kosovar, i cili vazhdon të ndeshet me dhunën dhe brutalitetin. Shumë amerikanë e kanë dëgjuar tani historinë e një vajze kosovare, e cila është përpjekur të qëndrojë në kontakt me një shoqen e saj në Amerikë, nëpërmjet postës elektronike, ndërsa forcat e ushtrisë serbe sulmuan fshatin e vajzës. Para pak ditësh ajo shkruante; Tani nga ballkoni im shikoj, njerëz që vrapojnë me valixhe në duar dhe dëgjoj të shtëna armësh. Fshati është i rrethuar. Përderisa të kem rrymë elektrike do të vazhdoj të shkruaj dhe të përpiqem të qëndroj e qetë, ndërkohë që, shpresoj të mos ndërpriten ëndrrat e vëllait tim të vogël që, po fle”.

Pas fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s, dëbimi dhe arratia e popullsisë shqiptare të Kosovës mori përmasa dukshëm më të mëdha. Ministri i jashtëm gjerman Joschka Fischer dhe ministri i mbrojtjes Scharping këtu shihnin dëshminë për ekzistencën e planit serb “Patkoi” për dëbimin sistematik të shqiptarëve të Kosovës në drejtim të Shqipërisë. Ky plan faktikisht kishte kohë që kishte nisur të implementohej, duke synuar ndërrimin e dukshëm të përbërjes etnike të popullësisë në dëm të shumicës dërrmuese shqiptare. Ndaj popullatës dhe vendbanimeve shqiptare, policia, ushtria dhe paramilitarët serbë në masë të gjerë, duke filluar në mars të vitit 1998 e deri në pranverë të vitit 1999 ndërmorën ofensiva për vrasjen e popullatës shqiptare dhe rrënimin e vendbanimeve të tyre. Kjo shtypje kulmin e arriti në muajt mars-qershor 1999. Në këtë fundshekulli, kur bota përgatitej të hynte në mijëvjeçarin e tretë me arritje njerëzore e qytetare, shqiptarët e Kosovës pësuan një tragjedi të vërtetë. Ata u ndodhën përpara mizorive dhe reprezaljeve makabre si dhe përpara një spastrimi të egër etnik të ushtruar nga ana e forcave policore e ushtarake serbe si asnjëherë tjetër më parë. Millosheviçi dhe bashkëpunëtorët e tij, në zbatimin e planeve të përgatitura në fshehtësi, hodhën kundër shqiptarëve kosovarë armatën policore, ushtarake dhe paraushtarake, repartet e të cilave me uniformë e pa uniformë nxirrnin dhunshëm brenda disa minutave shqiptarët nga banesat dhe shtëpitë e tyre, disa nga të cilave ua vinin flakën, ndërsa njerëzit i nisnin drejt kufirit shqiptar e maqedonas. Në pranverën e vitit 1999 Millosheviçi kishte vendosur që t’i qëronte hesapet përgjithmonë me shqiptarët e Kosovës, me qëllimin ta spastronte etnikisht tokën sa më parë nga këta banorë autoktonë.

Në marsin e vitit 1998, fillimisht ishte Tropoja dhe Hasi që, bënë të parët mikpritjen dhe bujarinë për qindra mijëra shqiptarët e Kosovës, shtëpitë e të cilëve i kishin lanë në flakë. Pikërisht në këtë kohë, familjarët dhe të afërmit e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u pritën kryesisht në Tropojë dhe Krumë, më vonë në Durrës dhe Tiranë. Ndërsa vetëm në fundshtatorin e atij viti, në Kukës janë akomoduar të ardhurit e pare në objektet çerdhe-kopshte të lagjeve nr.1 dhe 3, ndërkohë që, në shumë prej fshatrave të Tropojës dhe Hasit, fëmijët e ardhur nga zonat e luftës mësonin në të njëjtat klasa me vendasit. Duhet theksuar se, përgjatë këtij harku kohor përfaqësues të organizmave ndërkombëtare si: Kryqi i Kuq, UNHCR, etj, kanë qenë mjaftë aktive dhe, të përgatitura paraprakisht në lidhje me situatat e pritshme. Fokusi kryesor i goditjes nga ana e strukturave militare të Serbisë, ka qenë i përqendruar në zonën kufitare përgjatë segmentit Has-Tropojë, i nxitur nga fakti se përmes kësaj vije kufitare bëhej furnizimi logjistik i formacioneve luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po kështu dhe ndërrimi i grupeve të luftimit dhe transporti i të plagosurve. Natyrshëm që, burrat, gratë dhe fëmijët, të cilët kaluan dhe vijonin të kalonin përmes Pikave të Kalimit kufitar Qafë-Morinë të Tropojës, e Qafë-Prushi të Hasit, ishin më të rënduar psikologjikisht, mbasi rrugët e lëvizjes kalonin përgjatë zonave, ku luftohej pandërprerë. Në fund të janarit dhe fillim të shkurtit 1999, në Kukës arritën reporterët e parë të mediave perëndimore, të cilët informuan duke kontaktuar të ardhurit e mëhershëm dhe ata që, vinin rishtas. Që nga marsi i vitit 1998, në Kukës njëherësh dhe qendër e Prefekturës, funksiononte zyra për pritjen dhe akomodimin e të ikurve nga lufta në Kosovë.

Me 27 mars 1999, jo në Kukës por në Krumë ish-Presidenti Mejdani, ish-Kryeministri Majko, ish-ministrat Hajdaraga, Koçi, e Demeti, kanë ndaluar në një takim me të dëbuarit si rezultat i luftimeve me armë në zona të tilla si Drenica, Peja e Gjakova, me përfaqësues lokalë të Hasit, përfaqësues të Kryqit të Kuq, të UNHCR-së, të OSBE-së, etj. Presidenti i asaj kohe, Drejtuesit e lartë shtetëror të asaj kohe, kishin ardhur në Kukës për të vlerësuar gjendjen pas sulmit luftarak të Aleancës, si dhe masat që duheshin marrë nga qeveria Shqiptare dhe pushteti vendor në rast të ndonjë fluksi të shqiptarëve si dhe përgatitjet e mundshme, për tu përballur me ndonjë sulm, që mund të provokohej si pasojë e hakmarrjes së ushtrisë serbe ndaj sulmit të NATO-s.

Në orët e pasdites të kësaj date nga zyra e ish-komandantit të njësisë ushtarake të Kukësit, është bërë me dije se: Drejt Pikës së Kalimit kufitar Kosovë-Shqipëri të Morinë-Kukës, po mbrrijnë të ikurit e parë, kryesisht nga fshatrat përreth Prizrenit dhe rrethinave të Dragashit. Në atë mbrëmje me shi, të ardhurit nga Kosova kanë gdhirë në, sheshet përqark instuticioneve të vendosura në Kukës, teksa qyteti sot, “Nderi i Kombit”, nuk kishte bërë gjumë. Kujtojmë që, deri në orën 24.00 të datës 27 mars 1999 ne Kukës mbërritën 12.721 qytetarë të shpërngulur nga Kosova.

Kontakti i parë njëherësh dhe përkujdesës për të ikurit, kanë qenë personeli ushtarak i përbërë nga forcat kufitare të rendit, dhe ato të repartit të gatshëm të Divizionit të Kukësit, i cili kryente detyrën ushtarake i dislokuar përgjatë shpateve perëndimore të malit të Koretnikut deri në brigjet e lumit Drini i Bardhë. Një njësi e artilerisë së rëndë e Divizionit ushtarak të Tiranës e dislokuar midis fshatrave Bardhoc dhe Morinë, ka vendosur në dispozicion automjetet e transportit të trupave, për zhvendosjen e të ikurve në drejtim të qytetit të Kukësit. Një pjesë e konsiderueshme e të ardhurve gjatë dy ditëve të para, përmes Televizionit të Kukësit, kanë njoftuar familjet me lidhje gjaku në këtë qytet dhe fshatrat e tij. Nëse i referohemi saktë atyre ditëve, po kështu dhe rrëfimeve të vetë shqiptarëve të Kosovës, doli në pah se; Pjesa më e madhe e të ardhurve që, qëndruan në Kukës kishin lidhje fisnore me familjet e qytetit verior, ndërkohë që, shpresonin se një ditë do të ktheheshin sërish në shtëpitë dhe tokat e tyre.

Ajo pjesë e të shpërngulurëve e cila qëndroi në Kukës. nuk vinte nga zona në të cilat ishin zhvilluar, apo zhvilloheshin luftime. Zonat nga po vinin ishin fshatrat përreth Prizrenit, apo ato të zonës së Opojës dhe Dragashit.

Në këto zona minimalisht ishin goditur nga NATO, postat kufitare serbe përgjatë kufirit me Shqipërinë, ndërkohë që, nuk kishte të dhëna për përqendrim forcash dhe rezervash ushtarake në këto rajone.

Edhe megjithëse me ndihmën e organizatave ndërkombëtare në rrethinat e Kukësit u ngritën disa kampe për akomodim, të ikurit u regjistruan formalisht, ndërsa e kanë ndarë ndihmën e përfituar me familjet kuksiane, ku bujtën për 79 ditë.Kontigjente të rinjsh dhe disa kryefamiljarë nga kjo kategori, u paraqitën si vullnetarë në Qendrat Stërvitore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të ngritura në Kukës, Kolsh, e Kalimash, ndërsa më vonë dezertuan në masë, e çuditërisht sot një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë fituar statusin e Veteranit Luftëtar, të lëshuar nga Komisioni Qeveritar i Kosovës.

Krejt ndryshe paraqitej situata me të ikurit të cilët refuzuan të qëndronin në Kukës. Ata vinin nga zona ku luftimet ishin të ashpra, shumë prej tyre e kishin kaluar dimrin jashtë, ndërsa vullnetarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin përkujdesur për sigurinë fizike të tyre. Shpresat për këtë kategori të shpërngulurish ishin më të pakta, mbasi shtëpitë e tyre ishin djegur, e burrat dhe djemtë më së shumti ishin nën armë. Ata synonin Durrësin, Vlorën, Shëngjinin, nga ku mendonin se nëpërmjet porteve të këtyre qyteteve bregdetare, do të largoheshin një ditë me shpresën se, do t’u bashkëngjiteshin familjarëve të tyre në emigracion. Situata e ndërlikuar që, paraqitej me të ikurit nga Kosova në drejtim të Maqedonisë së Veriut, e shtoi fluksin e të ardhurve në Shqipëri, ndërsa në Kukës, bëhej rigrupimi në mënyrë të organizuar i kolonave të automjeteve ushtarake e civile, me të cilat bëhej transporti i të zhvendosurve nga lufta, për në qytetet e tjera të Shqipërisë. Për të dëbuarit në Maqedoninë e Veriut vendi i ferrit ishte Bllaca, ku njerëzit ballafaqoheshin me vdekjen.

Bllaca ishte një katastrofë njerëzore e politikës antihumane ndaj një populli të pambrojtur, dhe si e këtillë, u dënua nga opinioni demokratik e humanitar botëror.

Në 79 ditë të Pranverës së vitit 1999, Kukësi u shndërrua në një qendër-tranzit për mijëra shqiptarët e Kosovës, një pjesë prej tyre jo fort të shtrënguar për të braktisur shtëpitë dhe fshatrat e tyre, duke mbajtur parasysh se tashmë, Lufta ishte në dorën e NATO-s, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Tropoja dhe Hasi, përgjatë gjithë vitit 1998 dhe pranverës së vitit 1999, pritën, përcollën dhe u përkujdesën për mijëra e mijëra shqiptarë të Kosovës.

Kafshatën dhe odën që, ata malësorë ndanë me vëllezërit dhe motrat e tyre, ishte hise e një kohe më të vështirë dhe më të gjatë sigurisht. Pse jo, edhe pasojat dhe dëmet e luftës së shqiptarëve me serbët në fundshekullin e kaluar, janë lehtësisht më të evidentuara në fshatrat dhe dy qytetet Bajram Curri dhe Krumë.

Me dhjetra shtëpi përgjatë kufirit me Kosovën në këto zona, janë ende të djegura, me dhjetra viktima nga minat që, ushtria serbe mbolli në arat, pyjet dhe kullotat e këtyre katundeve, janë të regjistruara. 23 vjet pas eksodit biblik të shqiptarëve, kur një tjetër eksod si ai i ukrainasve po ndodh si rezultat i një lufte të paprovokuar, ka riaktualizuar pasojat e të tilla shpërnguljeve, të cilat veçanërisht për shqiptarët nuk duhen harruar.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit