Profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir, ka thënë se takimi mes ambasadorit serb në SHBA, Marko Gjuriq dhe presidentit amerikan, Joe Biden, u nxit nga vet Amerika.
Duke folur për gazetën “Bota sot”, Ben-Meir ka thënë se presidenti Biden është lodhur nga sjellja e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili vite me radhë po vepron sipas porosive të presidentit rus Vladimir Putin.
“Takimi mes ambasadorit serb Marko Gjuriq dhe presidentit Joe Biden në Zyrën Ovale u nxit nga SHBA, sepse administrata Biden është lodhur nga sjellja e presidentit Vuçiq në raport me Rusinë. Duhet të kujtojmë se Putini ishte i pari që e përgëzoi Vuçiqin për fitoren e tij, pikërisht sepse Vuçiq ka vite që ka bërë porosinë e Putinit dhe ka vepruar në përputhje me dëshirat e Rusisë. Edhe pse Serbia varet nga Rusia për energjinë, Moska i ka çimentuar më tej marrëdhëniet e saj me Serbinë, duke e furnizuar atë me armë për të bërë të mundur që Beogradi të luajë rolin e një fuqie rajonale”, ka deklaruar eksperti amerikan.
Ai ka theksuar se SHBA-së dhe BE-së u ka mbaruar durimi me Serbinë, e cila ka refuzuar të sanksionojë Rusinë për pushtimin e Ukrainës.
“SHBA-së dhe BE-së, të cilat kanë adoptuar “durim strategjik” me Serbinë, duke shpresuar për një ndryshim gradual në sjelljen e saj, tani u është mbaruar durimi, sepse Serbia refuzoi të dënojë pushtimin e Putinit në Ukrainë, refuzoi të ofrojë çdo lloj ndihme për betejën ukrainase, dhe vazhdon të minojë pavarësinë e Kosovës në çdo mënyrë që mundet”, ka thënë Ben-Meir për “Bota sot”.
Sipas tij, esenca e takimit Gjuriq-Biden, ishte paralajmërimi i Amerikës ndaj Beogradit se po nuk u afrua me BE-në, do të ketë pasoja.
“Thelbi i takimit mes Presidentit Biden dhe ambasadorit Gjuriq, ishte që të bëhet e qartë se SHBA-të janë të pakënaqura me Beogradin. Ambasadori Gjuriq u paralajmërua indirekt se do të ketë një kosto nëse Vuçiq nuk përmbush premtimin e tij për ta afruar Serbinë me BE-në, veçanërisht pas pushtimit rus të Ukrainës, të cilin ai e premtoi, por nuk e realizoi”, është shprehur më tej profesori i çështjeve të Ballkanit.
Sipas Alon Ben-Meir-it, mbetet për t’u parë nëse Vuçiq do të zbusë qëndrimin e tij për raportet me Putinin.
“Pas takimit, Gjuriq bëri një deklaratë se “Serbia do të vazhdojë, si një partner i përgjegjshëm dhe i besueshëm në komunitetin ndërkombëtar, të ndjekë vazhdimisht një politikë të stabilitetit rajonal, duke avokuar për paqen, prosperitetin dhe përparimin ekonomik të te gjithë qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.”
Kjo, natyrisht, mbetet për t’u parë. Megjithatë, një gjë që duhet të kemi parasysh, është se Vuçiq e kupton se të qenit shumë afër Putinit në këtë moment është më shumë një detyrim sesa një vlerë. Ai mund të zbusë pozicionin e tij, edhe për shkak se ende po shikon anëtarësimin në BE”, ka theksuar ai.
Profesori në Universitetin e Nju Jorkut, “beson që SHBA-ja dhe BE-ja tani duhet të braktisin “durimin e tyre strategjik” dhe të përdorin shkopinj dhe karota për të realizuar një ndryshim të vërtetë në sjelljen e Serbisë”.
Takimi mes Bidenit dhe Gjuriqit u zhvillua të shtunën e kaluar, në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.