Specialisti i ORL-së Zgjim Limani u zu nga Inspektorati Shëndetësor duke punuar në Klinikën Amerikane derisa ishte në orar të punës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Limani ka thënë se në këtë ditë ishte i liruar nga puna për të marr pjesë në një kongres në Tiranë
Më 15 prill Inspektorati Shëndetësor zbarkoi në një klinikë private për të inspektuar një specialist i cili supozohej të ishte në vendin e tij të punës në sektorin publik, respektivisht në Klinikën e ORL-së në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, shkruan Gazeta Shneta.
Inspektorët kishin marr informacion se Limani duhej të ishte në QKUK, por i njëjti në ora 11:00 të premten e kaluar gjendej duke kryer një operacion në Klinikën Amerikane në Prishtinë. Bashkë me të ishte edhe një specializant.
Ud. kryeinspektori Shaban Osmanaj ka konfirmuar për Gazetën Shneta të gjeturat e inspektorëve. Ai ka thënë se fillimisht inspektimi është bërë në Klinikën e ORL-së në QKUK ku është konstatuar se Limani nuk ishte në vendin e punës rreth orës 12:00, ndërsa një orë më vonë inspektimi është kryer edhe në klinikën private.
“Është konstatuar se gjatë kohës së inspektimit në institucionin privat Dr. Z.L. specialist i ORL-së ishte prezent së bashku me D.M. specializant i kirurgjisë maxillofaciale. Të dy mjekët në fjalë kishin hyrë në sallë të operacionit në ora 10:00 në bazë të fletës së anestezionit dhe operacioni i dytë ishte ende në zhvillim gjatë kohës së inspektimit”, ka deklaruar Osmanaj.
Ai ka thënë se për këtë rast është njoftuar edhe Drejtori ekzekutiv i SHSKUK-së. “Inspektorati Shëndetësor është në mbledhje të fakteve (dokumentacioneve, deklaratave) dhe varësisht nga të gjeturat do të përgatitet raporti si dhe do të merren masa konform dispozitave ligjore në fuqi”, ka thënë Osmanaj.
Se janë të njoftuar me rastin e kanë konfirmuar edhe drejtoria e SHSKUK-së. Ata kanë deklaruar se kanë kërkuar nga ud. drejtori i Klinikës që të ndërmerren veprimet sipas ligjit.
Mjeku Zgjim Limani në një përgjigje për Gazetën Shneta është arsyetuar se ditën e inspektimit, ka qenë i liruar nga puna për të marr pjesë në një kongres të ORL-së në Tiranë. Kongresi ishte organizuar nga dy shoqatat e ORL-së në Kosovë e Shqipëri dhe kishte filluar më datën 15, ditën kur Limani ishte duke punuar në klinikën private.
“Me datën 15.04 dhe 16.04.2022 të gjithë mjekët e Klinikës së ORLsë, me përjashtim të stafit kujdestarë, kemi qenë të liruar nga puna me qëllim të përgatitjes dhe pjesëmarrjes në Kongresin kombëtar të ORL-së që është mbajtur në Tiranë. Do të thotë nuk qëndron që kam qenë në orar zyrtar të punës në QKUK, siç nuk kanë qenë as mjekët e tjerë të kësaj klinike, përveç ekipës kujdestare, për të cilën ka qenë i njoftuar edhe menaxhmenti i SHSKUK-së. Në datën të cilës po i referoheni, unë nuk jam i nënshkruar në listë të prezencës dhe as i regjistruar në hyrje apo dalje në sistemin elektronik të obliguar për regjistrimin e pranisë së rregullt në orar të punës”, ka deklaruar Limani.
Se kanë qenë të liruar për të marr pjesë në kongres e ka konfirmuar edhe ud. drejtori i Klinikës së ORL-së Afrim Heta. Ai ka thënë se mjekët janë liruar nga puna, por e ka pranuar se supozohej që ata të merrnin pjesë në kongres.
“Dy ditë para mbajtjes së kongresit ne e kemi njoftuar SHSKUK-në për pjesëmarrjen e mjekëve të ORL-së në kongres. Atë ditë nuk kemi planifikuar program operativ. Është mbajtur vetëm kujdestaria dhe një specialist ka qenë në thirrje në rast nevoje. Mjekët kanë qenë të liruar për të marr pjesë në kongresin e mbajtur në Tiranë”, ka deklaruar Heta.