Ballkani zgjohet me 3 kryeministra e 3 kryetarë parlamentesh shqiptarë

0
43

Kosova, Shqipëria, Mali i Zi me kryeministra shqiptarë e Maqedonia e Veriut me zëvendëskryeministër shqiptar. Kosova, Maqedonia e Veriut e Shqipëria me kryetarë Parlamenti dhe ministra të Punëve të Jashtme shqiptarë.

Ballkani Perëndimor sot u zgjua pak më ndryshe. Katër shtete të këtij rajoni, shpesh të trazuar, tashmë do të drejtohen nga shqiptarët.

Kjo pasi me zgjedhjen një ditë më parë të Dritan Abazoviqit, nga Kuvendi i Malit të Zi, si kryeministër, tashmë ky vend, bashkë me Kosovën e Shqipërinë, do të jenë nën udhëheqjen e shqiptarëve. Por jo vetëm kaq!

Tri shtete të këtij rajoni kanë edhe kryetarë të Parlamentit shqiptarë. Përveç Kosovës e Shqipërisë, edhe në Maqedoninë e Veriut, Kryeparlamentari është shqiptar, raporton RTKlive.com.

Madje në këtë të fundit e dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme është shqiptar ndërkohë që në Qeverinë e sapokrijuar të malit të Zi, do prej ministrave janë gjithashtu shqiptarë.

Në anën tjetër, me zgjedhjet e mbajtura në një qendër votimi në Tërnoc të Bujanocit, nëse rezultatet e zgjedhjeve certifikohen, atëherë në Parlamentin e Serbisë, gjithashtu pritet të ketë edhe një deputet shqiptar njësoj sikurse në Kroaci, ku një deputete në Parlamentin e atjeshëm është shqiptare.

Lumturinë për një gjë të tillë, nuk e fshehu as kryeministri Shqipërisë, Edi Rama.

“Kush do ta kishte besuar dot deri dje se Ballkani me 6 shtete do të kishte 3 kryeministra shqiptarë. Na takon ne të japim provën si ndërtues të mirë urash për paqe mes të gjithëve e mirëqenie për të gjithë”, deklaroi Rama të enjten.

Të enjten e 28 prillit 2022, Dritan Abazoviq u votua në Kuvendin e Malit të Zi për kryeministër të këtij vendi.

Ky është kryeministri i parë shqiptar në historinë e këtij shteti.