Ramzan Kadyrov, kreu i republikës ruse të Çeçenisë , tha të dielën se ushtarët e tij kanë marrë nën kontroll pjesën më të madhe të qytetit lindor të Ukrainës, Popasna, ndërsa zyrtarët ukrainas thanë se një betejë për qytetin në lindje të vendit po vazhdon.
Në mesin e prillit, forcat ruse nisën një ofensivë përgjatë pjesës më të madhe të krahut lindor të Ukrainës.
“Luftëtarët e forcave speciale çeçene kanë marrë nën kontroll pjesën më të madhe të Popasnës”, shkroi Kadyrov, i cili shpesh e ka përshkruar veten si “ushtari këmbësor” i presidentit rus Vladimir Putin, në një postim në aplikacionin e mesazheve Telegram.
Rrugët kryesore dhe zonat qendrore të qytetit janë pastruar plotësisht.”
Reuters nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur raportet.
Nuk pati asnjë përgjigje të menjëhershme nga Ukraina, por të shtunën vonë, Oleksiy Arestovych, një këshilltar i presidentit Volodymyr Zelenskiy, tha se Iuftimet e ashpra për qytetin vazhdojnë.
“Një betejë për qytetin Popasna është duke vazhduar,” tha Arestovych në një video në mediat sociale.
“Propagandistët rusë kanë raportuar me gëzim se e kanë marrë tashmë, por nuk është kështu. Ky është pretendimi i tyre i 117-të për ‘kapjen e Popasna’ vetëm këtë javë.”