Bekim Hoti është 43-vjeçari nga Malisheva që ka pushtuar të gjithë rrjetin, për shkak të ngjashmërisë që ka me heroin legjendar Adem Jashari.
Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, ai ka treguar se si e zbuloi këtë ngjashëmri dhe se ndihet krenar që të gjithë e ndalin në rrugë për foto.
Sakaq, Bekimi ka folur edhe për familjen e tij, ku 4 fëmijëve i ka vendosur emra tepër të veçantë shqiptarë.
“E zbulova që ngjaja me komandantin që në vitin 2001, kur isha në luftën çlirimtare në Maqedoni. Edhe atëherë, fillova të njihem. Unë kam marrë pjesë në 3 luftëra, në Kosovë, Preshevë dhe Maqedoni.
Ndihem krenar që sa herë që dal rrugës njerëzit, djemtë e rinj, vajzat e reja më ndalin për foto dhe kjo është diçka e veçantë për mua. Për momentim jam i papunë, gjatë jetës sime kam përjetuar 3 Iuftëra, ’98, 99, 2000 dhe 2001, 4 vite rresht, kam ushtruar aktivitetin ushtarak si oficer i ushtrisë në trupat mbrojtës të Kosovës si oficer. Aktualisht jam i papunë.
Unë kam bashkëshorten dhe katër fëmijë, dy vajza dhe dy djem. Vajzës së parë i kam vënë Çamërie, e dyta Arbërije, djali i madh Arbër dhe djali i vogël Çlirimtar.
Zakonisht, në ditën e Pavarësisë, unë marr pjesë në agjendat e shoqatës së UÇK-së bashkë me bashkëshorten me të gjithë familjen, në agjendat e UÇK-së këtu në Malishevë”, u shpreh ndër të tjera ai.