Nga Selim Tahiri (Albanian Education)
Kujdestar, unë nuk vi ma n’shkollë
Ishin këto fjalët e një nxënësi të klasës së 10-të që më bënë të ndihem keq, tepër keq…
Bisedova gjatë me të. E luta të më tregonte drejt se cila ishte arsyeja e vërtetë që kishte marrë një vendim kaq të rëndë për veten e tij, për të ardhmen e tij.
“Nuk po më rrihet në shkollë. Një ditë më duket sa një vit. Më duket sikur fryma po më zihet”.
U mundova ta bindja se të gjithëve na ndodh të ndihemi keq, bile ndonjëherë edhen jeta na mërzitet, por ato ndjenja janë të momentit, kalojnë menjëherë sepse nuk kemi kohë e as dëshirë të mendojmë për gjëra negative. E luta sërish. E telefonova edhe një nxënës tjetër. I thashë të biseojë me të, e t’i thotë se do ta ketë përkrahjen dhe ndihmen e scilit prej nesh për çfarëdo që të ketë nevojë. Edhe atij ia kishte thënë të njëjtat arsye.
Nuk më zuri gjumi deri vonë. Po mundohesha t’i gjeja arsyet pse e çuan këtë nxënës të urtë të ndërpresë shkollën;
Zgjedhja e gabuar e profesionit?
Problemet me shëndet?
Ikja jashtë vendit?
Klasa e errët?
Sjelljet jo të mira të shokëve të tij ( ose larg qoftë të ndonjë profesori)?
Orët monotone, pa aktivitete, pa kreativitet?
Orari i gjatë i mësimit?
Tollovia e madhe gjatë pushimit të gjatë, ku po nuk je i shpejtë në vrapim mbetesh pa ngrënë?
Po shpresoj shumë se nesër në mëngjes do ta shoh në klasë, të qeshur në mesin e shokëve. Ah sa do të lumturohesha!/Albanian Education