0.9 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Pse kontrollohen kaq rreptë shqiptarët dhe mbahen të ndarë nën sundime të huaja në shumë shtete?

Rekomandime

Nga Avdullah MEHMETI

- Advertisement -

Disa nga Fuqitë e mëdha të botës, Franca, Anglia dhe sidomos Rusia, të frikësuara nga forca në rritje e faktorit shqiptar, në fillim të shek. XIX, pas shumë përpjekjeve edhe përmes forcës ushtarake ta ndalojnë ngritjen dhe përparimin e shqiptarëve, të cilët fillimisht përmes Perandorisë Osmane, më vonë edhe si fuqi politike dhe ushtarake në disa shtete, si edhe në vilajetet shqiptare në trojet e veta etnike, që i qeverisnin ata në mënyrë gati të pavarur nga Perandoria, këto Fuqi të mëdha, nga fundi i shek. XIX dhe gjatë shek. XX, vazhdimisht janë përpjekur me të gjitha mjetet dhe forcat, politike, ekonomike, ushtarake dhe diplomatike, ta dobësojnë dhe mbajnë nën kontroll faktorin shqiptar, si jashtë, ashtu edhe në hapësirën e tyre etnike në Gadishullin Ilirik.

Këto Fuqi të mëdha, ndaras apo së bashku, disa herë kishin humbur beteja të rëndësishme në luftë me shqiptarët, pavarësisht se luftonin për interesa të huaja nën Perandorinë Osmane, prandaj e ndryshuan më vonë strategjinë e tyre, përmes konferencave ndërkombëtare (të Berlinit, Londrës, Parisit, Versajës, Shën Stefanit, Bukureshtit, Teheranit etj.), duke i copëtuan territoret shqiptare dhe duke i ndarë ato mes shteteve fqinje të shqiptarëve, Serbisë, Malit të Zi, Greqisë dhe Bullgarisë, me qëllim të sundimit dhe kontrollimit më lehtë të shqiptarëve, njëherësh edhe duke mbjellë me shumë dredhi brenda tyre farën e përçarjes, në baza ideologjike, krahinore, fetare, fisnore, partiake e klanore.

Në fillim të shek. XIX, jashtë vendit të tyre, shqiptari Mehmet Ali Pasha e sundonte Egjiptin, Sirinë, Sudanin, Kretën, Peloponezin dhe vende të tjera, ndërkohë përparoi në betejat për marrjen e krahinës së Angurit (Ankarasë) dhe të Anadollit, duke e rrezikuar seriozisht Perandorinë Osmane, për ta marrë nën kontrollin e tij; kurse nga brenda trojeve etnike, shqiptarët kishin ngritur pashallëqet e tyre të fuqishme, që Sulltani nuk arrinte t’i mbajë nën kontroll të Perandorisë; si Pashallëkun e Janinës të Ali Pashë Tepelenës, Pashallëkun e Shkodrës të Bushatlinjve, tri pashallëqet e djemve të Rexhep Pashës së madh të Tetovës, Abdurrahman Pashës, me qendër në Tetovë; të Hivzi Pashës, me qendër në Shkup dhe të Hysen Pashës, me qendër në Qystendil, që së bashku kishin arritur ta shtrijnë sundimin e tyre dhe t’i rritnin territoret në gjysmën e Kosovës, gjysmën e Maqedonisë së sotme dhe çerekun e Bullgarisë, nga qyteti i Ohrit deri në afërsi të Sofjes së Bullgarisë, në tri qendra administrative dhe ushtarake gati të pavarura nga Sulltani. Se cila ishte forca e këtyre sundimtarëve vendës shqiptarë gjatë kësaj kohe, e dëshmoi më vonë Kryengritja e Dervish Carës, e viteve 1843/44, e cila arriti t’i çlirojë gati të gjitha trojet etnike shqiptare, nga Nishi deri në Janinë, që nga Shkupi i lirë të kërkojnë Pavarësi të viseve shqiptare nga Perandoria Osmane.

- Advertisement -

Gjatë kësaj periudhe, në shumë krahina e vilajete të tjera të Perandorisë Osmane qeverisnin një numër i madh pashallarësh dhe guvernatorësh shqiptarë, ndërsa ndikim të fuqishëm në këtë periudhë shqiptarët kishin edhe në Italinë Jugore, në Vllahi (Rumania e sotme), ku familja shqiptare e Gjika kishte arritur të qeverisë në pavarësi të plotë. Në këto rrethana, Perandoria Osmane shpëtimin e saj nga shqiptarët është detyruar ta kërkojë nga Fuqitë e Mëdha, Franca dhe Anglia, në disa raste edhe nga kundërshtari i saj, Rusia.

Më vonë, pas rënies së Perandorisë Osmane, po këto aleatë të mëparshëm u vërsulën ta copëtojnë dhe ndajnë mes tyre pjesën e mbetur në Azi të Vogël të Perandorisë Osmane, ndërsa pjesën evropiane ua lejuan ta ndajnë mes vete shtetet ballkanike, Serbia, Greqia, Bullgaria dhe Mali i Zi.

- Advertisement -

Ishin pikërisht shqiptarët, ata që pjesën aziatike të Perandorisë Osmane e shpëtuan nga kthetrat e Francës, Anglisë dhe të Rusisë, në luftën e madhe të Çanakkalasë, me ndihmën e Gjermanisë dhe të Austro-Hungarisë, ndërsa trojet e veta etnike shqiptare nuk arritën t’i mbrojnë nga copëtimi dhe ndarja e tyre mes shteteve fqinje, pasi e kishin humbur dukshëm fuqinë ekonomike dhe ushtarake në beteja për lirimin dhe pavarësinë e shteteve të tjera, Egjiptit, Turqisë, Greqisë, Italisë etj. Me këtë, edhe duke trashëguar një armiqësi të përhershme, të hapur e të fshehtë, nga Fuqitë e Mëdha, të rishfaqur disa herë deri në fund të shek. XX, me ndryshimin e këtyre raporteve nën ndikimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përfundim të Luftës së Ftohtë (1989).

Një përpjekje serioze, me gjasa dhe e fundit, që shqiptarët nga jashtë u munduan ta realizojnë, me shumë diplomaci, ka qenë kur Mbreti me prejardhje shqiptare, Faruku i Egjiptit arriti të krijojë miqësi me mbretin e Iranit, Mohammad Reza Pahlavin, duke arritur kështu princesha shqiptare Favzia të bëhet mbretëreshë e Iranit, ndërkohë që pretendimet e tij kanë qenë të hapura, duke e konsideruar Turqinë e asaj kohe kafshatë të lehtë për ta përfshirë në Aleancën e shteteve të sunduara nga shqiptarët, Egjipt-Turqi-Iran +, për ta ngritur në një Fuqi sunduese, jo vetëm në rajon, por edhe përballë Rusisë dhe Evropës.

Në këtë betejë shekullore, që ka zgjatur së paku dy shekuj, përfundimisht doli fitimtare Rusia, e cila me ndihmën e Francës arriti ta shtrijnë ndikimin e saj përmes Lëvizjes socialiste (BAAS partive) në shtetet arabe, duke ua marrë shqiptarëve pushtetin në Siri, Egjipt dhe shtete të tjera, por edhe duke u infiltruar thellë në politikat e brendshme të Turqisë (Shih marrëveshjet e qeverive turke me Greqinë dhe Jugosllavinë për shpërnguljen e shqiptarëve), ndërsa më vonë, përmes ish-Jugosllavisë së Titos, këtë ndikim Rusia arriti ta forcojnë edhe më tepër në kuadër të kinse “Shteteve të pa inkuadruara”, si satelitë të Rusisë, kurse në anën tjetër duke përgatitur Liderë dhe Lëvizje politike e fetare për interesat e Rusisë, kinse për krijimin e “shteteve islamike”, si Irani i Homeinit (1979), tendenca për krimin e “Shtetit Islamik” në Siri dhe vende të tjera.

Kjo aleancë funksionon edhe sot e kësaj dite, përmes Projektit të njohur “Lidhja e shteteve Euro-Aziatike”, e cila në bërthamë të saj e ka bashkëpunimin e ngushtë mes “Vëllazërisë sllave” dhe lëvizjeve politike nën petkun fetar të Islamizmit të shtrembëruar. Rezultatet e këtij ndikimi fatkeqësisht janë të dukshme në rajonin tonë, në shumë vende evropiane dhe sidomos në hapësirat ku jetojnë shqiptarët, në trojet etnike dhe në Mërgatë, me tendenca të qarta për pengimin e zgjimit kombëtar dhe forcimit të faktorit shqiptar, kundër orientimit perëndimor të shqiptarëve dhe procesit të integrimeve evropiane dhe euroatlantike të shteteve shqiptare.

Poshtëshënim: Ky shkrim mund të plotësohet ndërkohë, me sigurimin e të dhënave plotësuese.

* * *

Skicë historike e huazuar*, për pasqyrimin e fuqisë politike dhe ushtarake të disa prijësve me prejardhje shqiptare në fillim të shek. XIX

“Një nga zotësitë kryesore që shqiptarët kanë pasur në Perandorinë Osmane, ka qenë arti i luftës, por disa nga këta prijës dhe pushtetarë të fuqishëm me prejardhje shqiptare, nuk kanë qenë thjesht vasalë të Sulltanit dhe të Perandorisë Osmane, por kanë pasur edhe qëllime të tyre strategjike, të cilat i kanë shfaqur hapur sa herë që ua kanë mundësuar rrethanat historike. Kështu, që nga marrja nën sundim e Egjiptit e deri në ditët e fundit të jetës së tij, Mehmet Aliu, pashai shqiptar nga Kavalla, me ndihmën e djemve të tij zhvilloi mjaft beteja të suksesshme në rajon e më gjerë.

Nga ekspeditat e para luftarake që Mehmet Aliu i ndërmori ishin disa fushata me radhë në Arabi kundër vehabive (memlukëve), ku djemtë e tij, sidomos më dalluari prej tyre, Ibrahim Pasha, arritën që kryengritjen e Saudëve në Arabi ta shypë dhe t’i rikthejë qytetet e shenjta të Mekës dhe Medinës në gjendje paqeje, nga ku haxhijte dhe umraxhijntë mundën t’i kryenin vizitat e tyre në tokën e shenjtë, në mënyrë të qetë dhe pa probleme.

Nga viti 1820 deri më 1822, Mehmet Aliu filloi ekspeditat kundër Sudanit, ku në 1823 e themeloi shtetin e Sudanit me Khartumin si kryeqytet të tij. Më 1824, si rrjedhojë e kryengritjeve të shqiptarëve (arvanitasve) dhe grekëve (romejve) në Greqi, Sulltan Mahmudi i II kur nuk mundi ta shtypë këtë rebelim, e thirri në ndihmë Mehmet Aliun, i cili duke çuar në krye të kësaj ekspedite djalin e tij, Ibrahim Pashën, i cili arriti që të shuaj dhe shtypë këtë revoltë në Greqi. Si rrjedhojë e kësaj fitore, Mehmet Aliu u shpërblye nga Sulltani që të bëhej edhe guvernator i Kretës. Por fuqitë e mëdha (Britania e Madhe, Franca, Rusia), duke parë shtrirjen e gjerë që Mehmet Aliu pati, që nga Sudani e deri në Kretë, më 1827 dërguan armatat e tyre për ta luftuar Ibrahim Pashën, të birin e Mehmet Aliut, i cili pas përplasjes me Fuqitë e Mëdha, u thye përkohësisht.

Si rrjedhojë e disa mbeturinave memluke, që e kishin braktisur Egjiptin pas masakrës së Mehmet Aliut, shumë prej tyre nga Siria kryenin akte sabotazhi kundër Mehmet Aliut. Për këtë arsye, më 1831, Mehmet Aliu u detyrua që ta pushtojë Sirine dhe t’i ndjekë Mamlukët e ikur. Por, kjo hapje e madhe e Mehmet Aliut e zemëroi Sulltan Mahmudin, i cili hyri në konflikt me Mehmet Aliun. Pas betejës së vitit 1839, djali i Mehmet Aliut, Ibrahim Pasha, e theu ushtrinë Osmane dhe filloi marshimin për në Anadoll, ku sipas shumë historianëve, ambiciet e Mehmet Aliut ishin që ai të bëhej Sulltan i shtetit Islam. Por duke parë forcën dhe vitalitetin e Mehmet Aliut, Fuqitë e Mëdha e kërcënuan dhe ndaluan sërisht Mehmet Aliun, që të mos avanconte më tej me pushtimet e tij. Nëse ky plan do të kishte ndodhur, bota nuk do t’i njihte më si Shtete të Bashkuara Islame, si Kalifati i Osmanlive, por do ta njihnin si Kalifati Shqiptar.

Pas kësaj përpjekje, Mehmet Ali Pasha dhe Ibrahim Pasha u tërhoqën në Egjipt, ku iu njoh e drejta e pakufishme e sundimit mbi Egjiptin (mbretëri), nga ku gjenerata e nipërve dhe pasardhësve të tij e udhëhoqën Egjiptin deri në vitin 1956.”

*Shënim: kjo pjesë është e huazuar dhe përpunuar.

* * *

Këtë nuk do ta bënin prijësit shqiptarë të asaj kohe për interesa të tyre fetare, por për interesa strategjike dhe për dominim në rajon, me çka do të ndryshonte edhe fati i shqiptarëve në Gadishullin Ilirik.

Sa do të kishte ndikim apo dominim fetar islam kjo fuqi, lexuesit mund t’u referohen fakteve historike, për ndihmën e vezirëve shqiptarë në Perandorinë Osmane, që Vaso Pashë Shkodranin e emëruan për vali të Bejrutit; kur familjen Gjika në Vllahi e ndihmuan të ngrihen në pushtet dhe të qeveris një periudhë të gjatë; kur në qendër të Perandorisë i ndihmuan rilindësit e mëdhenj, Naimin, Samiun, Jani Vreton dhe të tjerë, për ta bërë Shqipërinë, jo vilajetin shqiptar të osmanlive; kur në atë frymë çetat e para për lirinë e Shqipërisë, të Çerçiz dhe Bajo Topullit kishin në radhët e veta shqiptarë pa dallim të përkatësisë fetare; kur në Kongresin e Manastirit për njësimin e Abecesë shqipe, nga ndjenjat kombëtare të çiltërta, i ngritën në piedestalin e merituar, At Gjergj Fishtën dhe Dom Ndre Mjedën, në po këtë frymë, jo për teke dhe interesa momentale, sa për ruajtjen e unitetit fetar mes shqiptarëve; kur në Qeverinë e Ismail Qemalit, u bënë bashkë Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Gjenerali Mehmet Pashë Deralla, Myftiu Vehbi Dibra, Dom Nikollë Kaçorri, me shumë shokë të tjerë atdhetarë, që kombin dhe Shqipërinë e deshën me zemër, jo për pushtet, interesa fetare, famë personale, apo për thellësinë e xhepave të tyre.

Veprat dhe shpirti i tyre u bëfshin dritë e përjetshme për kombin shqiptar!

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit