Ligjëruesi i Universitetit ‘Johns Hopkins’ në Washington, Edward Jospeh, ka thënë se qëllimi kryesor i takimit ndërmjet Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka qenë rinisja e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe jo ndonjë skenar tjetër.
Joseph e sheh si mjaft pozitiv qëndrimin e Pompeos, duke potencuar se për finalen Kosovë-Serbi, Sekretari Amerikan nuk ka pasur ndonjë qëndrim të ngjajshëm sikurse këshilltari i Donlad Trump, John Bolton.
“Unë nuk kam dëgjuar që Sekretari i Shtetit, Pompeo, të ketë thënë diçka sikurse Boltoni në Ukrainë që SHBA-të mbështesin çfarëdo zgjidhje për të cilën pajtohen Kosova dhe Serbia. Unë nuk e kam parë diçka të tillë në deklaratën zyrtare të Pompeos, dhe mendoj që është e mirë. Fokusi i tij ka qenë në rinisjen e dialogut, dhe ashtu duhet të jetë. Ata duhet të qëndrojnë larg nga zgjidhjet e rrezikshme. Zgjidhje të cilat kanë nxitur edhe shqetësimin e fqinjëve të afërt, e që do të duhet t’i përjetojnë pasojat e ndarjes së Kosovës apo shkëmbimit të territoreve”, ka thënë Joseph për edicionin e Zërit të Amerikës në gjuhën serbe.
Joseph ka thënë se një takim i tillë sigurisht që mund të ketë ndikuar në afrimin në mes të Beogradit dhe Prishtinës për të arritur një marrëveshje juridikisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve.
“Mund të them se ekziston një përpjekje për të rinisur dialogun, por palët nuk duket se janë më afër. Është një përpjekje që do të vazhdojë edhe në të ardhmen. E para janë zgjedhjet që do të mbahen në Kosovë. Do të ishte e parakohshme që në këtë pikë të thuhet se dy palët do të mund të afrohen me njëra tjetrën”, ka thënë eksperti amerikan.
Sipas profesorit amerikan një takim i tillë është një tregues shumë pozitiv i involvimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në zgjidhjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Takimi ishte më shumë sesa protokoll. Ishte një takim serioz. Kjo nuk do të thotë se SHBA-të u kthyen në vitet e 1990 ose 2000, kur SHBA-të ishin shumë më të angazhuara në punët ndërkombëtare, por kjo tregon nivelin e lartë të interesimit të diplomacisë tonë. Ekziston një interes për këtë çështje, e cila ka marrë edhe vëmendjen e Sekretarit të Shtetit. Kjo do të thotë se është nën vëzhgim, ka interes dhe unë e vlerësoj si shumë pozitiv”, ka thënë Joseph.