Gjykata Themelore e Prishtinës u ka caktuar masën e paraburgimit tre të përfshirëve në përleshjen me armë zjarri në rrugën “Muharrem Fejza”, në Lagjen e Spitalit. Të pandehurve N.M, M.M dhe F.R iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin veç e veç.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve N.M., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Vrasje e rëndë në tentativë nga neni 173 par 1 pika 1.5 lidhur me nenin 28 të KPK-së dhe veprën penale Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve nga neni 366 par 1 të KPK-së, të pandehurit M.M. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Pjesëmarrja në rrahje nga neni 187 par. 1 të KPRK-së dhe kundër të pandehurit F.R. për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Vrasje e rëndë në bashkëkryerje me të ndjerin M.R nga neni 173 par. 1 pika 1.5 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Të pandehurve N.M, M.M dhe F.R iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç.
Gjykata ka konstatuar se janë përmbushur kriteret ndaj nenit 187 par.1 nën par. 1.1, 1.2, 1.2.1. të KPPK-së, po ashtu janë përmbushur kriteret nga neni 187 par. 1 nën par. 1.2.2. të KPPK-së si dhe nga neni 187 par. 1 nën par. 1.1 dhe 1.2.3. të KPPK-së për caktimin e masës së paraburgimit kundër tre të pandehurve.
Ekziston dyshimi i bazuar se pas një kontesti pronësor që kishin në mes veti dy familjet, me datë 05.09.2019, rreth orës 15:40, në kryqëzimin e rrugës rr. “Muharrem Fejza” dhe “Jakov Xoxa” në Prishtinë, i pandehuri F.R dhe tani i ndjeri M.R, kishin larguar kockat e betonit nga shkallët e lokalit, të cilët i kishin vendosur të pandehurit N.M. dhe tani i ndjeri B.M dhe në ato momente kishte filluar sharja dhe përleshja fizike në mes tyre dhe në përleshje e sipër, të pandehurit M.R dhe N.M, nxjerrin revolet, shtinë disa herë me revole në drejtim të njëri tjetrit, duke i shkaktuar plagë të rënda njëri tjetrit dhe nga të shtënat e të ndjerit B.M, pëson lëndime të rënda trupore tanii dëmtuari G.R, i cili në ato çaste ishte kalimtar i rastit si dhe i pandehuri F.R, ndërsa nga të shtënat e tani të ndjerit M.R, plagoset në këmbën e majtë i pandehuri N.M. Të plagosurit pastaj dërgohen për trajtim mjekësor në QKUK-ë dhe tani të ndjerit B.M e M.R nga plagët e marra vdesin në QKUK-ë.
Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.