Zyrtarisht dje partitë politike e koalicionet filluan fushatën për garën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të gjashtë tetorit. Ani pse në komuna të ndryshme, premtimet e para elektorale qenë gati të njëjta.
Partitë politike dje përmes disa tubimeve qendrore që i mbajtën në komuna të ndryshme të Kosovës filluan zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen me 6 tetor.
Ani pse para fushata iu zgjati më shumë se sa që do të zgjasë fushata zyrtare, në tubimet qendrore që i patën partitë dhe liderët që synojnë karrigen e kryeministrit të Kosovës, bën edhe njëherë të qartë se me çfarë moto hyjnë në këto zgjedhje.
Të parët që e hapën zyrtarisht fushatën ishin partia e udhëhequr nga Gëzim Kelmendi. FJALA, e hapi dje fushatën në ora 11:00 në një tubim para Teatrit Kombëtar në Prishtinë.
Pas tyre, katër orë më vonë, partia e udhëhequr nga Milaim Zeka, PEK, hapi fushatën në hotel Grand në Prishtinë.
Në Mitrovicë, hapën fushatën Vetëvendosje e Partia Demokratike e Kosovës.
Koalicioni 100 % që për kandidat për kryeministër ka Ramush Haradinaj ndërkaq zgjodhën Suharekën. Në të njëjtën orë në kryeqytet koalicioni NISMA-AKR-PD mbajtën tubimin qendror.
LDK ndërkaq hapën fushatën dje në orën 19:00, në një tubim që patën në sheshin “Ibrahim Rugova”.
Cilat ishin zotimet e partive politike?
Partitë më të mëdha në vend, në mes të së cilave po bëhet edhe gara kryesore për të dalë të parat nga zgjedhjet, patën preferenca të ndryshme se si do të fillonin kontaktin me elektoratin, në ditën kur u hap zyrtarisht fushata zgjedhore.
Partia e Kadri Veselit, për ta bërë këtë zgjodhi qytetin e Mitrovicës, nga ku e ka prejardhjen edhe lideri i kësaj partie. Mirëpo, këtë nuk e lidhën vetëm me vendlindjen e Veselit, PDK përveç se u zotua prap se do të luftojë korrupsionin dhe nepotizmin, tha se do të ndalojë çdo ide për shkëmbim me territore, të proklamuar gjatë nga ish-lideri i kësaj partie, tash presidenti Hashim Thaçi.
Kryetari i Degës së PDK-së, në këtë komunë, Bedri Hamza ishte i pari që mori fjalën për të folur para masës, derisa tha se nuk ka projekt ekonomik në Kosovë që nuk e ka vulën e Partisë Demokratike të Kosovës.
Pas Hamzës, fjalimin në Mitrovicë e vazhdoi Kadri Veseli që nga bashkëvendësit e tij u prit me thirrjet “Luli”, nofkë e luftës.
“Jam në Mitrovicë në vendin që më frymëzoi dhe ku nisa rrugëtimin tim njerëzor, unë jam sot këtu në Mitrovicë si biri juaj për ta nisur me këmbë të mbarë këtë rrugëtim të ri dhe për ta filluar suksesshëm fitoren e madhe të Partisë Demokratike. Kam zgjedhur Mitrovicën për ta përcjellë qartë mesazhin se Kosova është mirë vetëm kur Mitrovica është mirë. E Kosova e Mitrovica janë mirë kur ky vend i bekur nga zoti zhvillohet e punohet më shumë. Kur qytetarët do t’i thonë pro luftës kundër korrupsionit dhe nepotizmit dhe kur do t’i thuhet po partneritetit të përhershëm me SHBA dhe me BE”, ka thënë Veseli.
I njëjti tha se kjo fitore do të jetë për të rinjtë e Kosovës që ëndrrat e tyre t’i realizojnë në vendin ku jetojnë momentalisht.
“Ekonomi e fuqishme, vende pune të qëndrueshme dhe me rininë tonë që jetojnë këtu, të ardhmen e një Kosove që e mbron territorin dhe sovranitetin”, tha Veseli, duke thënë se këtë më së miri mund ta bëjë trashëgimtarja e UÇK-së, duke iu referuar partisë të cilën ai e udhëheq.
Derisa PDK e Veselit zgjodhi sheshin e Mitrovicës që të fillojë fushatën, nga Lëvizja Vetëvendosje në këtë komunë u zgjodh një destinacion tjetër.
Në sallën Minatori në Prishtinë, në tubimin e VV-së, salla ishte e mbuluar me flamujt kuq e zi.
Fjalimin e hapi kreu i VV-së, në Mitrovicë që është edhe kandidat për deputet, Faruk Mujka. Ai tha se fushata ja nisi nga Mitrovica sepse kjo komunë është lënë pas dore dhe pa shpresë. Ai përmendi Ujmanin, Trepcën e shkëmbimin me territore. Pas Mujkës, Liburn Aliu tha se ka ardhur dita për ndryshim.
“Është dita e Albin Kurtit dhe është dita e Kosovës, kur vjen dita ikë nata, zhduket terri e shkon tmerri”, tha ai. Pas tyre foli edhe kandidatja për deputete, Albulena Haxhiu. Kandidati për kryeministër nga kjo parti, Albin Kurti në tubimin e parë elektoral premtoi arsim me dinjitet dhe cilësi, e shëndetësi të garantuar.
“Erdhi dita e ekonomisë pa privatizime, por me politika zhvilimore e inovative për mbrojtjen e mjedisit e zhdukjen e monopoleve dhe për t’u ndërtuar bashkë me ndihmën e mërgatës”, tha ai, derisa Albin Kurti e përmbylli tubimin me apelin, “le t’i bëjmë krenare gjeneratat që vijnë pas nesh për punën që do të bëjmë pas datës 6 tetor, sepse këto nuk janë thjeshtë një palë zgjedhje. Ky është referendum për të ardhmen, prandaj le të dalim masivisht dhe të shënojmë kthesën historike”.
Derisa PDK e Vetëvendosje zgjodhën që fushatën ta fillojnë në Mitrovicë, koalicioni me kandidat Fatmir Limaj, NISMA-AKR-PD, tubimin e parë e mbajti në Prishtinë.
Fatmir Limaj tha se ky koalicion do të jetë befasia spektakolare që do të ketë në zgjedhjet e 6 tetorit.
“Po fillojmë fushatën elektorale për t’i dhënë një mundësi tjetër vendit tonë. Vendi jonë ka nevojë për bashkim e energji pozitive, për njerëz kompetent, të cilët e kanë dëshmuar që e duan atë. Keni dëgjuar e po dëgjojmë një garë kush e do më shumë Kosovën, na kanë dal do piqpirika po na tregojnë kush e do më shumë Kosovën, ata edhe kur t’i shihni ngrohtë e mirë pa asnjë telashe, rehat dhe nuk e kursejnë fjalën më të madhe kush e do vendin. Dallimi ynë me ta është se s’ka më të shenjtë për një njeri se familja, e kur e ka lyp Kosova ne e kemi sakrifiku familjen për t’i shërbyer Kosovës”, tha Limaj, derisa foli edhe pak për të kaluarën e tij, duke treguar edhe histori të luftës.
Partneri i tij në koalicion, kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli premtimin e parë elektoral tha se Kosova do të shënojë rritje ekonomike 8%.
“Pas 6 Tetorit ne do të sigurojmë qeveri të ndershme dhe me prosperitet. Buxheti i Kosovës do të jetë zhvillimor dhe jo vetëm për shpenzim. Synojmë të kemi rritje ekonomike prej 8% dhe mbi 60 mijë vende të reja pune në sektorin privat, ” u shpreh Pacolli.
AAK e PSD fushatën e filluan me një tubim në Suharekë. Ani pse Ramush Haradinaj, kandidati për kryeministër nuk qe i pranishëm, pasi që gjendet në një vizitë zyrtare në SHBA, Blerim Kuçi nga partia e tij ka treguar arsyet që sipas tij qytetarët kanë për të votuar këtë koalicion. Pas Kuçit, foli kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti. Ahmeti tha para të pranishmëve edhe arsyen pse Haradinaj udhëtoi për në Amerikë.
“Të dielën, kandidati jonë për Kryeministër, Ramush Haradinaj, më tha po më duhet me shkur për Amerikë. T’martën tha me shku dhe me u kthy të enjten në mëngjes. Tashë, po Ramush na ia fillojmë fushatës të mërkurën. Nuk ka kuptim me e nisë fushatën pa ty në Therandë, dhe më tha s’kemi çare pa shku Shpend, për shkak se kur s’po jemi aty, sene të këqija po ndodhin për Kosovën”, ka treguar Ahmeti.
Haradinaj pritet të kthehet sot në Kosovë dhe t’i bashkohet tubimit të AAK-së në Prishtinë që do të mbahet sot në ora 18:00.
Derisa të gjitha partitë veçse i kishin përfunduar tubimet qëndrore, Lidhja Demokratike e Kosovës një të tillë e mbajti mbrëmë prej orës 19:00. Para të pranishmëve i pari foli Lideri i kësaj partie, Isa Mustafa.
Kryetari i LDK-së, tha se dita e zgjedhjeve do të jetë kthesë historike për partinë që ai udhëheq e për Kosovën. I pranishëm mbrëmë ishte edhe nënkryetari i PPE-së, Dara Murphy. Ai tha se vota për LDK-në e për Vjosa Osmanin do të thotë votë për një Kosovë drejt Bashkimit Evropian.
Gashi: LDK e pati hapjen më madhështore të fushatës
Në një bisedë për Gazetën Express, një ditë pas hapjes zyrtare të fushatës, analisti Astrit Gashi ka komentuar se si në fakt partitë politike janë prezantuar gjatë ditës së djeshme.
Gashi vlerëson se sipas tij, fushatën më madhështore dje e ka pasur partia e Isa Mustafës.
“Hapjen më madhështore të fushatës e ka pasur LDK. Nëse deri më dje nuk është pa tendencë për krijimin e frymës nga partitë, hapja e fushatës nga ajo mbrëmë në sheshin e Prishtinës është një tendencë e mirë për të ndërtuar një frymë. Por kjo varet edhe nga veprimet e mëtejshme të saj, por edhe nga mënyra se si përgjigjen konkurrentët”, shton ai, derisa, sa i përket koalicionit 100%, shton se Suhareka, aty ku u mbajt tubimi qendror është me gjasë bastion i këtyre partive.
“AAK e ka mbush Suharekën, e cila me gjasë po bëhet tashmë një bastion i ri i saj, por, mesazhi kryesor i këtij tubimi ishte lidhja direkt nga Amerika e Haradinajt e takimet e atij atje me Matheë Palmer që ka synim të thejë pohimet për armiqësimin e Haradinajt me Amerikën si dhe ato që SHNA nuk e lejojnë më atë që të vie në krye të kuvendit. Një vizitë dhe inkuadrimi në Suharekë i Haradinajt gjatë fushatës, sipas kësaj ideje, do të duhet të mohonte pikërisht këto zëra”, thotë Gashi.
Analisti ka komentuar edhe pse PDK e Vetëvendosje zgjodhën Mitrovicën për të nisur fushatën për zgjedhje.
“Vetëvendosje ka zgjedhur qëllimisht Mitrovicën për të përçuar mesazhin e Kosovës së pandarë, por hapja nuk ka dhënë ndonjë efekt në krijim të një fryme.
PDK gjithashtu ka zgjedhur Mitrovicën si simbolikë, rajoni i kryetarit Veseli si dhe mesazhi për një qytet që nuk do të ndahet. Edhe kjo hapje ndonëse masive, sikur në rastin e VV-së, nuk paraqet ndonjë lëvizje të madhe dhe domethënëse në krijimin e frymës. Në ditën e parë, pra LDK u nxor më së miri, por jam i sigurtë që forcës së demonstruar nga LDK do t’i përgjigjen të tjerët në vijim”, ka thënë ai.
Fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit zyrtarisht ka filluar më 25 shtator, dhe do të zgjasë 10 ditë. Në këto zgjedhje do të garojnë 25 subjekte politike/koalicione parazgjedhore.
Numri i qytetarëve të cilët kanë të drejtë vote në zgjedhjet e 6 tetorit, është 1,937,868.