Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës e ka bërë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si moto të fushatës së tij parazgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit.
Madje javë më parë, Veseli mori vendim që t’i largojë nga pozitat në parti të gjithë zyrtarët e saj të cilët po përballen me procese të ndryshme gjyqësore.
Por në një veprim të sotëm, Veseli ka prezantuar aderimin e tij më të ri i cili është në listën e të akuzuarve në rastin e veteranëve të rrejshëm.
Sadik Halitjaha (i pari majtas) në një nga seancat gjyqësore në rastin e veteranëve të rrejshëm. Foto: Kallxo.com
“Partisë Demokratike të Kosovës iu bashkua edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Pashtrikut, Sadik Halitjaha, i cili është ish-anëtar i Kryesisë dhe Këshillit Drejtues të AAK-së”, tha Veseli në një postim në Facebook të shoqëruar me një fotografi ku i shtrëngon duart me Halitjahën.Halitjaha është njëri ndër të akuzuarit në rastin e veteranëve të rrejshëm, aktakuzë në të cilën Prokuroria Speciale ka gjetur mbi 15 persona si përfitues të dyshimtë të certifikatës dhe skemave të veteranëve të luftës së UÇK-së.
Ai akuzohet për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar, vepër e cila bën pjesë në kapitullin e veprave të korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës, bashkë me Agim Çekun, Nuredin Lushtakun, Shkumbin Demaliajn, Qelë Gashin, Shukri Bujën, Ahmet Dakun, Rrustem Berishën, Faik Fazliun, Smajl Elezajn, Fadil Shurdhajn dhe Xhavit Jasharin.“Mirë se erdhe në familjen tonë, Sadik! Bashkohuni me mua për ndërtimin e një të ardhme më të mirë! #PDK112”, ka shkruar Veseli në Facebook.