A do të rritet cmimi i energjisë elektrike? Flet Viktor Buzhala

0
169

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, në një intervistë për emisionin Aktual të RTK-së theksoi se KEDS ka bërë të gjitha përgatitjet dhe investimet e nevojshme për stinën e dimrit.

Buzhala ne RTK shpjegoi që rritja e mundshme e çmimeve të energjisë elektrike në Kosovë mund të ndikohet nga sasia e energjisë elektrike të importuar, e cila padyshim do të ketë një çmim të ndryshëm në krahasim me prodhimin vendor, teksa tha se importi pritet të jetë rreth 500MWh këtë sezon dimri.

Për më tepër, ai gjithashtu dha qëndrimin e tij personal lidhur me atë se ku duhet t’i orientojë Kosova investimet e saj në mënyrë që të arrijë një furnizim të sigurt dhe të qëndrueshëm të energjisë elektrike.

Këto komente, Buzhala i bëri gjatë emisionit AKTUAL në kuadër të Radio Televizionit të Kosovës.

400 deri në 500MWh duhet të importohen gjatë pikut gjatë sezonës së dimrit

Viktor Buzhala theksoi se përgjigja nëse Kosova do të afektohet nga kriza globale e energjisë elektrike në rritje të çmimeve varet nga shumë faktorë.

Megjithatë, ai shpjegoi se ndikimi mund të konsiderohet i pashmangshëm, duke pasur parasysh nevojën për të importuar për të plotësuar kërkesën për energji elektrike e cila gjatë sezonit të dimrit rrallë plotësohet përmes prodhimit të kapaciteteve ekzistuese vendore.

“Nuk e dimë, aktualisht nuk e dimë. Pasiqë impakti do të jetë, mirëpo nuk e dimë se sa do të jetë ai impakt, pasiqë prodhimi vendor tek ne e mbulon një pjesë të konsiderueshme të konsumit. Dhe aty çmimet e prodhimit nuk është që kanë pas ndonjë ndryshim të madh pasiqë nuk kemi kapacitete të reja energjetike”, tha ai.

“Por impakt do të ketë, pasi që pritjet janë për 400 deri në 500MWh shtesë që duhet t’i importojmë në kohën e pikut gjatë dimrit”, tha Buzhala.

“Por nuk e dimë se çfarë dimri do të mbajë. Ti e di që tek ne dimri mund të mbaj temperature deri në -20 shkallë Celsius, mirëpo mund të jetë edhe dimër shumë i butë”, theksoi ai.

Energji stabile, jo domosdoshmërisht e pastër

Energjia e pastër është e dëshiruar nga të gjithë, por ajo që na nevojitet është furnizimi i qëndrueshëm i energjisë elektrike, nënvizoi Buzhala.

Në këtë kuptim, Buzhala, sipas mendimit të tij personal, deklaroi se duhet të merren parasysh seriozisht mundësitë në lidhje me rivitalizimin e Kosovës A si dhe Kosovës B.

Për më tepër, ai shpjegoi se teknologjitë aktuale në mbarë botën ofrojnë mundësi për të prodhuar energji me bazë qymyri me emetime më shumë se dy herë më të ulëta sesa termocentralet aktuale ndotëse që operojnë në Kosovë.

“Secila energji e pastër është e mirëseardhur. Mirëpo, ne duhet të mbështetemi në fuqi energjetike stabile, prodhues do të thotë stabil. Të cilat kanë besueshmëri të lartë, pasiqë qytetarët në fund të ditës duan energji elektrike dhe nuk është që ju intereson edhe aq se si prodhohet”, theksoi ai.

“Sigurisht se ajo duhet të jetë sa më e pastër, të ketë impakt sa më të vogël edhe në ambient edhe në shëndetin e njerëzve. Mirëpo, kjo mund të arrihet edhe përmes modernizimit të kapaciteteve aktuale”, tha ai.

“Është Kosova A përshembull që mund të revitalizohet komplet, këtu po flas si Viktor dhe jo si KEDS, pastaj edhe Kosova B pse jo?”, tha ai.

“Të hyjmë në modernizim dhe të zvogëlojmë impaktin. Për shembull, Kosova A më herët e ka pas prodhimin 1.8 ton për megavat, ndërsa termocentralet moderne djegin dy fish më pak apo kanë impakt në ambient dy fish më pak, vetëm në djegie të qymyrit. Me modernizimin e saj automatikisht zbutet ndotja me 50%”, tha Buzhala

“Madje janë zbuluar forma të cilat e bëjnë prodhimin e energjisë elektrke nga qymyri më të pastrin e mundshëm”, tha ai.

“Janë zbuluar këto forma, mirëpo ende nuk janë zbuluar forma eficente. Do të thotë janë të shtrenjta shumë edhe për botën. Por, sigurisht se në të ardhmen do të zbulohen ato forma dhe ekziston mundësia që, nëse ndërtojmë ne termocentral të ri apo kapacitete të reja, të integrohen brenda këtij sistemi dhe në këtë mënyrë të mos ketë impakt në ambient”, tha Buzhala.

Vendimi për të kthyer paratë e paguara për rrymën në veri do të duhej të përfshinte edhe periudhën para vitit 2012

40,855,480 euro është shuma që është vendosur nga Gjykata Themelore e Prishtinës, që t’i kthehet konsumatorëve të Kosovës që kanë paguar rrymën katër komunave në veri të Kosovës gjatë viteve 2012-2017.

Buzhala deklaroi se KEDS nuk është palë në këtë çështje, megjithatë ai vuri në dyshim vendimin që ai e cilësoj si të njëanshëm të Avokatit të Popullit, duke pasur parasysh se ai nuk përfshiu periudhën para vitit 2012.

Buzhala sqaroi se ka qenë e njejta strukturë tarifore që është bartur në KEDS, edhe nga koha kur distribucioni ka qenë aset publik.

“KEDS-i realisht nuk është palë në këtë mes, është vendim që marrë duke u bazuar në ankesën e avokatit të popullit ndaj një vendimi të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë elektrke”, tha ai.

“Ne nuk kemi preferuar që të implikohemi në atë çështje, pasiqë ZRRE është ajo që na rregullon ne, ka komplet kompetencat dhe vendimet me të cilat ne operojnë, dhe sigurisht se ata janë përgjegjës”, theksoi ai.

“Po ajo është vetëm për periudhën 2012-2017, do të duhej të ishte edhe në vitet e mëhershme sepse në vitin 2012 apo 2013 nuk ka ndryshuar asgjë, ka qenë e njejta strukturë tarifore që është bartur në KEDS, edhe nga koha kur distribucioni ka qenë aset publik”, sqaroi Buzhala.

“Por pse ZRRE-ja e ka bërë këtë prerje, pse mendon që paratë që janë paguar më herët nga qytetarët janë të ndryshme prej parave që janë paguar nga 2012 e më pas, pse avokati e ka bërë këtë çështje realisht”, tha ai.

“Unë mendoj që paratë janë të njejta, të njejtin dedikim e kanë pasur, janë paguar për Serbët e veriut. Madje, më herët janë paguar edhe për Serbët që jetojnë në lokalitetet e ndryshme në jug të vendit, të shikojmë por është e cuditshme kjo qasje ndoshta edhe diskriminuese, spo du ta quaj raciste nga avokati i popullit por është e cuditshme”, tha ai.

“Duhet të jetë shumë gjithëpërfshirës, të mos i veçoj paratë kur janë të njëjta, të mos i veçoj situatat kur janë të njejta”, theksoi ai.

Buzhala: Kemi bërë të gjitha strategjitë që të kemi furnizim sa më të mirë dhe sa më kualitativ me energji elektrike

Për më tepër, zëdhënësi i KEDS deklaroi se kompania ka bërë të gjitha investimet e nevojshme dhe të planifikuara deri në këtë periudhë, duke siguruar që rrjeti i shpërndarjes të jetë në një situatë të mirë për sezonin e ardhshëm dimëror.

“I sigurojmë qytetarët që ne po e bëjmë më të mirën të mundshme. I kemi kryerë të gjitha investimet që kanë mund të kryhen deri sot”, tha ai.

“Kemi përgatitur rrjetin në situatën më të mirën, kemi bërë të gjitha strategjitë që të kemi furnizim sa më të mirë dhe sa më kualitativ me energji elektrike”, theksoi ai.

“Sigurisht se varet edhe prej akterëve të tjerë, varet prej institucioneve të ulemi bashkë, dhe të gjejmë zgjidhjen më të mirë të mundshme”, tha Buzhala.

“Është herët të flitet, pasiqë vetëm mund të spekuloj, dhe nuk dua të spekuloj se çka do të ndodhë, sepse tek e fundit këtu vendimi i fundit i takon Zyrës së Rregullatorit të Energjisë”, tha ai.

“Nuk e dimë se çka do të ndodhë. Por, sigurisht parametrat janë që do të ketë ndikim shumë të madh kriza globale”, tha ai./RTK

Intervistë e plotë mund ta ndiqni KETU