6.9 C
Pristina
Monday, December 16, 2024

“Aksion fitimprurës”, a e përdori Kosova dërgimin e ushtarëve në Falkland për njohje në botë

Rekomandime

Kosova e prezantoi si “të arritur shumë të madhe” një marrëveshje me Mbretërinë e Bashkuar në shtator të vitit të kaluar, e cila më pas do ta dërgonte këtë fillimvit një kontigjent të FSK-së në një mision në një territor të kontestuar. Kjo gjë e ka irrituar Argjentinën, e cila nuk e njeh Kosovën. Por dikush në Amerikën Latine po vlerëson se ky është “aksion shumë fitimprurës” për Kosovën dhe se i ka dhënë shtetit të ri “rëndësi të veçantë në kërkimin e një njohjeje më të madhe ndërkombëtare”.

- Advertisement -

Gazeta Express

Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë angazhuar në një mision në ishujt Falkland si pjesë e një marrëveshjeje me Mbretërinë e Bashkuar. Këta ishuj përbëjnë një kontest të moçëm ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Argjentinës dhe kanë në shtyllë luftërat për historinë e vendit. Statusi i sovranitetit të këtij territori është pjesë e një mosmarrëveshjeje të vazhdueshme midis këtyre dy vendeve dhe me këtë rast është riaktualizuar si çështje.

Për më tepër në fillim të muajit mars Argjentina e njoftoi Mbretërinë e Bashkuar se po tërhiqet nga një marrëveshje që e kishin arritur për ishujtë që konsistonte në atë se dy palët pajtohen se nuk pajtohen rreth sovranitetit të ishujve.

- Advertisement -

Daniel Kersffeld, profesor dhe studiues i politikave ndërkombëtare në Universitetin “Torcuato di Tella” në Buenos Aires ka analizuar rëndësinë strategjike që ka për Kosovën pjesëmarrja e pjesëtarëve të FSK-së në këtë mision që mund të zgjasë deri në tre vjet, me mundësi vazhdimi.

Duke përmendur se Kosova ndodhet në një zonë me rëndësi strategjike, e vendosur “pranë një kryqëzimi të tubacioneve jetike të naftës dhe korridoreve energjetike”, Kersffeld e sheh përfshirjen e ushtarëve kosovarë në misionin ushtarak britanik si “aksion shumë fitimprurës” për Kosovën dhe si hap drejt një njohjeje më të madhe ndërkombëtare dhe në linjë me synimin për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe në NATO.

- Advertisement -

“Pa miratimin e plotë të Kombeve të Bashkuara, mundësia për të marrë pjesë në një mision ushtarak ndërkombëtar përkrah forcave të armatosura britanike dhe në kuadër të NATO-s, i jep Kosovës rëndësi të veçantë, në kërkimin e një njohjeje më të madhe ndërkombëtare. Një rrugë që nga fusha ushtarake filloi të përshkohet aktivisht që nga viti 2021 kur disa detashmente kosovare u dërguan në Kuvajt në bashkëpunim me trupat amerikane”, ka shkruar ai të mërkurën në një analizë në gazetën argjentinase “Página 12“.

“Nga Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, sigurohet se kjo do të ishte strategjia e duhur për një vend të paqëndrueshëm, me 40% papunësi dhe të ardhmen e të cilit mund ta siguronte vetëm nga rreshtimi i pakushtëzuar me ato fuqi perëndimore që ndihmuan për t’i dhënë jetë”, ka shkruar Kersffeld.

Sipas tij, “kjo do të ishte e vetmja mënyrë për ta kompensuar mungesën e njohjes së OKB-së përmes një inkorporimi eventual në NATO dhe madje edhe në Bashkimin Europian”.

Këtë lëvizje nga ana e Mbretërisë së Bashkuar, Kersffeld e sheh në kontekstin e luftës në Ukrainë, pasi thotë se “në nivel ndërkombëtar po ndodhin rirregullime të ndryshme, me implikime dhe pasoja gjithnjë e më të dukshme për vendet e Amerikës Latine”.

Ai beson se “për Mbretërinë e Bashkuar, konflikti aktual kundër Rusisë është kthyer në një mundësi të re për të pasur një prani më të madhe në nivel ndërkombëtar, veçanërisht në territore që mund të shndërrohen në skenarë të rinj mosmarrëveshjeje, siç është Ballkani”. Në të njëjtën mënyrë, Kersffeld thotë se “Londra shfrytëzon mundësinë për t’i mbrojtur pozicionet e saj në Atlantikun e Jugut kundër efekteve dhe pasojave të ardhshme të ngjarjeve që ndodhën në Ukrainë dhe që mund të kenë një ndikim global”.

Si vendosi Kosova të përfshihet në këtë çështje

Kosova më 30 shtator të vitit të kaluar e nënshkroi një marrëveshje me Mbretërinë e Bashkuar dhe Qeveria njoftoi pak më vonë se mbi bazën e kësaj ka marrë vendim që t’i dërgojë ushtarët “në operacionin në mbështetje të paqes”.

Vendimi potenconte se atje do të dërgohen deri në 7 pjesëtarë të FSK-së dhe se ky mision mund të zgjasë deri në tre vjet, me mundësi vazhdimi.

FSK në këtë mision u vu nën komandën e Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, gjatë një vizite në Londër, ku ishte pritur nga ministri britanik i Forcave të Armatosura dhe Veteranëve, James Heappey, e kishte nënshkruar këtë deklaratë të përbashkët për bashkë-zbarkimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me ushtrinë britanike në misionet ku angazhohet Mbretëria e Bashkuar

“Deklarata e përbashkët për bashkë-zbarkim është e arritur shumë e madhe e Republikës së Kosovës e cila rikonfirmon fuqishëm besueshmërinë e plotë të Mbretërisë së Bashkuar dhe Qeverisë së saj në Ministrinë tonë të Mbrojtjes dhe kapacitetet e forcave tona”, kishte shkruar Mehaj.

Reagimi i Argjentinës dhe përgjigjja e Mbretërisë së Bashkuar

Shtatë ushtarë të FSK-së mbërritën në ishujt Falkland më 13 janar dhe u dërguan në bazën ushtarake Mount Pleasant, e ndërtuar nga NATO në vitin 1985.

Veç vendimi i Kosovës për t’i çuar ushtarët atje bëri që Argjentina të reagojë, duke e cilësuar këtë veprim si “një shfaqje e pajustifikuar force” nga Mbretëria e Bashkuar.

Në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Argjentinës thuhej se nëse do të dërgohen ushtarët kosovarë, “ky veprim do të përbënte një demonstrim të ri dhe të pajustifikuar të forcës dhe një largim të qëllimshëm nga thirrjet e rezolutave të shumta ndërkombëtare të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe forumeve të tjera ndërkombëtare që nxisin Argjentinën dhe Britanisë së Madhe të rifillojnë negociatat për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes mbi sovranitetin e ishujve”.

Këtë muaj Argjentina e ka njoftuar Mbretërinë e Bashkuar se do të tërhiqet nga Pakti Foradari-Duncan, deklaratën e përbashkët të vitit 2016 që rregullonte disa çështje në territorin e kontestuar. Argjentina ka kërkuar negociata të reja rreth çështjes së sovranitetit të ishujve Falkland, për të cilat dy vendet kishin luftuar në vitin 1982.

Ministri i Jashtëm argjentinas, Santiago Cafiero për këtë vendim të Buenos Aires e ka njoftuar homologun e tij britanik, James Cleverly në Neë Delhi, gjatë takimit të ministrave të jashtëm të G-20.

Një takim mes përfaqësuesve të të dyja vendeve në selinë e Kombeve të Bashkuara në Neë York u propozua nga Argjentina, ndërsa kryediplomati britanik ia ktheu homologut të tij në Tëitter, duke i thënë se “ishujt Falkland janë britanikë”.

“Banorët vendas kanë të drejtë të vendosin për të ardhmen e tyre, por ata kanë vendosur të mbeten një territor britanik” shkroi Cleverly.

Argjentina është një nga shtetet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe mund të mendohet se dërgimi i ushtarëve të FSK-së atje mund ta largojë edhe më shumë mundësinë e njohjes nga ky shtet.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit