13.7 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Alarmon historiani rus: Askush i sigurt në Europë nëse Putini fiton në Ukrainë

Rekomandime

Për vite me radhë Andrei Zubov, ka paralajmëruar për një katastrofë të afërt. Kur e krahasoi aneksimin rus të Krimesë në vitin 2014 me Anschluss-in e Austrisë me Gjermaninë naziste të vitit 1938, e humbi punën si profesor në Instituti Shtetëror i Moskës për Marrëdhëniet Ndërkombëtare.

Sot historiani dhe nënkryetari 70-vjeçar i PARNAS, opozitës “jo sistematike”, e papërfaqësuar në parlamentin rus, paralajmëron sërish: “Nëse Vladimir Putin fiton në Ukrainë, askush në Evropë nuk do të jetë më i sigurt”.

- Advertisement -

Profesor Zubov, a do të kufizohet ofensiva ruse vetëm në rajonin Donbass?

Kur Putin nisi “operacionin special ushtarak” më 24 shkurt, besonte se do të ishte në gjendje ta pushtonte pjesën më të madhe të Ukrainës brenda pak ditësh. Por ushtria dhe armët ruse ishin në një gjendje skandaloze. Dhe kjo ishte e pritshme: nëse ke një industri ushtarake mjerane, do të kesh edhe një armatim të dobët.

Nga ana tjetër, ushtria ukrainase ka rezultuar më e aftë se sa mendohej. Tek e fundit, ajo ishte stërvitur prej vitesh nga NATO, dhe kishte marrë pjesë në manovra të ndryshme të Aleancës. Por jo vetëm kaq. Putini dhe këshilltarët e tij, nuk e kuptuan se që nga viti 2014, Ukraina ka ndryshuar.

- Advertisement -

Edhe pjesa e popullsisë që ishte pro-ruse 8 vjet më parë, sot anon nga Perëndimi. Askush nuk dëshiron që të bashkohet me Rusinë. Prandaj dështoi edhe plani i Putin për një operacion të shpejtë. Tani ai thotë se dëshiron të çlirojë vetëm Donbassin, por kjo është një gënjeshtër. Në fuqi mbetet qëllimi fillestar: Putini dëshiron ta likuidojë Ukrainën si një shtet të pavarur. Ai e dëshiron këtë gjë, ashtu siç e donte në shkurt.

Nga buron bindja e tij se ukrainasit, rusët dhe bjellorusët janë “një popull i vetëm”?

- Advertisement -

Kjo është një ide e vjetër e nacionalizmit të shekullit XIX, sipas të cilit legjitimiteti i një shteti është i lidhur ngushtë me etninë dhe gjuhën. Sigurisht që është e gabuar. Dhe nga një ide kaq e gabuar nuk mund të nxirret asnjë arsye politike.

Pse Ukraina është kaq shumë e rëndësishme për Putinin?

Si një ish-agjent i KGB-së dhe një “homo sovieticus” (qytetar sovjetik), Putin mendon se rënia e Bashkimit Sovjetik ishte një gabim, ndaj po bën gjithçka për ta korrigjuar atë. Ai dëshiron të ribashkojë Perandorinë Ruse.

Dhe pa Ukrainën, ish-shteti më i madh sovjetik pas Rusisë, nuk është i mundur asnjë lloj ribashkimi. Ukraina është shtylla e këtij projekti. Ato që thuhen për popullsinë rusisht-folëse në Donbas janë thjesht parulla. Ideja kryesore është se Ukraina nuk është një shtet i pavarur, se nuk ka të drejtë të ekzistojë jashtë Rusisë. 2014-a ishte akti i parë.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Pas kryengritjes së Maidanit, dhe pas rënies së qeverisë pro-ruse të Viktor Janukovich, Putini e aneksoi Krimenë dhe nisi konfliktin në Donbass për t’i dërguar Kievit këtë mesazh: “Ne mund të gllabërojmë territoret tuaja, dhe ju nuk mund të bëni dot asgjë”. Kur Volodymyr Zelensky pasoi në detyrë Petro Poroshenko, Putin shpresoi që të mund të ndikonte në kursin politik të Ukrainës.

Gjatë fushatës zgjedhore, Zelensky premtoi të përmirësonte marrëdhëniet me Moskën. Por kur erdhi në pushtet, ai e kuptoi se kostoja për këtë do të ishte pavarësia e vendit. Ndaj kishte vetëm dy rrugë: të ishte apo jo një satelit i Moskës. Zelensky zgjodhi të dytën. Kështu Putin vendosi se nuk kishte rrugë tjetër përveç asaj ushtarake. Dhe nisi këtë fushatë të tmerrshme.

Në esenë e tij të botuar në korrik 2021 mbi unitetin e rusëve dhe ukrainasve, por edhe në fjalimin e tij në shkurt të këtij viti, Putini e shtrembëroi historinë për të hedhur themelet ideologjike të kësaj lufte. Si historian, cili nga pretendimet e tij ju ka bërë më shumë përshtypje?

Pas protestave në Maidan, Ukraina filloi procesin e de-komunistizimit. Pjesa më e dukshme dhe simbolike ishte shkatërrimi i statujave të Leninit dhe i liderëve të tjerë komunistë, si dhe riemërtimi i qyteteve dhe rrugëve. Për Putinin, shteti sovjetik, lideri dhe simbolet e tij janë të shenjtë.

Nuk duhet harruar se gjyshi i tij ishte kuzhinieri i Leninit, dhe unë jam i bindur se iu vu emri Vladimir për nder të Leninit. Putini mund të thotë se “Lenini bëri gabime”, por për të ai është themeluesi i shtetit sovjetik. Prandaj më Më 22 shkurt, ai tha: “Do t’ju tregoj se çfarë do të thotë në fakt de-komunistizimi për Ukrainën. Donte të thoshte: “Do t’iu heq pavarësinë që ju dha Lenini”.

Por ky është një mashtrim historik. Nuk ishte Lenini ai që ia dha pavarësinë Ukrainës. Ai ishte motivi për shpalljen e pavarësisë. Parlamenti i Ukrainës, Rada, e shpalli pavarësinë kur Lenini e shpërndau Asamblenë Kushtetuese, pasi e kuptoi se në BRSS nuk do të kishte një demokraci të vërtetë. Pra, teza e Putinit është një gabim historik. Por është pjesë e ideologjisë së tij mbi Rusinë e Madhe e të Bashkuar.

Mbi “Russki Mir” (Bota Ruse)?

Kjo ideologji është zëvendësuese e Perandorisë Ruse, ose më mirë e asaj sovjetike. Putin njeh versionin e historisë që mësohej në kohën kur ishte i ri. Ai ka një mentalitet sovjetik. Kur flet për Perandorinë Ruse, ai mendon për Bashkimin Sovjetik.

Dhe Kisha Ortodokse Ruse luan një rol të rëndësishëm …

Jo Kisha, por Patriarku Kirill. Kur Stalini lejoi zgjedhjen e një Patriarku të ri në vitin 1943, ai donte një kishë besnike ndaj regjimit komunist. Shumë mitropolitë ishin agjentë të KGB-së. I tillë ishte edhe Kirill, që tanimë e ka zbuluar natyrën e tij të vërtetë, duke e mbështetur sulmin e Putinit kundër Ukrainës.

Thatë se Putin dëshiron ta ribashkojë Bashkimin Sovjetik. A dëshiron vërtet ai rikthimin e hartat e para vitit 1991?

Nëse kjo aventurë do të jetë e suksesshme, Rusia do të vazhdojë sulmin e saj ndaj Evropës. BE-ja duhet të kuptojë se ajo që do të ndodhë në Ukrainë, do të përcaktojë të ardhmen tonë të përbashkët. Nëse Kievi do jetë në gjendje të mbrojë veten dhe të mbetet një shtet demokratik, edhe Rusia do të fillojë një proces demokratizimi.

Por nëse bie në duart e Putinit, e ardhmja e Evropës do të jetë shumë e errët. Lufta bërthamore është një realitet. Heqja dorë nga nafta dhe gazi rus është e dhimbshme, por është shumë më e kushtueshme të mos e ndihmosh Ukrainën që ta pengojë Putinin të vazhdojë ofensivën e tij.

A nuk ka ndonjë njeri që mund ta ndalë Putinin nga brenda?

Unë mendoja se do të kishte së shpejti një grusht shteti. Por nuk e kisha kuptuar sa i fortë është regjimi i ndërtuar nga Putin në 20 vitet fundit. Unë e besoj ende se do të ndodhë një puç, por tani njerëzit përreth tij kanë shumë frikë nga njëri-tjetri. Vetëm disa nga bashkëpunëtorët e tij e mbështesin idenë e Putinit për rindërtimin e Bashkimit Sovjetik.

Shumica e elitës ruse do luksin që ofron Perëndimi, vilat, jahtet. Sot ata nuk janë të lumtur, pasi sanksionet kanë qenë shumë të rënda. Me luftën në Ukrainë, ata kanë humbur gjithçka, dhe nuk kanë fituar asgjë. Dhe e kuptojnë se e vetmja rrugëdalje është rrëzimi i Putinit. Herët a vonë kjo gjë do të ndodhë.

Nga Rosalba Castelletti “La Repubblica”

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit