2.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Alban Beqiri: Jam i lumtur që i heshta serbët, aq më shumë për faktin që nuk e lejuan Kosovën të merrte pjesë

Rekomandime

Me katër fitore në po kaq ndeshje të zhvilluara, Alban Beqiri bëri historinë e boksit shqiptar në Kampionatin Botëror që po mbahet në Serbi.

Suksesi në çerekfinale dy ditë më parë ndaj jordanezit Zejad Eashash i preu biletën boksierit kuqezi për në gjysmëfinale, duke i siguruar minimalisht medaljen e bronzit në kategorinë e peshave 67-71 kg. Një arritje fantastike nga Beqiri, i cili nderoi veten e tij dhe të gjithë shqiptarët me një boksim të shkëlqyer në ring, duke treguar një teknikë dhe një nivel të jashtëzakonshëm.

- Advertisement -

DËMTIMI – Sipas kalendarit, sot pasdite Alban Beqiri duhet të ngjitet në ring për ndeshjen gjysmëfinale kundër rusit Vadim Musaev. Por boksieri kuqezi është në dyshim të madh për këtë duel për shkak të dëmtimeve. Që prej sfidës së dytë në botëror ai ka dueluar me një tërheqje në mes, ndërsa, gjithashtu ka edhe një krisje në dorë.

Këtë e ka konfirmuar vetë boksieri në një prononcim për gazetën ‘Panorama Sport’, ku shprehet kështu: ‘Kam frikë se nuk do të jem më në gjendje për të vazhduar për ndeshjet e tjera, për shkak se kam dëmtime shumë të mëdha te mesi.

- Advertisement -

Kjo ka ndodhur që në ndeshjen e dytë kundër lituanezit dhe po boksoj me një shkëputje muskulore, ndërsa tani më është përkeqësuar shumë, aq sa nuk mund të lëviz dot.

Gjithashtu, kam edhe një problem në dorë. Megjithatë, do të vijoj me terapitë gjatë gjithë kohës dhe do Zoti arrij të përmirësohem’, deklaroi Beqiri. Ditën e sotme boksieri kuqezi do të marrë një vendim përfundimtar nëse do të jetë në gjendje për të vijuar duelet.

- Advertisement -

TRIUMFI HISTORIK DHE DEDIKIMI – Mbërritja deri në gjysmëfinale dhe fitimi i medaljes së bronzit është një diçka e jashtëzakonshme për Alban Beqirin dhe Shqipërinë, që për herë të parë futet në zonën e medaljeve në një Kampionat Botëror: ‘Jam i pari që arrij të marr medalje për të rritur në një sport kaq të vështirë në federatën e AIBA-s. Të arrish rezultate këtu është diçka shumë e madhe’, shprehet djaloshi me origjinë nga Puka, që është pjesë e skuadrës së Tiranës.

I pyetur nëse i priste këto rezultate, Alban Beqiri deklaron: ‘Të them të drejtën për kushtet tona dhe për aq pak stërvitje që kisha bërë, nuk kisha shumë siguri, por gjithsesi e motivoja veten me aq ditë sa më mbetën, duke u stërvitur fort dhe arrita të krijoj vetëbesim të madh. Madje u sforcova dhe kalova deri në stërmundim me përgatitjen që bëra.

Por, gjithsesi me besimin në Zot ia arrita qëllimit dhe gjërat shkuan mirë’. Boksieri ka edhe një dedikim për rezultatin historik: ‘Në radhë të parë dua t’ia dedikoj trajnerit tim, Sead Bushatit. Është trajneri me të cilin stërvitem dhe më ka ndihmuar shumë që të jem ky që jam sot. Gjithashtu, ky sukses shkon edhe për të gjithë miqtë e mi që më kanë ndjekur dhe më kanë mbështetur me shpirt e me zemër që unë të fitoj’.

PËRGJIGJJA NDAJ SERBËVE – Botërori i Boksit në Serbi prodhoi edhe skandalin e moslejimit të Kosovës për të marrë pjesë nga ana e autoriteteve serbe. Gjithashtu, është vërshëllyer edhe flamuri shqiptar gjatë aktivitetit.

Ky ka qenë edhe një motivim më tepër për Beqirin, i cili u dha përgjigjen me të mirë në ring: ‘Kjo gjë më bën më shumë të lumtur edhe më tepër krenar për rezultatin. Ata nuk na pëlqyen gjatë parakalimit në ceremoni, gjithashtu edhe gjatë momenteve të futjes në ring.

Por me paraqitjet në ring iu mbyll goja të gjithëve dhe kjo gjë më lumturoi edhe më shumë’, përfundoi Beqiri, i cili tronditi Beogradin me boksimim e tij, duke ngritur peshë të gjithë shqiptarët.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit