Albin Kurti fjalë të mëdha për Kadaren: Të nderojmë, sepse ti e ke nderuar Kosovën!

0
105

Kryetari i VV’së, Albin Kurti ka bërë një postim për shkrimtarin Ismail Kadare për ditëlindjen e tij.

Në një postim të gjatë, Kurti ka thënë ndër të tjera se Kadare ka luajtur një rol të madh që e vuri autoritetin dhe famën e vet prej shkrimtari të shquar në funksion të çlirimit të Kosovës dhe të ndaljes së politikave spastruese e diskriminuese ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

Postimi i plotë i Kurtit:

Një ndër personalitetet intelektuale të nivelit botëror, që e vuri autoritetin dhe famën e vet prej shkrimtari të shquar në funksion të çlirimit të Kosovës dhe të ndaljes së politikave spastruese e diskriminuese ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi, është Ismail Kadareja, i cili sot ka ditëlindjen. Shkrimtari mbush 85 vjet, dhe ne jemi të lumtur që e kemi e i urojmë një jetë të gjatë plot me krijimtari.

Diku në një intervistë ai thotë se letërsia nuk mund të zgjidhë problemet e kësaj bote, së paku jo pa reshtur së qeni e tillë. Dhe ajo e tija mbeti gjithnjë letërsi, por duhet thënë se ndikoi shumë në zgjidhjen e problemit tonë më të madh, dhe ne shqiptarët që kemi jetuar të shtypur nën Jugosllavi e Serbi, e sidomos ne shqiptarët e Kosovës, do t´i jemi gjithnjë mirënjohës.

Kadare ka shkruar shumë për Kosovën, në shumë vepra e në shumë zhanre. Por, një poezi e shkurtër e tij, me titullin «Kosova» (1966), përshkruan mallin e dëshirën e tij për pjesën e atdheut që ishte e ndaluar.

Në pamundësi të vizitonte dheun e Kosovës, Kadare përmallet teksa fluturon me aeroplan mbi këtë pjesë të vendit të tij.

Sheh piklat që rrjedhin prej krahëve të aeroplanit e bien poshtë drejt Kosovës, si lot atmosferikë, por as ato pikla nuk i prek dot, sepse edhe ato janë pjesë e jashtësisë së paarritshme, pjesë e Kosovës së ndaluar.

Një vëmendje e tillë e bëri Kadarenë të shkruajë për eleminimet e intelektualëve shqiptarë prej shërbimeve serbe në perëndim, për demonstratat e studentëve të Kosovës në ´81, dhe sigurisht, të hyjë në debat me shkrimtarë e intelektualë serbë që mbështesnin haptazi apo fshehurazi platformat si ajo e Çubrilloviçit, për zgjidhjen e çështjes shqiptare përmes spastrimit. Më pas ai zhvilloi edhe një bisedë në letërkëmbim me mendimtarin e madh të Kosovës, Ukshin Hotin.

Qasja e tij humaniste e bëri Kadarenë që kurrë të mos e pranojë, madje ta kritikojë atë bindjen «jeta ime vdekja jote», që shumë shpesh në Ballkan është aktualizuar prej fqinjëve në kurriz të shqiptarëve. Vepra e tij thërret për bashkëjetesë e për ndërprerje të pretendimeve për sundim e dominim mes popujve. I dalë prej shqiptarëve, Kadare nuk mund të mendonte ndryshe: ne kurrë nuk e kemi synuar sundimin apo spastrimin e të tjerëve.

Gjatë Luftës së Kosovës Kadareja vetëdijësoi një pjesë të rëndësishme të opinionit botëror mbi masakrat që po bënte ushtria serbe, dhe mbi domosdoshmërinë e ndërhyrjes ushtarake prej perëndimit. Librat «Ra ky mort e u pamë» dhe «Tre këngë zie për Kosovën» shënojnë atë moment të rëndësishëm për historinë tonë.

Gëzuar ditëlindjen Kadare, përpiqemi të të nderojmë sa mundemi, sepse ti e ke nderuar Kosovën!