-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Ambasadorja e Francës në Kosovë: S’ka viza pa përparuar në fushën e sundimit të ligjit

Rekomandime

Se Kosova duhet të bëjë përparim në fushën e sundimit të ligjit për të marrë dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave e thotë edhe ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel. Në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express, të parën që pas emërimit si ambasadore në Prishtinë, Butel ka folur edhe për çështjen e rifillimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, krijimin e qeverisë së re dhe gjithashtu për përplasjet që po ndodhin herë pas here mes Prishtinës dhe Beogradit

- Advertisement -

Gazeta Express: Parlamenti Evropian ka votuar me shumicë votash pro liberalizimit të vizave për Kosovën, duke konfirmuar se Kosova i ka plotësuar kushtet e vendosura nga Bashkimi Evropian. A mund të pritet që Kosovës t’i liberalizohen vizat së shpejti dhe cili do të jetë qëndrimi i Francës nëse çështja e procesit të liberalizimit do të hidhet në votim në Këshillin e Ministrave?

Marie-Christine Butel: Franca është vend partner i kamotshëm i Kosovës. Së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe shumë partnerë evropianë, ajo ishte një nga vendet e para që njohu pavarësinë e saj dhe që prej asaj kohe e ka mbështetur vazhdimisht. Çështja e liberalizimit të vizave për qëndrim të shkurtër në zonën Shengen bazohet në kritere teknike. Kjo nënkupton përmbushjen e një numri të kushteve, veçanërisht në lidhje me forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër aktiviteteve të krimit të organizuar.

Franca vlerëson, krahas shteteve të tjera anëtare, se disa nga këto kushte nuk janë përmbushur plotësisht nga Kosova; mbetet veçanërisht e vëmendshme ndaj zhvillimeve sa i përket shtetit të së drejtës dhe luftës kundër aktiviteteve të krimit të organizuar. Përparime të rëndësishme janë bërë në këtë fushë. Sidoqoftë, zbatimi i vazhdueshëm i reformave nga autoritetet kosovare është thelbësore në mënyrë që ligjet e miratuara për forcimin e sundimit të ligjit dhe drejtësisë, në veçanti, të mund të zbatohen në mënyrë të qëndrueshme dhe të pakthyeshme.

- Advertisement -

Siç e keni theksuar, Parlamenti Evropian dhe Komisioni evropian kanë dhënë një mendim të favorshëm për liberalizimin e vizave për Kosovën. Kjo temë mbetet në shqyrtim nga Këshilli i Bashkimit Evropian, i cili do ta trajtojë atë kur të përmbushen kushtet.

Gazeta Express: Si e shihni idenë për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë dhe a mendoni se marrëveshja përfundimtare mes dy shteteve duhet të arrihet në njohjen reciproke në kufijtë aktualë?

- Advertisement -

Marie-Christine Butel: I takon Kosovës dhe Serbisë që të përcaktojnë përmbajtjen e një marrëveshjeje dhe t’i marrin në konsideratë të gjitha opsionet që mund të çojnë në një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare të kësaj marrëveshjeje dhe për forcimin e stabilitetit të rajonit. Çështja e ndryshimit të kufijve është pritur me rezerva, veçanërisht në Kosovë. Për më tepër, edhe shumë tema të tjera do të duhej të trajtoheshin në kuadër të marrëveshjes vërtet gjithëpërfshirëse.

Gazeta Express: Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përfshirë direkt në një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë dhe kërkojnë marrëveshje sa më shpejt, a besoni se duhet ngutur dhe a ka afat për arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë?

Marie-Christine Butel: Ne inkurajojmë të dy palët të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme. Në këtë fazë, përparësi duhet t’i jepet rifillimit të dialogut, i ndërprerë për më shumë se një vit. Shpresojmë që për qeverinë e ardhshme të Kosovës rifillimi i dialogut dhe kërkimi i një marrëveshjeje me Serbinë do të jetë një prioritet.

Franca, në koordinim me Gjermaninë dhe Bashkimin Evropian, është e gatshme të lehtësojë rifillimin e dialogut. Sapo dialogu të rifillojë, ndërmjetësimi i BE-së gjithashtu mund të rifillojë për të mbështetur kërkimin e një zgjidhjeje për këtë mosmarrëveshje që paraqet një sfidë për sigurinë evropiane.

Gazeta Express: Çfarë s’do të pranonte Franca si pjesë të një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë?

Marie-Christine Butel: Siç ju thashë, vlerësojmë se i takon Kosovës dhe Serbisë të përcaktojnë përmbajtjen e një marrëveshjeje, e cila duhet të jetë gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht e detyrueshme dhe, natyrisht, e pranueshme si në Serbi ashtu edhe në Kosovë. Në këtë mënyrë, një marrëveshje e tillë do të kontribuonte në forcimin e stabilitetit rajonal.

Gazeta Express: Sundimi i ligjit, përkatësisht luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet sfidë për Kosovën. A mendoni se institucionet e drejtësisë në Kosovë kanë bërë sa duhet në fushën e sundimit të ligjit?

Marie-Christine Butel: Në muajt e fundit, disa ligje të rëndësishme janë miratuar në fushën e drejtësisë dhe një proces i hartimit të një strategjie të reformës në sektorin e drejtësisë është nisur nga Ministria e Drejtësisë me mbështetjen e Bashkimit evropian dhe bashkësisë ndërkombëtare. Kjo strategji synon në veçanti përmirësimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky është një përparim shumë pozitiv.

Ajo që ka rëndësi tani, dhe kjo është thelbësore për të rritur besimin e qytetarëve të Kosovës në institucione, është të keni rezultate konkrete që dëshmojnë se nuk ka kulturë të pandëshkueshmërisë, se pasuritë kriminale po konfiskohen në mënyrë efektive dhe që gjyqtarët dhe prokurorët punojnë në mënyrë të pavarur dhe transparente.

Gazeta Express: Albin Kurti, i mandatuar për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, ka deklaruar se së pari do të vendosë reciprocitet të plotë ndaj Serbisë e më pas do ta heqë taksën prej 100%. A mendoni se Kosova duhet ta heqë taksën ndaj Serbisë dhe ta zëvendësojë me reciprocitet?

Marie-Christine Butel: Për të krijuar kushtet për rifillimin e dialogut, është thelbësore që liderët kosovarë dhe serbë të shmangin zbatimin e masave dhe të deklaratave të asaj natyre që rrisin tensionet nga të dyja palët. Kjo është arsyeja pse Franca, me partnerët e saj kryesorë për këtë çështje, u ka kërkuar autoriteteve kosovare të pezullojnë taksën 100%, dhe autoriteteve serbe të pezullojnë fushatën e tyre të çnjohjeve të Kosovës.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit