16.1 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Analiza e POLITICO-s: Serbia shkaktarja e problemeve në Ballkan, konflikti s’është i paimagjinueshëm

Rekomandime

Ndërkohë që bisedimet për zgjerimin e BE-së aktualisht kanë ngecur, autoritetet serbe po mbështesin aktivisht destabilizimin e Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës dhe Malit të Zi, duke kërcënuar sovranitetin dhe integritetin e tyre territorial, thuhet në një analizë për situatën në Ballkanin Perëndimor nga mediumi amerikan, Politico.

Aty thuhet se Serbia nuk është më aleate për zgjidhjen e problemeve në Ballkanin Perëndimor, por ajo shkaktarja kryesore e tyre dhe theksohet se është koha që BE-ja dhe NATO të veprojnë së bashku në rajon.

- Advertisement -

“Së bashku me ndërhyrjen ruse, ndarjet në BE dhe dobësitë e NATO-s, kjo është dëshmuar të jetë një përzierje vdekjeprurëse”, thuhet në këtë analizë.

Teksti, i shkruar nga Arminka Helic dhe Anthony Mangnall, me titullin “Duhet të flasim për Ballkanin Perëndimor”, paralajmëron se përparimi i rajonit në fillim të viteve 2000 tani po zhbëhet, duke u lënë vend atyre që po shkaktojnë probleme.

“Ka ardhur koha që NATO dhe BE-ja të punojnë së bashku dhe të ndërmarrin hapa për ta ndalur rënien e progresit dhe për ta mbrojtur përparimin që është bërë”, thuhet në tekst.

- Advertisement -

Autorët kujtojnë zhvillimet e fundit në rajon që kulmuan me vendosjen e automjeteve të blinduara dhe avionëve luftarakë nga Serbia në kufirin me Kosovën, ndërsa politikanët separatistë mes serbëve të Bosnjës “të cilët janë politikisht dhe financiarisht të varur nga Serbia” tërhiqen në mënyrë të njëanshme nga institucionet shtetërore të krijuara nga Marrëveshja e Dejtonit.

Në të njëjtën kohë, shtohet se po kryejnë ushtrime speciale policore duke demonstruar forcë. Në Mal të Zi, shtojnë ata, Beogradi po nxit ndarje fetare, duke kontribuar kështu në një klimë politike gjithnjë e më toksike që ka ngritur çështje të orientimit të politikës së jashtme, përkatësisë etnike dhe fetare.

- Advertisement -

Të gjitha këto lëvizje destabilizuese mbështeten më tej nga koncepti i “botës serbe” – një ide që autorët paralajmërojnë se “ngjan në mënyrë alarmante me idenë e “Serbisë së Madhe” të Sllobodan Millosheviqit”, dhe që mbështetet hapur nga ministri i brendshëm serb Aleksandar Vulin.

Politico thekson se, megjithatë, situata tani është përkeqësuar më tej nga një sërë faktorësh të tjerë, ndër të cilët më i spikaturi është përfshirja aktive e Rusisë.

“Kremlini mbështeti përpjekjen për grusht shteti në Mal të Zi në vitin 2016 dhe vazhdon ta ndalojë Kosovën nga njohja e plotë ndërkombëtare në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ai gjithashtu mbështet paraushtarakët dhe bën kërcënime të hapura në përgjigje të çdo propozimi të Bosnjë e Hercegovinës për t’u anëtarësuar në NATO, duke kërkuar ta minojë Përfaqësuesin e Lartë i cili është përgjegjës për monitorimin e progresit të Marrëveshjes së Dejtonit dhe mbështetjen e secesionistëve dhe nacionalistëve në të gjithë rajonin.”

Një faktor tjetër i rëndësishëm është përçarja e Bashkimit Evropian, i cili “nuk është në gjendje ta përballojë sfidën e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në Ballkan”, dhe disa nga liderët e tij, si kryeministri hungarez Viktor Orban, po propozojnë një platformë për “të rrezikshme islamofobike dhe antiboshnjake”.

Nga ana tjetër, perceptimi pas tërheqjes kaotike të SHBA-së nga Afganistani është se NATO është e pafuqishme dhe se tani është një moment i mirë për ta sfiduar pozicionin e aleancës në rajon.

Autorët e analizës këmbëngulin se tani është momenti kyç për veprim të përbashkët.

“Politika perëndimore duhet të marrë parasysh se krizat dhe tensionet në Bosnje e Hercegovinë, Kosovë dhe Mal të Zi janë të gjitha të ndërlidhura dhe se mbështetja në Serbinë si një shtyllë stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është, për fat të keq, politikë e gabuar. Serbia nuk është më aleate në zgjidhjen e problemeve politike në Ballkan; është më shumë shkaktarja kryesore e këtyre problemeve”, theksohet në tekst, transmeton Express.

Për më tepër, NATO duhet të sigurojë që prania e saj në rajon të jetë mjaft e rëndësishme dhe që të veprojë si pengesë ndaj dhunës, e cila do të nënkuptojë kryesisht një rritje të numrit të trupave.

“Forca stabilizuese e EUFOR-it në Bosnjë e Hercegovinë ka vetëm rreth 700 anëtarë, një kontigjent modest që nuk ka gjasa të përballojë paqëndrueshmëri të konsiderueshme. Kosova gjithashtu duhet të pranohet në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s së bashku me Bosnjë-Hercegovinën dhe në NATO sa më shpejt të jetë e mundur.”

Dhe së fundi, theksojnë ata, BE-ja duhet të zgjohet dhe t’u përgjigjet kërcënimeve në kufijtë e saj të jashtëm, sepse fjalët e sjellshme nuk çojnë askund.

“Një përgjigje e fortë e mbështetur nga kërcënimi i sanksioneve është mesazhi i vetëm që do të kalojë. Kërcënimet e dhunës, nacionalizmit etnik dhe mohimit të gjenocidit duhet të përballen me dënim të qartë dhe të shpejtë, jo me heshtje të zakonshme të turpshme të BE-së”, theksohet në këtë analizë.

Autorët arrijnë në përfundimin se konflikti në rajon në këtë pikë nuk është më diçka e paimagjinueshme.

“Nëse nuk veprojmë, është thjesht çështje kohe. Rusia e di këtë dhe po teston qëllimisht vendosmërinë dhe aftësitë e NATO-s. Nëse NATO dhe BE-ja nuk janë në gjendje ta mbrojnë stabilitetin në Ballkan – i cili nuk është prapa por para dyerve të tyre – atëherë ka pak mundësi që ata ta bëjnë këtë diku tjetër.”

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit