Të paktën 11 persona janë arrestuar në Turqi për shkak të postimeve në rrjetet sociale të cilat dyshohet se kanë ofenduar të bijën e presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe dhëndrin e tij, pasi ata nëpërmjet Twitter njoftuan për lindjen e fëmijës së tyre të katërt.
Erdogan u zotua të shtrëngojë kontrollin e qeverisë turke ndaj mediave sociale pas cicërimave drejtuar familjes së tij.
Ai tha se qeveria planifikon legjislacion që do t’i detyrojë kompanitë e mediave sociale për prani ligjore në Turqi, në mënyrë që të mbajnë përgjegjësi financiare dhe tu përgjigjen gjykatave turke.
“A e shihni tani se pse ne kundërshtojmë mediat sociale si YouTube, Twitter, Netflix e të ngjashme?”, u tha Erdogan anëtarëve të partisë së tij në një adresim televiziv, duke iu referuar cicërimave që thuhet se i ofenduan familjen.
“Është i domosdoshëm kontrollimi i kanaleve të tilla”, tha ai.
Shumë turq, përfshirë politikanë opozitarë kundërshtuan fyerjet në adresë të familjes së Erdogan, shumë prej të cilave thuhet se vunë në dyshim atësinë e fëmijës së posalindur.
Megjithatë, komentet e Erdogan nxitën lëvizjen “MosMiPrekRrjetetSociale” në gjuhën turke.
Mijëra faqe në internet tashmë janë të bllokuara në Turqi. Në të kaluarën qeveria turke kishte ndaluar TouTube dhe Twitter në këtë vend.