2.7 C
Pristina
Monday, December 16, 2024

As 11 milionë euro s’e nxjerrin nga burgu ish-drejtorin e Policisë Sekrete

Rekomandime

Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut, të enjten më 23 dhjetor, ka nisur debatin lidhur me vendimin e ditës së mërkurë, të Gjykatës së Apelit për lirimin nga paraburgimi të ish-drejtorit të Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov.

Këshilli do të deklarohet nëse dikush do të kërkojë përgjegjësi lidhur me vendimin e Apelit, ndërsa këtë mund ta bëjë edhe ndonjëri nga anëtarët e tij, apo ndonjë institucion tjetër dhe pas vlerësimit të rrethanave do të dalë me qëndrimin nëse janë bërë ose jo shkelje gjatë miratimit të vendimit.

- Advertisement -

Gjykata e Apelit vendimin për lirimin nga paraburgimi të Mijallkovit e mori pasi ish-drejtori i Policisë Sekrete kishte ofruar 11 milionë euro garanci se nuk do të arratiset deri në përfundimin e proceseve gjyqësore kundër tij.

Ky vendim nxiti reagime të shumta, përfshirë edhe Ministrinë e Drejtësisë.

“Vendimi i Gjykatës së Apelit ul besimin e qytetarëve në gjykata. Mijallkov ishte person me rrezik potencial për arratisje. Gjykatësit që morën vendimin duhet t’i japin llogari opinionit se në çfarë baze kanë sjellë një vendim të tillë dhe në cilën formë do ta marrin përgjegjësinë në rast se Mijallkov arratiset”, thuhet në reagimin e ministrit të Drejtësisë, Bojan Mariçiq.

- Advertisement -

Mijallkov, familjar dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, që është arratisur në Hungari, është dënuar për tri vepra penale, me nga 12, 8 dhe 3 vjet burgim.

Më 8 mars 2019, Sasho Mijallkov u dënua me 3 vjet burgim për rastin “Titanik 2”, prishjen e rezultatit zgjedhor në bashkëpunim me një anëtar të Komisionit Shtetëror Zgjedhor.

- Advertisement -

Më 26 shkurt 2021, Gjykata Penale e Shkupit, e dënoi ish-kreun e Policisë Sekrete me 12 vjet burgim për veprën penale “Bashkim kriminal”, “Përgjime të paligjshme” dhe “Shkatërrim të pajisjeve për përgjim”.

Saho Mijallkov, dënimin e fundit e mori më 13 prill 2021, kur u dënua me 8 vjet burgim për rastin e njohur, “Trezor”, konkretisht për shpërdorim të 780.000 eurove për blerjen e pajisjeve për përgjim.

Kundër tij, aktualisht po zhvillohet edhe një proces gjyqësor për blerjen e disa parcelave në një zonë të Shkupit, ky si i dyshuar paraqitet edhe Mijallkovi.

Pikërisht ky proces gjyqësor, parandaloi daljen e Mijallkovit nga paraburgimi, pasi trupi gjykues për këtë rast, më pak se një orë pas miratimit të vendimit të Gjykatës së Apelit për lirimin e tij, vendosi masën e arrestit prej 30 ditësh. Kjo bëri që Mijallkov të mos dalë nga paraburgimi.

Por, vendimi i Gjykatës së Apelit vazhdon të kritikohet, ndërsa kërkohet edhe përgjegjësi nga gjykatësit, pasi edhe në dy raste tjera, Mijallkov kishte ofruar garanci prej mbi 10 milionë eurosh, por kërkesa e tij ishte refuzuar.

“I gjithë opinioni maqedonas ishte dëshmitar i një goditjeje të fortë ndaj drejtësisë nga gjyqtarët e Gjykatës së Apelit në Shkup. Presim që gjykatësit që morën një vendim të tillë, të dalin publikisht dhe të thonë se si është e mundur të lirojnë dikë që është i dënuar me gati 20 vjet burgim për vepra të ndryshme penale”, ka deklaruar zëdhënësja e LSDM-së-së, Bogdanka Kuzeska.

Ndërkohë, VMRO DPMNE-ja, vendimin për lirimin e Sasho Mijallkovit dhe reagimin e LSDM-së, i quajti “teatër të lirë”, për nevoja të politikës ditore.

“Ky nuk është gjë vjetër, pos një teatër i lirë nga ata që drejtojnë gjyqësorin. Se ku ndodhet gjyqësori flet raporti i Transparency International për perceptimin e korrupsionit dhe krimit duke e renditur Maqedoninë e Veriut në vendin e 111-të. Teatro të tillë të lirë do të shohim gjithmonë kur LSDM-ja, Zoran Zaev apo njerëzit në kryesinë e LSDM-së, kanë nevojë për diçka të tillë”, vlerëson VMRO DPMNE-ja.

Aleanca për Shqiptarët thotë se vendimi i Gjykatës së Apelit për lirimin nga paraburgimi të ish-kreut të Policisë Sekrete, demaskon, sipas saj, “pohimet e rrejshme të pushtetit për sundimin e ligjit dhe integrimin evropian të vendit”.

“Regjimi Ahmeti-Mijallkov-Zaev vazhdon me faljen e kriminelëve, duke iu përgjigjur në formën më arrogante të mundshme qytetarëve që kundërshtojnë krimet e tyre…. Ky rast edhe njëherë demaskoi agjendën mashtruese euro-integruese të këtij regjimi dhe legjitimoi vlerësimet tona se ky regjim duhet të bjerë një ditë e më parë. Të gjithë ata që ia zgjatën jetën këtij regjimi sot u pa se kanë kontribuar që të arrihet deri te falja e kriminelëve”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.

Bashkim Selmani, profesor në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës, thotë se vendimi i Gjykatës së Apelit, dëshmon se Gjyqësori në Maqedoninë e Veriut është i korruptuar.

“Në Maqedoninë e Veriut ka fituar krimi i organizuar, por jo edhe e drejta dhe drejtësia, d.m.th. të mërkurën Gjykata e Apelit vendosi të lironte nga paraburgimi arkitektin e krimit në vend. Kjo nxori në pah metastazën e krimit të organizuar këtu. Mënyra se si zhvillohen të gjitha procedurat, qoftë ato në fazën parahetimore, hetimore, apo edhe ato që janë në fazën e miratimit të vendimeve gjyqësore, nuk kanë të bëjnë me drejtësinë, por vetëm me krimin e metastazës që ka përfshirë drejtësinë”, thotë Selmani.

Puna e Gjyqësorit është kritikuar të mërkurën edhe nga presidenti Stevo Pendarovski, në fjalimin vjetor në Kuvend. Sipas tij, sundimi i ligjit, duhet të jetë prioriteti kryesor i një vendi që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Është zhgënjyes fakti se të gjitha sondazhet e opinionit publik dëshmojnë ndjenjën në rritje të qytetarëve se në vend mbretëron një kulturë e mosndëshkimit”, ka deklaruar Pendarovski.

Maqedonia e Veriut në të gjitha raportet e institucioneve ndërkombëtare lidhur me sistemin e drejtësisë, është kritikuar për mungesë të gjyqësisë së pavarur dhe efikase.

Një përpjekje për ngritjen e Gjyqësorit kishte në vitin 2016 kur u formua Prokuroria Speciale, por edhe puna e saj dështoi meqë drejtuesja e kësaj prokurorie, Katica Janeva, më 18 qershor 2020 u dënua me 7 vjet burgim për shpërdorim të detyrës. Gjykimi i Janevës çoi në shuarjen e Prokurorisë Speciale.

Drejtuesit e Qeverisë kishin premtuar edhe vettingun në gjyqësor, por deri më tani nuk ka pasur asnjë veprim konkret për realizimin e këtij premtimi që synonte kontrolle, jo vetëm në gjyqësor, por edhe në sfera tjera. /REL

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit