Avdullah Hoti pranoi t’i vërë bazat e Asociacionit të komunave serbe, por u tërheq pasi u denoncua nga Thaqi

0
339

Qeveria Hoti kishte planifikuar t’i vërë bazat e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, para dy muajve.

Por ishte zmbrapsur pas denoncimit publik të ish-presidentit Thaçi. Ndryshe prej deklarimeve publike, kryeministri Hoti ishte pajtuar që Asociacioni të negociohej me palën serbe në Bruksel.

Burime të KOHËS brenda Qeverisë kanë thënë se negociatat ishte caktuar të fillonin në shtator.

Për këtë punë Hoti kishte caktuar edhe një ekip me zyrtarë qeveritarë dhe ekspertë të jashtëm. Atyre do t’u printe koordinatori i Qeverisë për dialogun, Skënder Hyseni.

Por dy ditë para nisjes Hyseni e kishte shtyrë takimin për kohë të pacaktuar.

Negociatat është dashur të fillojnë në muajin shtator.

Përveç kryenegociatorit ka qenë në plan të udhëtojnë edhe përfaqësues të tjerë të Qeverisë dhe ekspertë të jashtëm.

Por ndërkohë zyra e kryenegociatorit e ka shtyrë takimin në kohë të pacaktuar.

Prej atëherë s’ka pasur veprime institucionale nga ana e Qeveris rreth kësaj çështjeje”, ka thënë burimi.

Shtyrja ndodhi pasi Thaçi e denoncoi publikisht Hotin për angazhimet e tij rreth Asociacionit. Qeveria është munduar ta mbajë fshehtë këtë fakt.

KOHA ka provuar të marrë një qëndrim prej Hysenit të dielën për arsyet e anulimit, por nuk është përgjigjur.

Ndryshe prej zyrtarëve qeveritarë, ata të Bashkimit Evropian kanë thënë se drafti i Asociacionit duhet të negociohet nën lehtësimin e tyre.

Zëdhënësi për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë në BE ka rikujtuar se ky obligim për Kosovën derivon nga marrëveshjet ndërkombëtare.

Kosova ka nënshkruar një marrëveshje ndërkombëtare për krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave serbe.

U mbetet Beogradit dhe Prishtinës të negociojnë statutin e tij, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Për hollësitë e tjera në lidhje me mënyrën se si ata dëshirojnë të veprojnë me këtë çështje, do të ishte më e përshtatshme t’i pyesni autoritetet e Kosovës”, ka theksuar Stano për KOHËN.

Anulimi i takimit pas thirrjeve të Thaçit që të ndalet Hoti

Takimi i planifikuar për 28 shtator ishte anuluar dhe si arsye ishte përmendur pandemia me koronavirusin. Por deri atëherë kjo nuk kishte paraqitur problem që palët t’i realizonin disa takime nën ndërmjetësimin e përfaqësuesit special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ato u shfaqën kur në rend dite erdhi Asociacioni.

Emisari Lajçak, por edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, kanë thënë se pala kosovare duhet t’i propozojë modalitetet e këtij mekanizmi. Por nuk kanë treguar rrugën që duhet të ndiqet e as nëse do të shtrohet për diskutim me palën serbe.

Zyrtarisht kryeministri Hoti ka përjashtuar mundësinë që Asociacioni të shtrohet në tavolinën e negociatave, duke thënë se Kosova do ta përmbushë këtë zotim duke pasur udhërrëfyes marrëveshjet e nënshkruara më herët dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Hotit, dialogu zhvillohet vetëm për njohjen reciproke, por kryeministri asnjëherë nuk ka treguar se kur ajo do të jetë në rend dite. As në BE nuk kanë pranuar të komentojnë rreth kësaj çështjeje.

Ne nuk i komentojmë proceset që po vazhdojnë në kuadër të dialogut.

Jemi përqendruar t’i ndihmojmë Kosovën dhe Serbinë për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila do t’i adresojë të gjitha çështjet e pazgjidhura mes tyre, në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe legjislacionin e BE-së”, ka thënë Stano.

Partneri i LDK-së në Qeveri, AAK-ja dhe subjektet opozitare kanë kundërshtuar çfarëdo negociatash shtesë për Asociacionin.

Zërave kundër u ishte bashkuar edhe ish-presidenti Hashim Thaçi, ani pse është nënshkrues i Marrëveshjes së 19 prillit të vitit 2013, e cila në gjashtë pikat e saj flet për themelimin e këtij mekanizmi. Thaçi, po ashtu, ishte zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm kur në vitin 2015 kishte qenë afër ish-kryeministrit Isa Mustafa, teksa vinte firmën mbi marrëveshjen e parimeve për themelimin e Asociacionit.

Por më 16 shtator, Thaçi i kishte kërkuar Kuvendit që urgjentisht ta miratojë një rezolutë për t’ia ndaluar Hotit të diskutojë për Asociacionin.

Hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës. Është goditje ndaj shtetësisë dhe cenim i sovranitetit të shtetit tonë.

Këto tema janë adresuar dhe zgjidhur në kuadër të Pakos së Ahtisaarit, e cila i parapriu shpalljes së pavarësisë, por edhe në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit në prillin të vitit 2013 dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Prandaj, askush nuk ka mandat që të bisedojë në emër të Kosovës për tema të mbyllura, në Bruksel apo kudo qoftë”, kishte deklaruar Thaçi.

Rezoluta nuk ishte miratuar, as Hoti nuk e lejoi ekipin të shkonte në Bruksel.

Politologu Belul Beqaj në një intervistë për “Kohën Ditore” ka theksuar se Qeveria nuk do të mund t’i shmanget kësaj çështjeje.

Mendoj se ky obligim nuk është mirë të shmanget as nga Qeveria e ardhshme. Në mesin e disa marrëveshjeve të dëmshme të trashëguara nga pushtetet e kaluara është edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Besoj se palët duhet të pajtohen që Asociacioni të funksionalizohet sipas nevojave specifike- kulturore, arsimore, shëndetësore, ekonomike dhe hapësinore që reflektojnë interesat e identitetit të komunitetit serb”, ka theksuar Beqaj.

Angazhimet dhe kundërthëniet rreth Asociacionit

Pavarësisht konstatimit të shkeljeve në të shtatë kapitujt e Marrëveshjes nga Gjykata Kushtetuese, angazhimet rreth themelimit të Asociacionit i patën rinisur ish-Qeveria Mustafa dhe ajo që udhëhiqej nga Haradinaj.

Patën themeluar Ekipin Menaxhues për draftimin e Statutit, në përbërjen e të cilit të gjithë kanë qenë serbë.

Pas dorëzimit të draftit asnjëherë nuk ishte zbardhur përmbajtja e tij.

Qeveria njëherë ia pati kthyer Ekipit Menaxhues për t’i bërë përmirësimet e nevojshme dhe përkthimin nga gjuha shqipe, pasi ai ishte dorëzuar vetëm në cirilikë.

Afati i fundit për ta dërguar Statutin në Bruksel ka qenë 4 gushti i vitit 2018. Por Qeveria e as BE-ja nuk kanë treguar asnjëherë se çfarë ka ndodhur me këtë dokument.

Krahas Ekipit Menaxhues, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, e ish- kryeministri Ramush Haradinaj patën përmendur krijimin e një grupi punues të gjerë institucional, i cili do të bashkëpunojë me Ekipin Menaxhues dhe me Misionin e OSBE-së në Kosovë. Por këto grupe nuk janë aktivizuar asnjëherë.

Në takimet e zhvilluara në terren me palët e ndryshme të interesit në zonat e populluara me shumicë serbe, Ekipi Menaxhues pati shprehur përcaktimin që kompetencat e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe të mbesin ashtu siç janë përcaktuar në Marrëveshjen e parë të Brukselit, duke anashkaluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Serbët kanë shprehur synimin për kompetenca ekzekutive të cilat iu mundësojnë mbikëqyrje të plotë në fushën e zhvillimit ekonomik, arsimor e hapësinor.

Pretendime për t’i futur nën autoritetin e Asociacionit/Bashkësisë ka edhe ndaj dy resurseve kryesore të Kosovës- Liqenin e Ujmanit dhe “Trepçën”.

Pika më kundërthënëse rreth Asociacionit në Marrëveshjen e 19 prillit të vitit 2013 konsiderohet e pesta, e cila specifikon se ky mekanizëm do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore.

Ndërkaq në marrëveshjen e vitit 2015 specifikohet që kjo pikë të diskutohet sërish një vit pasi të hartohet statuti i Asociacionit.

Ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës dhe i Kushtetutës të Serbisë në funksion të akomodimit të marrëveshjes përfundimtare ligjërisht të detyrueshme, ku përfshihet edhe Asociacioni është një nga opsionet e përmendura në kuadër të dialogut në Bruksel.

Por reagime të forta kishte nxitur në Kosovë deklarata e emisarit Lajçak se Kosova duhet ta ndryshojë Kushtetutën për llogari të Asociacionit.

Më pas, Zyra e Lajçakut u sqarua duke thënë se marrëveshjet ndërkombëtare implikojnë për të dyja vendet ndryshime ligjore dhe kushtetuese.