0.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Bashkëpunëtori i Veselinoviqit ka fituar 5.6 milionë euro tenderë nga Qeveria e Kosovës

Rekomandime

Nga gushti i vitit 2018 e deri në shtator të vitit 2021, kompania “RAD”, e regjistruar me dy adresa të ndryshme, në pronësi të biznesmenit serb, Radulla Steviq nga veriu i Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – ka fituar gjithsej 61 tenderë në vlerë prej 5.6 milionë euro. Këto projekte janë financuar nga buxheti i Qeverisë së Kosovës.

Pronari i kompanive P.T.P. “RAD” dhe “RAD” D.O.O, Radulla Steviq është një ndër personat që u futën në listën e sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

- Advertisement -

Ndryshe, komunat në veri të Kosovës udhëhiqen nga kryetarë që vijnë nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve të Kosovës, e cila u formua më 2013 me mbështetjen e Beogradit dhe presidentit aktual të Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Kompanitë P.T.P. “RAD” dhe “RAD” D.O.O. që në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës figurojnë në emrin e Steviqit, kanë fituar tenderë nga institucionet e Kosovës për një sërë projektesh, duke filluar nga ato infrastrukturore në komunat në veri, ndërtimi i banesave sociale, i çerdheve, renovimi i shkollave, furnizimi me pajisje të teknologjisë informative, furnizimi me materiale ndërtimore, furnizimi me mobilie e deri te prodhimi i pajisjeve të trafikut dhe sinjalizimit.

Tenderi me shumën më të madhe që ka fituar Steviq është për rindërtimin e infrastrukturës rrugore të pjesës së rrugës “Kralja Petra I” në Mitrovicën e Veriut në vlerë prej 699,902 euro. Ky tender iu dha më 14 korrik të vitit 2020 nga Komuna e Mitrovicës së Veriut.

- Advertisement -

Më 17 qershor të vitit 2020, Steviq fitoi tender në vlerë prej 389,906 euro për ndërtimi i qendrës rinore në Zveçan, tender i dhënë nga Kuvendi Komunal i Zveçanit.

Për rikonstruktimin dhe zgjerimin e ndërtesës së administratës komunale në Leposaviq, njëra nga kompanitë e Steviqit fitoi tender në vlerë prej 345,702 euro. Këtë tender të Kuvendit Komunal të Leposaviqit, kompania e Steviqit e kishte fituar më 23 gusht të vitit 2018.

- Advertisement -

Ndërkaq, më 7 maj të vitit 2018, Steviq kishte fituar tender në vlerë prej 329,965 euro për rindërtimin e trotuareve të rrugës “Ivo Lola Ribar” në Mitrovicën e Veriut, tender i ndarë nga kjo komunë.

Ndërkaq, për ndërtimin e sallës së sporteve në Mitrovicën e Veriut, kompania e Steviqit fitoi 325,351 euro. Ky tender iu dha nga Komuna e Mitrovicës së Veriut më 4 dhjetor të vitit 2018.

Steviq kishte fituar tenderin edhe për ndërtimin e stacionit të zjarrfikësve në Mitrovicën e Veriut në vlerë prej mbi 183,000 euro.

Përveç projekteve infrastrukturore, kompania e Steviq kishte marrë tender edhe për prokurimin e mobilieve për Komunën e Leposaviqit në vlerë prej 180,910 euro.

Ndërkaq, Komuna e Graçanicës zgjodhi kompaninë e Steviqit për ndërtimin edhe të banesave sociale, tender ky në vlerë prej 141,689 euro.

Përveç projekteve infrastrukturore, Steviq ka fituar tender edhe për prodhimin e kontejnerëve metalikë në Komunën e Leposaviqit në vlerë prej 55,900 euro.

Tenderi i fundit që Steviq ka fituar mban datën e 16 shtatorit të vitit 2021. Ai e fitoi këtë tender nga Kuvendi Komunal i Zveçanit në vlerë prej 46,830 euro për punimet shtesë në rindërtimin dhe zgjerimin e rrjetit të kanalizimit në Zveçan.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit