3.1 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

BE-ja, e shqetësuar për një përshkallëzim tensionesh në Ballkan

Rekomandime

Shqetësimet në Bruksel për mundësinë e përshkallëzimit të tensioneve në Ballkanin Perëndimor janë serioze, thonë burimet në selinë e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.

- Advertisement -

Në këto dy organizata thonë se për një kohë të gjatë kanë qenë të vetëdijshëm për tentimet e Rusisë që ta destabilizojë rajonin e Ballkanit Perëndimor, me qëllim që të pengojë stabilitetin afatgjatë dhe perspektivën euroatlantike të rajonit.

Këto shqetësime, gjatë kësaj jave i ka shprehur edhe Parlamenti Evropian në një rezolutë që miratoi për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës.

Deri më tani, sipas burimeve diplomatike në BE, Rusia ka investuar shumë në rajon në fushata të dezinformimit, sidomos në mediat në gjuhën serbe, por edhe në lidhje me organizatat politike në disa vende të Ballkanit Perëndimor. Po të njëjtat burime pohojnë se në Bruksel “janë të vetëdijshëm për këto tentime dhe kanë ndërmarrë masa për bashkëpunim me partnerët tanë në rajon”.

- Advertisement -

“Në këto kontakte u kemi thënë të gjithë partnerëve që të jenë maksimalisht vigjilentë dhe të mos bëjnë veprime të cilat mund të rrisin tensionet. Nga të gjithë partnerët kemi dëgjuar se ata janë të vetëdijshëm për rrethanat dhe do të bëjnë maksimumin për të mos lejuar përshkallëzimin e situatës”, thotë një burim diplomatik.

Burimet në BE dhe NATO thonë se një dozë më e madhe shqetësimi ekziston për situatën në Bosnje e Hercegovinë sesa në Kosovë. Por, edhe në rastin e Kosovës thonë se me kujdes po vëzhgojnë situatën, e cila në këtë moment është e qetë.

- Advertisement -

Lufta në Ukrainë rrit vigjilencën në Kosovë
Vuçiq: “Rreziku” i anëtarësimit të Kosovës në NATO nuk është naiv
Para disa ditësh, kur nisi agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, në NATO siguruan se trupat e Aleancës dhe të partnerëve që janë në misionin e KFOR-it në Kosovë, do të vazhdojnë të kryejnë punën e tyre për të siguruar të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Politika e NATO-s në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor ka qenë konsistente gjatë tërë kohës. Kjo është edhe tani. NATO mbetet tërësisht e përkushtuar që të vazhdojë të luajë rolin e vet në mbështetje të sigurisë afatgjate në Ballkanin Perëndimor”, thotë një zyrtar i NATO-s në pyetjen nëse Aleanca do të rrisë praninë e saj në rajon për të parandaluar ndonjë destabilizim të mundshëm për shkak të luftës në Ukrainë.

Ellis: Ukraina ka nevojë për mbrojtje kolektive ushtarake

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka afër 4,000 trupa të stacionuara. Numri më i madh i ushtarëve janë nga Shtetet e Bashkuara dhe Italia.

Shqetësim për situatën në Bosnje e Hercegovinë kanë shprehur edhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha shefi për politikë të jashtme i BE-së, Josep Borrell.

NATO në Bosnje e Hercegovinë ka prani të kufizuar ushtarake dhe ka një seli në Sarajevë që po ashtu ka detyra të kufizuara. Trupat e Aleancës mbështesin forcat ushtarake në Bosnje e Hercegovinë për reforma dhe modernizim, sipas prioriteteve të vendosura në Partneritetin për Paqe. Bosnje e Hercegovina bën pjesë në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s dhe ka shprehur aspiratat që të bëhet anëtare. Por, ky proces nuk ka avancuar për shkak të problemeve të brendshme politike.

Ndërkaq, BE-ja ka në Bosnje e Hercegovinë një mision ushtarak, EUFOR, që është i gatshëm të ndihmojë në ruajtjen e stabilitetit në këtë shtet.

Siç ka bërë të ditur përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, EUFOR-i ka vendosur që të dërgojë në këtë shtet 500 trupa shtesë, që deri më tani ishin në gjendje gatishmërie jashtë Bosnje e Hercegovinës, si forca rezervë.

“Përshkallëzimi i situatës ndërkombëtare të sigurisë ka potencial që të nxisë jostabilitet në Bosnje e Hercegovinë. Dërgimi i këtyre forcave është një masë parandaluese për të rritur stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës”, thuhej në deklaratën e EUFOR-it kur u njoftua për dërgimin e trupave shtesë.

Edhe pse situata në Bosnje e Hercegovinë – shtet ku jetojnë tri etni: boshnjakët, kroatët dhe serbët – si dhe raportet midis Kosovës dhe Serbisë, janë tema që aktualisht tërheqin vëmendjen më të madhe të Brukselit, shqetësime ka edhe për situatën në Mal të Zi, edhe pse ky shtet është anëtar i NATO-s.

BE-ja është në kontakt të vazhdueshëm edhe me përfaqësuesit diplomatikë të vendeve të rajonit që janë në Bruksel. Nga ta, blloku evropian kërkon që të mbështesin sanksionet kundër Rusisë dhe Bjellorusisë si dhe qëndrimet e tjera të politikës së jashtme dhe sigurisë së BE-së.

Burimet në BE thonë se mirëpresin mbështetjen që nga marrë nga të gjitha vendet e Ballkanit për sanksionet kundër Rusisë, me përjashtim të Serbisë. Kjo e fundit ka refuzuar që të vendosë sanksione ndaj Moskës, me të cilën ka raporte të ngushta.

Por, edhe në rastin e Serbisë, nga blloku evropian thonë se “votimi i saj në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për rezolutën që dënon agresionin rus ndaj Ukrainës është sinjal në drejtimin e duhur”.

“Rajoni i Ballkanit ka vuajtur shumë në të kaluarën dhe besojmë se e dinë tepër mirë se çfarë tragjedie sjell lufta. Prandaj, presim që rajoni të mbetet i qetë dhe stabil, e nga ana jonë ne do të bëjmë çmos që të ruhet stabiliteti”, thotë për Radion Evropa e Lirë një diplomat i BE-së.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se kanë ndërmarrë një sërë masash të sigurisë, pas shpërthimit të luftës në Ukrainë.

Forcat e Sigurisë së Kosovës së bashku me KFOR-in është thënë se janë të angazhuara në ruajtjen e sigurisë në gjithë territorin e Kosovës, e sidomos në veriun e banuar me shumicë serbe, ku gjendja e sigurisë është e brishtë./REL

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit