Monday, July 22, 2024

Beqiri tregon nëse do të merret sot vendim për mandatarin për kryeministër dhe për koalicionin me VV-në

- Advertisement -
- Advertisement -

Zgjedhjet e parakohshme pritet të mbahen në fund të muajit shtator apo në fillim të muajit tetor. Kjo pasi që dje me shumicë votash është vendosur shpërndarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjë që e obligon presidentin e Republikës së Kosovës që në një periudhë prej 45 ditësh të caktojë datën e zgjedhjeve të parakohshme.

Derisa partitë tjera politike tashmë kanë bërë koalicione parazgjedhore dhe kanë shpallur kandidaturat e tyre për postin e kryeministrit, me LDK-në e Isa Mustafës ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë, duke qenë se ende nuk është përcaktuar as për koalicion e as për atë se kush do të jetë kandidat i kësaj partie për kryeministër.

- Advertisement -

Një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë as sot në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së që fillon në orën 17 e 30, e nga ku do të caktohet vetëm Kryesia e re e LDK-së.

Këtë për Gazetën Express e ka konfirmuar zyrtari i kësaj partie, Ismet Beqiri, i cili ka thënë se nuk e di me saktësi nëse do të diskutohet për çështjen e mandatarit dhe për punën e një koalicioni të mundshëm parazgjedhor.

“Sot në rend të ditës janë dy pika. Është informimi, gjegjësisht analiza e shkurtër që do ta kenë anëtarët e Këshillit për zgjedhjet e fundit lokale dhe nacionale dhe perceptimi për LDK-në aktuale dhe do të jetë pika e dytë, zgjedhja e Kryesisë së re si organ ekzekutiv”, ka thënë Beqiri për Express.

- Advertisement -

Ai thotë se LDK-ja parimisht dëshiron të shkojë e vetme në zgjedhje, ndërkohë shprehet se nga takimi i sotëm i strukturave të LDK-së nuk do të merret ndonjë vendim për mandatar dhe koalicion.

“Sa i përket koalicionit apo koalicioneve të mundshme me ndonjë subjekt tjetër politik, qëndrimi parimor i LDK-së tash për tash është që të shkojmë vetëm, por që për ketë temë sot nuk është në rend të ditës, nuk mund të them se a do të hapet si temë apo jo. Por që nuk do të vendoset për këtë jam i sigurt rreth koalicioneve, sikundër që nuk do të vendoset sot për mandatarin, apo të nominuarin e LDK-së për kryeministër”, ka shtuar ai.

I pyetur rreth një takimi të mundshëm ndërmjet liderit të LDK-së, Isa Mustafa, dhe kreut të VV-së, Albin Kurti, Beqiri ka thënë se nuk ka informacione se është caktuar ndonjë takim, duke shtuar se mbetet të shihet në ditët në vijim.

- Advertisement -

“Për takime të tjera me subjekte tjera, përfshirë edhe VV-në, një herë për një herë nuk kam ndonjë informacion që është aranzhuar ndonjë takim, konkretisht i z. Mustafa me Albin Kurtin. Mbetet të shihet në ditët në vijim”, ka përfunduar ish-deputeti i LDK-së.

Deri më tani koalicione parazgjedhore kanë nënshkruar AAK-ja e Haradinajt me PSD-në e Shpend Ahmetit dhe Nisma e Fatmir Limajt me AKR-në e Behgjet Pacollit.

Isa Mustafa dhe Albin Kurti kanë zhvilluar disa takime radhazi, megjithatë ende nuk dihet nëse do të gjejnë gjuhë të përbashkët për mandatarin për kryeministër, e vetmja pikë për të cilët nuk po gjejnë pajtim dy partitë që në legjislaturën e VI-të kanë bërë opozitarizëm.

- Advertisement -

Të fundit

- Advertisement -

Lajme të lidhura