3.9 C
Pristina
Monday, December 16, 2024

Brenda Teatrit të përplasjeve Prishtinë -Tiranë, si u ashpërsua konflikti Kurti – Rama

Rekomandime

“Duket sikur demokracia mezi po mbahet në Shqipëri. Por demokracia është aftësia e qytetarëve për t’i befasuar pushtetarët, e nuk është spektakli i propagandës së pushtetit, që ua ledhaton mjekrat atyre”.

Kjo është akuza më e fundit e Albin Kurtit kundër dikur mikut të tij, Edi Ramës. Në dy-tri vjetët e fundit dy liderët e majtë në Kosovë e Shqipëri, që tash të dy janë kryeministra, tërheqjen e vetme i kanë pasur deklaratat e ashpra ndaj njëri – tjetrit.

- Advertisement -

Dukej premtues takimi mbi katër orësh në Tiranë ku Kurti e Rama kishin diskutuar gjerë e gjatë raportet mes dy vendeve që viteve të fundit janë përballë me amplituda të shpeshta për shkak të liderëve. Takimi i shumëpërfolur që ishte ndërprerë për shkak Gerard Depardieu, ishte komentuar gjatë pikërisht edhe për shkak të aktorit francez, por orët e gjata bashkë nuk e kishin rikuperuar marrëdhënien.

Rama nuk kishte arritur ta bindte Kurtin për disa tema që i interesonin dhe pak kohë më pas filloi të flas se Kryeministri i ri i Kosovës shumë shpejt do të përballet me vështirësitë e qeverisjes ose do të kalojë nga “poezia e opozitës në prozë”.

Në kohë pandemie raportet vetëm sa eskaluan. Rama nuk iu përgjigj kërkesës së Kurti për takim të liderëve kosovarë e shqiptarë duke thënë se duhet të merret vesh fillimisht se kush është zëri zyrtar në Kosovë.

- Advertisement -

Rrëzimi i Teatrit të dielën që shkoi dhe gatishmëria e Lëvizjes Vetëvendosje për të mbajtur protesta kudo ishte rasti i mirë për Kurtin dhe VV’në për të kthyer përgjigje. Zyrtarë të lartë të VV’së në Tiranë kanë protestuar kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, ku është arrestuar drejtori i Zyrës së VV’së në Shqipëri, Boiken Abazi.

Vetëvendosje, në reagimin e sotëm, tha se shpresojnë që arrestimi i zyrtarit të saj të mos jetë hakmarrje e një ‘idhnaku’. Në këtë postim VV’ja riktheu në vëmendje miqësinë e Ramës me Vuciqin.

- Advertisement -

“Boiken Abazi përveç kontributit të tij si aktivist i rëndësishëm për Lëvizjen VETËVENDOSJE! shquhet edhe si qytetar i kulturuar e intelektual i angazhuar.

Ndalimi i tij shpresojmë të mos jetë hakmarrje e ndonjë idhnaku që mban inat për prishjen e pazareve me Vuçiqin. Vuçiqi mund të jetë mik individual i dikujt, por ai nuk mund të jetë kurrë mik i shqiptarëve, për shkak të historisë e politikës që ai përfaqëson”, shkroi VV’ja,

Por, përplasja e Ramës me Kurtin që po shënon pikun e saj me zënkën për një teatër të Tiranës, rrënjët i ka shumë më të thella. Konflikti i tyre ka qenë i pasur për nga përmbajtja e akuzave ndaj njëri – tjetrit në tri vjetët e fundit. Rama në një intervistë për Pressing të T7 u shpreh i mllefosur për krahasimin që Kurti i bëri me Millosheviqin kur kundërshtoi shembjen e teatrit dhe akuzoi Kurtin për dështim në veri duke thënë se gjatë pandemisë atje Serbia ushtroi sovranitet.

Në rritje e sipër të VV’së në Kosovë, kjo parti dhe lideri i saj Albin Kurti, kishte raporte veçmas të mira me Ramën. Të majtit shqiptarë supozohej se do të përshtateshin me njëri – tjetrin. Kurti besohej se i përshtatej shijeve të Ramës më shumë se liderët e tjerë politikë, që kryesisht ishin komandantë të luftës.

Por, në vitin 2018, filluan të ndryshonin raportet. Edi Rama po afrohej edhe më shumë me Presidentin Thaçi, e kush e kishte mik Presidentin e Kosovës, nuk mund ta kishte njësoj mik edhe kundërshtarin më të madh të tij, Kurtin.

Lideri i LVV’së, nga ana tjetër, nisi të përafrohej me ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berishën.

Në të njëjtin vit, miqësitë në politikën shqiptare po definoheshin me qëndrimet pro ose kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës.

Rama, në mbrojtje të Presidentit Thaçi njëherë në Pejë tha “Kushdo që i thotë Hashim Thaçit tradhtar, është gomar”. Këtë më shumë e kishte për ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, megjithatë Kurti e VV’ja ishin ata që Presidentit ia kishin vënë titullin.

LVV e ka akuzuar herë direkt e herë indirekt kryeministrin Rama, se ishte një nga ideatorët e ndarjes së Kosovës bashkë me Thaçin e presidentin serb, Aleksandër Vuciq.

Vetëvendosje në Prishtinë, me degën e saj në Tiranë, do të përkrahte çdo gjë që kundërshtonte Ramën që nga viti 2018. LVV doli haptas pro protestave të studentëve të studentëve, që konsiderohej si përballja më serioze e kryeministrit të Shqipërisë prej që është në pushtet.

Këtë protestë e kishin përkrahur zyrtarë të lartë të partisë, si Albulena Haxhiu, e kishte prej atyre si Tinka Kurti që kishin marrë pjesë edhe fizikisht në protestat kundër Qeverisë Rama.

Në maj të vitit 2019, në kuadër të Samitit të Brdo-Brijunit, Presidenti serb po vinte në Tiranë bashkë me liderët e tjerë të Ballkanit.

Për Lëvizjen Vetëvendosje në Tiranë ishte e papranueshme që Vuciqi të pritej njëjtë si të tjerët, e kështu paralajmëruan edhe protesta.

“Nga mediat dhe përfaqësues të huaj është raportuar se Aleksandar Vuçiç dhe Milorad Dodik do të vizitojnë Tiranën në datat 8 dhe 9 maj për të marrë pjesë në takimin “Brdo-Brione”. Për këtë vizitë të tyre nuk ka patur asnjë njoftim zyrtar nga asnjë prej institucioneve të Republikës së Shqipërisë. Institucionet kanë zgjedhur heshtjen dhe mos transparencën, pikërisht në një periudhë kur Serbia synon haptazi ekspansion në Kosovë e në Bosnje”, reagonte atëherë VV’ja.

Kurti, që ishte distancuar nga miku i tij Rama, kur i fitoi zgjedhjet, si kandidat për kryeministër zhvilloi një takim me atë që do ta kishte homolog. Kurti e kishte të rëndësishme që vizitën e parë si fitues i zgjedhjeve, e edhe si kryeministër më vonë, ta bënte në Shqipëri.

Në tetor kaloi një mbrëmje me Ramën, e nëntor LVV’ja riktheu pakënaqësitë që Rama priti në Shqipëri Vuciqin, e i pranoi ndihmat që Serbia ia bënte pas tërmeteve në Durrës gjatë nëntorit.

Kur dukej Rama e Kurti, po shkrinin acarimin e raporteve, ishte tema e minishengenit që krijoi përplasje mes tyre në një konferencë të përbashkët të mediave në Tiranë.

Kurti provoi që me kurtuazi ta shpjegonte mospajtimin e tij me idenë e Ramës dhe të Vuciqit për minishengen, ndërsa Rama i përplasi në fytyrë pakënaqësinë që kryeministri i ri i Kosovës nuk po i bindej.

“Ky është takimi i parë, ka edhe shumë tema që do i trajtojmë në të ardhmen, ishte një temë që e trajtuam shkurtimisht. Takimi sot për makroshegenin shqiptar se për minishengenitn Ballkanin”, u shpreh Kurti në shkurt të këtij viti.

Ndërsa Rama ia ktheu “S’ka makroshegen shqiptar pa minishengen Ballkanik”.

Kurti u kthye në Prishtinë ndërsa përplasjet – sic do t’i quante presidenti Thaci – sporadike mes dy liderëve shqiptarë vazhduan, deri të reagimi i sotëm, kur Kurti pretendon se i ka prishur pazaret e Ramës me Vuciqin.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit