SHBA nuk ka qenë në gjendje të përcaktojë nëse Rusia e ka caktuar një komandant ushtarak përgjegjës për udhëheqjen e Iuftës në Ukrainë, raporton CNN sipas burimeve të shumta të njohura me këtë çështje.
Sipas dy zyrtarëve amerikan të mbrojtjes, pa një komandant të lartë, njësi nga rrethe të ndryshme ushtarake ruse që veprojnë në pjesë të ndryshme të Ukrainës duket se po konkurrojnë për burime në vend që t’i koordinojnë përpjekjet e tyre.
Njësitë që marrin pjesë në ofensiva të ndryshme ruse anembanë Ukrainës kanë dështuar të lidhen, thonë këto burime, dhe në fakt, duket se po veprojnë në mënyrë të pavarur pa një plan operativ gjithëpërfshirës.
Forcat ruse gjithashtu duket se kanë probleme të rëndësishme komunikimi. Ushtarët dhe komandantët kanë përdorur ndonjëherë telefona celularë komercialë dhe kanale të tjera të pasigurta për të biseduar me njëri-tjetrin, duke e bërë më të lehtë përgjimin e komunikimit të tyre dhe duke ndihmuar Ukrainën të zhvillojë objektiva për kundërsulmet e veta.
Gjithçka ka çuar në atë që këto burime thonë se ka qenë një operacion i ndarë – dhe nganjëherë kaotik – që i ka befasuar zyrtarët amerikanë dhe perëndimorë.