5.1 C
Pristina
Tuesday, December 17, 2024

Dëgjo Grenell!

Rekomandime

NGA: LIS BUKUROCA

- Advertisement -

…fundi i placebo-shtetit.

Në rendin demokratik, që u përpoqët ta zhbëni me shefin, kundërshtimi i një kryetari nuk është krim. Sikur të ishte qëndrim armiqësor, do të ndalohej opozita, si në komunizëm. Kur Albini Kurti ka kundërshtuar qëndrimet amerikane, ishin kohë tjera, ishte i ri dhe ai angazhohej për një shtet, jo për dy, çfarë është normale për çdo shqiptar, sepse ne nuk jemi ndarë pse na pëlqente, por pse ushtria e Serbisë na copëtoi duke na mas.akruar.

As amerikanët nuk dëshirojnë t’u ndahet vendi në disa copa! Domethënë kundërshtimet e Albin Kurtit ishin ëndrra patriotike legjitime, ideale, apo më qartë, ishin „Albania first!“

- Advertisement -

Marrëveshja nuk është aq e lehtë, sepse pos saj, duhet edhe pajtimi i vërtetë. Ajo nuk arrihet duke shpërfillur viktimën dhe shpërblyer kriminelin. Serbia nuk është përgjegjëse vetëm për gjenocidin e fundit, për shkatërrimin e shtëpive dhe ndërmarrjeve, por ajo është fajtore edhe për mbetjen e shqiptarëve në Mal të Zi, në Maqedoni dhe Luginë. Edhe për qindra mijëra dëbime! Albin Kurti nuk kërkon përgjegjësi për Iuftërat e mëhershme, por për të fundit, po!

Kujtesa e popullit shqiptar është plot drama shkaktuar nga shteti serb! Dhe, për shqiptarët, dallim në mes Millosheviqit dhe Vuçiqit nuk ka.

- Advertisement -

E dyta, kundër çdo kryetari amerikan, janë gati gjysma e votuesve amerikanë. Siç ke mësuar, Kurti fitoi 56% të votave shqiptare! Pse zoti Grenell? Çfarë di Kurti sot më shumë se dje? Asgjë më shumë, asgjë, por vota plebishitare drejt Kurtit është edhe kontribut i yt dhe i Trumpit!

Zoti Grenell, Kurti është ai që ju me shefin e rrëzuat në kohë pandemie! E rrëzuat Qeverinë kur populli kanosej nga vdekja, pa shprehur asnjë keqardhje, asnjë droje! E rrezikuan jetën njerëzve thua se ishte fjala për minj.

E larguat Qeverinë e shpresës dhe e sollët një Dud, një karrierist të sëmurë të pavotuar, të cilin Mustafa e tërheq përdore si çupëlinë prej pozite në pozitë. Dhe, keni dëgjuar se çfarë i bëri LDK-së? Partia e „akademikëve“ po aterron te Ramushi!

E treta, njohjen nga Izraeli e prisnim si mirënjohje logjike, si vazhdimësi miqësie, jo si shfaqje teatrale. Sepse populli shqiptar ishte i vetmi, ku hebrenj pati më shumë pas Iuftës, sesa para Iuftës: kur të tjerët i shfarosnin, ne i mbronim! Kur Serbia e pat shpallur veten Judenfrei! Dhe, me atë veprim, nuk mburremi, sepse ishte obligim kanunor shqiptar, pjesë integrale e identitetit tonë kulturor, por jo shou!

Popullit i ka ardhur në maje të hundës krimi, punësimet fisnore, shkollat e shkatërruara, shëndetësia katastrofale, varfëria, shkurt mungesa e perspektivës, prandaj nuk dëshironte më riciklimin e politikanëve të korruptuar, që edhe fëmijët i kanë bërë milionerë. Ju ia kthyet me zor mu ata në pushtet! Sot po lexon përgjigjen e popullit dhe nuk po të pëlqen!

Çka domethënë kjo? Kjo domethënë se nëse na e rrëzoni Qeverinë edhe një herë, ne nuk kundërshtojmë se ju konsiderojmë mik dhe me shumë fat që ju kemi, por herën tjetër, e votojmë 90%!

Jemi shumë të vegjël, por ndonjëherë simpatik për guximin! Mu edhe si në kohën e fashizmit!

Kur miku ndërhyn në çështje shumë intime të shqiptarit, ai i përgjigjet në mënyrë shumë të përmbajtura, me shumë elegancë dhe me plot respekt. Kjo votë ishte edhe përgjigje për ju! Rrëzimi i Qeverisë nuk ishte vetëm shkëmbim i disa vetave, por edhe shpërfytyrim i LDK-së dhe shpërfillje e pamëshirë dhe arrogante e votës së popullit: si e zotit ndaj një fëmije dyvjeçar! Zoti ishit ju dhe jeni, ne fëmija, sepse na keni shpëtuar kur zoti i qiellit na kishte braktisur, apo vetëm po argëtohej duke vështruar trishtimin, prandaj guximin e Albinit, merreni me simpati, por jo si qëndrim antiamerikan!

Zoti Grenell, pusho me numërimin e gabimeve të Kurtit. Gabime kemi të gjithë, por populli shqiptar nuk e ka votuar për lajthitjet e tija të dikurshme, jo për të kaluarën, por për të ardhmen. Kur bënte ato gabime Kurti, populli ia tregonte vendin, si sot Dullës! E dini pse? Sepse nuk i ra ndërmendën askujt të na e rrëzojë qeveritë e korruptuara, por na e rrëzuan vetëm qeverinë, që e dëshironte shtetin e juridik. Arsyeja?

Deri tani kemi pasur vetëm placebo-shtet, por jo shtet të njëmendtë! Me politikanët e atij placebo-shteti, mund të bëhej çdo gjë. Ata pranonin çdo gjë, me kusht që bizneset e tyre, vjedhjet e tyre, pasurimi i fëmijëve të tyre, të mos cenohet, të mbeten në pushtet dhe ju të mos i publikoni njohuritë që i keni për ta.

Meqenëse populli është shumë mirënjohës ndaj SHBA-së, nuk u protestoi, por u revoltua me votë për t‘i dërguar Trumpit dhe ty një mesazh të qartë, se me durim, dimë të rikthejmë dinjitetin e nëpërkëmbur nga „këlyshi i Putinit“ siç e quante Biden, gjersa ju atë e quanit komunist!

Edhe një herë: pse e votoi populli Albin Kurtin? Sepse e dëshiron një republikë, një shtet ligjor, një shtet normal, me të cilin mund të mburret Mustafa, Thaçi, Ramushi, Limaj e Dulla dhe shumë të tjerë, por ndoshta edhe të ndihen të sigurt në burg dhe t’u mos u rrezikohet jeta as aty!

Albin Kurti nuk do të bëhet antiamerikan, sepse populli ashtu si ia dha pushtetin, brenda pak ditësh, edhe ia merr, por Kurti nuk do të jetë servil si Mustafa, Thaçi e Ramushi, thjeshtë sepse nuk ka vjedhur, nuk ka bërë krime, nuk është i korruptuar dhe nuk mund të detyrohet për të falur një Çakorr, apo autonominë serbe antikushtetuese, si Mustafa, Thaçi e Ramushi.

Me klasën e rrëzuar përtokë bëhej politika shumë shpejtë, sepse ata shantazhoheshin shumë lehtë dhe çdo përkulje, ia shpjegonin ata popullit si pasojë normale pas „konsultimit me miqtë“.

Ata servilizmin e dëshmonin nëpër ambasada dhe bënin gara, cili do të ngrehte vithet më lartë dhe po abuzonin edhe me ambasadorët, sepse ata i konsideronin si këshilltarë të vet, apo i kishin degraduar në atë nivel! Klasa e korruptuar bazohej në dashurinë e ndërkombëtareve për të marrë vendime për atdheun e vet.

Pra, Albin Kurti nuk do të jetë antiamerikan, por as antishqiptar jo! E ti? Ti analizo dështimin si ambasador në Gjermani dhe humbjen e zgjedhjeve në SHBA. Ty zoti Grenell pakkush ju konsideron mik të shqiptarëve, më shumë përkapeni si mik i Serbisë, prandaj lufta jote speciale kundër Albin Kurtit, te ne përjetohet si lobim pro-serb. Albin Kurtin nuk e do as Vuçiqi, as Putini!

Ne mik të madh e konsiderojmë Bidenin, Clinton-in dhe dy Bushët. Fitores së Biden-it iu kemi gëzuar, si edhe amerikanët. Pse ata katër? Sepse kanë lënë gjurmë drejtësie dhe respekti pas vete. U jemi mirënjohës përgjithmonë!

P.S.: Albin Kurti duhet të kërkojë ndjesë për deklaratat ndaj Izraelit dhe SHBA-ve gjersa ishte në opozitë! Tani e tutje do të përfaqësojë Kosovën, jo VV-në!

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit