Në njërën prej provincave të Turkmenistanit, Lepab, nëpunësit publik të gjinisë mashkullore do e kenë të ndaluar që të lyejnë me ngjyrë të zezë flokët e tyre. Po ashtu, ata që i kanë flokët ngjyrë të zezë do të duhet që t’i zbardhin pak ato.
Lajmi është konfirmuar nga një korrespondent i “Radio Azatlik”, pjesë e “Radio Europa e Lirë”. Urdhëri ekstravagant është dhënë në prag të një vizite të presidentit të vendit në zonë.
Kreu i shtetit më parë i lyente flokët me ngjyrë të zezë, por prej pak kohësh ka ndryshuar pamje duke treguar ngjyrën natyrale të flokëve, pra të thinjur.
Që kur në muajin gusht të 2018-ës, presidenti i vendit u shfaq me pamjen e re, parukierëve iu ndalua që të aplikonin ngjyrën e zezë tek meshkujt.
Por në të kaluarën kur vetë presidenti lyente flokët edhe nënpunësit publikë ishin të detyruar të bënin të njëjtën gjë. Gjithnjë sipas korrespondentit të radios “Azatlik” në zonë do të lejohen vetëm burrat e thinjur.