1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Deputeti gjerman e pyet Gërvallën për “Shqipërinë e Madhe”, kjo është përgjigja e saj

Rekomandime

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, në një prezantim që pati të martën për publikun gjermanishtfolës, bëri të qartë se prioriteti kryesor i qeverisë Kurti, është luftimi i pandemisë dhe i korrupsionit.

Gërvalla-Schwarz u shpjegoi afro 200 pjesëmarrësve në takimin virtual se përse dialogu me Serbinë kërkon pak më shumë kohë për qeverinë e re: Ne duhet të studiojmë status-quo-në, tha ajo, pasi nuk kemi informacione për bisedimet e deritanishme. Ajo u distancua nga përdorimi i termit “dialog”: “Unë nuk e quaj dialog, sepse ne nuk duam të vazhdojmë si më parë”, tha ajo duke premtuar një “frymë të re” në bisedime. Gërvalla-Schwarz siguroi se qeveria e Kosovës do të shkojë e përgatitur në Bruksel, por nuk dha hollësi se me cilat kërkesa konkrete.

- Advertisement -

Ministrja e Jashtme e Kosovës kritikoi Serbinë për qëndrimin pengues që mban në rajon dhe për ndikimin manipulues në Bosnjë-Hercegovinë, dhe ndërkohë edhe në Mal të Zi e Maqedoni të Veriut. Ajo theksoi se nuk është Kosova ajo që e pengon procesin e integrimit të rajonit në BE, por është Serbia, e cila si një shtet jodemokratik “po e mban peng rajonin”.

Statusin e kandidatit brenda katër vjetësh

Edhe pyetjes tashmë standarde që vjen në adresë të qeverisë Kurti për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, të cilën deputeti i Partisë së Gjelbër në Bundestagun Gjerman, Manuel Sarrazin, e përmblodhi me termin “Shqipëri e Madhe”, Gërvalla-Schwarz iu përgjigj duke i kujtuar deputetit gjerman mënyrën paqësore të bashkimit të Gjermanisë: bashkimi i trojeve mund të ndodhë vetëm në marrëveshje me fqinjët, duke qenë një shtet që rrezaton seriozitet dhe stabilitet, sikurse Gjermania, tha ajo.

- Advertisement -

Por ajo kujtoi se dëshira e shqiptarëve për të jetuar në një hapësirë të përbashkët kulturore dhe gjuhësore përmbushet fare mirë në kuadër të Bashkimit Evropian. “Dhe nuk keni përse të keni frikë tha ajo: 93% e shtetasve të Kosovës dëshirojnë të anëtarësohen në BE,” tha Gërvalla.

“Nëse e dëgjoni zotin Kurti deri në fund dhe nuk merrni vetëm deklaratat e shkëputura nëpër media do ta kuptoni se edhe ai këtë thotë,” tha ajo duke shtuar se qeveria e saj synon që brenda katër vjetëve të bëhet kandidate e BE-së.

- Advertisement -

Fokusi te mërgata

Takimi virtual ishte organizuar nga Shoqata e Evropës Juglindore dhe ODA (Organizata e Laureatëve Shqiptaro-Gjermanë), në Hamburg. Në fillim të takimit Peter Beyer, i ngarkuari i qeverisë gjermane për marrëdhëniet transatlantike, dhe raportues i grupit parlamentar CDU/CSU për Kosovën në Bundestag dhe Këshillin e Evropës, dhe Muhamet Idrizi, kryetari i shoqatës ODA shprehën pritmëritë e tyre ndaj qeverisë së re të Kosovës,

Peter Beyer, kishte thënë në fjalën e tij të shkurtër se pret që qeveria e re të tregojë rezultate konkrete në zotimet që ka bërë: lufta kundër korrupsionit dhe reformat, por kërkoi njëkohësisht që ta trajtojë dialogun me “përparësi” të lartë.

Ndërsa Muhamet Idrizi në pritshmërinë e tij formuloi ndër të tjera dëshirën për një përfshirje më të fortë të diasporës në çështjet e vendit, për mundësinë e votimit të diasporës, dhe rritjen e efektivitetit të punës së diplomatëve.

Gërvalla-Schwarz premtoi një angazhim më të madh të diasporës dhe tha se mërgata do të luajë një rol të madh si në drejtim të ekspertizës ashtu edhe në fushën e investimeve. Ajo gjithashtu premtoi se qeveria e re do të sigurojë mundësinë e votimit nga diaspora.

“Argumentim i diferencuar”

Ishte hera e parë që Donika Gërvalla-Schwarz doli para publikut gjermanishtfolës si kryediplomate e Kosovës. Dallimi mes prezantimit të saj dhe paraardhësve të deritanishëm ishte i ndjeshëm, jo vetëm për faktin që e fliste gjermanishten pa theks. Ndër 50 pyetjet që shtruan pjesëmarrësit kishte edhe shumë komplimente për mënyrën “e diferencuar”, siç do ta quante njëri nga komentuesit, të argumentimit të 49-vjeçares së socializuar në Gjermani.

Ky prezantim virtual mund të lërë ca gjurmë në opinionin publik gjermanishtfolës. Të premten Bundestagu gjerman do të debatojë për zgjatjen e mandatit të Bundeswehr-it në kuadër të KFOR-it në Kosovë. Ky është një debat rutinor, por deputetët e shfrytëzojnë për të shpalosur opinionet e tyre për rajonin. Se sa do të ndikojë ky prezantim në fjalimet e tyre, kjo mbetet të shihet./DW

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit