1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Detaje tronditëse për vdekjen e kadetit të poIicisë, aktakuza: Babë e bir ikën nga vendi i ngjarjes, viktima thirri “oj nonë”

Rekomandime

Më 21 nëntor të vitit 2022 ka vdekur tragjikisht në një aksident trafiku në fshatin Jashanicë të Klinës 30-vjeçari Flordian Shabaj, kadet në Policinë e Kosovës. Për këtë rast Prokuroria Themelore e Pejës ka ngritë aktakuzë kundër dy personave, babë e bir, Arton e Nezir Duraku 21 e 55 vjeçar, të cilët nga nëntori ndodhen nën masën e paraburgimit. Gazeta Express ka siguruar aktakuzën në të cilën përshkruhen detaje tronditëse se si erdhi deri te vdekja e kadetit të policisë. Sipas prokurorisë, në ditën kritike 21 vjeçari po drejtonte kamionin pa patentë shofer i cili ishte pa regjistrim dhe jo i rregullt teknikisht si dhe duke mos e përshtatur shpejtësinë  e lëvizjes me kushtet e rrugës e tejkalon atë nga 50km/h sa ishte e lejuar, në mbi 90km/h. Në kamion në cilësinë e pasagjerit ishte edhe babai i tij, i cili sipas prokurorisë pas aksidentit kishte dalë nga kamioni së bashku me të birin duke iu afruar viktimës por “nuk i ofrojnë ndihmë dhe largohen nga vendi i ngjarjes, gjersa viktima ndërron jetë”.

- Advertisement -

55-vjeçari e kishte dëgjuar viktimën duke thënë “oj nonë”, në momentet e fundit të jetës

Në aktakuzë përshkruhet edhe deklarata e një dëshmitarit, i cili thotë se Neziri u ka thënë se e ka dëgjuar viktimën duke thënë fjalët e fundit.

“Unë e pyeta qysh ndodhi rasti dhe i thash pse nuk keni nejt aty a u kon gjallë. Neziri tha se kur ka ndodh rasti jam afruar tek kerri i viktimës… dhe e di se tha që e ka dëgjua viktimën kur ka thënë “oj non” ose “iu non” qashtu diçka dhe mo nuk e ka dëgjua viktimën asnjë fjalë prej tij…”, citohet një dëshmitar në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Pejës të cilën e posedon Gazeta Express.

- Advertisement -

Por si ndodhi aksidenti tragjik?

Sipas aktakuzës së prokurorisë, 21-vjeçari nuk posedonte patentë shofer dhe kishte vozitur 90 km/h në zonën ku shpejtësia e lejuar ishte 50 km/h. Në ato momente i njëjti kalon në të majtë në shiritin e kundërt qarkullues, ku po qarkullonte me automjetin e tij të markës “Opel” i ndjeri Floridan Shabaj i cili po lëvizte me shpejtësi 46 km/h, “ku me pjesën e parë të anës së majtë të rimorkios e godet automjetin Opel në pjesën e parë ballore të anës së majtë, pikërisht në pjesën ku ndodhej viktima, i cili nga lëndimet e pësuara si rezultat i aksidentit ndërron jetë”.

- Advertisement -

Prandaj, prokuroria pretendon se 21-vjeçari ka kryer vepër penale “rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370 par. 5 lidhur me par. 1 të KPRK-së.

“I pandehuri Arton Duraku: Me datën 21.11.2022 rreth orës 06:45min, në fshatin Jashanicë K. Klinës, shkel ligjin mbi trafikun publik dhe atë nenin 53 par. 1 dhe 231 par. 1 dhe me këtë tjetrit i shkakton vdekjen dhe atë viktimës/të ndjerit Flordian Shabaj, në atë mënyrë që, derisa i pandehuri, pa pas patentë shofer po drejtonte kamionin e markës “Mercedes Atego” i cili ishte i pa regjistruar dhe jo i rregullt teknikisht, në të cilën kishte rimorkion e kamionit dhe një rimorkio shtesë për transport ekskavatorësh, me të arritur fshatin e lartcekur, drejtimi Skenderej – Klinë, nuk e përshtat shpejtësinë e lëvizjes në raport me kushtet e rrugës dhe e tejkalon atë nga 50km/h sa ishte e lejuar në mbi 90km/h dhe kalon në të majtë në shiritin e kundër qarkullues, ku po qarkullonte me automjetin e tij të markës “Opel” i ndjeri Floridan Shabaj, ku me pjesën e parë të anës së majtë të rimorkios e godet automjetin Opel në pjesën e parë ballore të anës së majtë, pikërisht në pjesën ku ndodhej viktima, i cili nga lëndimet e pësuara si rezultat i aksidentit, ndërron jetë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë, transmeton Gazeta Express.

Gjithashtu, për të njëjtin prokuroria thotë se ka kryer edhe veprën penale “mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik” nga neni 374 par. 3 të KPRK-së.

“Me datën 22.11.2022 rreth orës 06:45min, në fshatin Jashanicë K. Klinës, rrugën Skenderaj – Klinë, si ngasës i kamionit “Mercedes Atego”, nuk i ofron ndihmë personit tjetër i cili është Iënduar në aksidentin e trafikut të shkaktuar me kamionin e të pandehurit, nga ku edhe rezulton me vdekjen e viktimës Floridan Shabaj, në mënyrën që, pasi i pandehuri shkakton aksidentin e trafikut të përshkruar si në dispozitivin e parë të aktakuzës, ndalon kamionin dhe së bashku me prindin e tij/të pandehurin Nezir Duraku, dalin nga kamioni afrohen afër viktimës por nuk i ofrojnë ndihmë dhe largohen nga vendi i ngjarjes, gjersa viktima ndërron jetë”, thuhet tutje në aktakuzë.

Ndërsa, babai i 21-vjeçarit akuzohet për kryerjen e veprës penale “mosdhënia e ndihmës” nga neni 188 par. 4 i KPRK-së.

Prokuroria pretendon se “ I pandehuri Nezir Duraku Me datën 21.11.2022 rreth orës 06:45min, në fshatin Jashanicë K. Klinës, rrugën Skenderaj – Klinë, nuk i ofron ndihmë personit tjetër, jeta e të cilit është ndodhur në rrezik të drejtpërdrejt edhe pse këtë ka mundur ta bëjë pa rrezik të madh për vete apo tjetrin, ndërsa nga kjo ka rezultuar me vdekjen e personit të rrezikuar dhe atë viktimës, tani të ndjerit Floridan Shabaj, në atë mënyrë që, pasi i pandehuri Arton Duraku, shkakton aksidentin e trafikut me kamion sikurse në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, ku i pandehuri Nezir ishte pasagjer në të, ashtu që i pandehuri Arton ndalon kamionin dhe së bashku me prindin e tij/të pandehurin Nezir Duraku, dalin nga kamioni, afrohen afër viktimës por nuk i ofrojnë ndihmë dhe largohen nga vendi i ngjarjes, gjersa viktima ndërron jetë”.

Raporti i autopsisë ka konstatuar se vdekja e të ndjerit ka ardhë si pasojë e gjakderdhjes masive (shokut hemorragjik).

Gjithashtu konstatohet se pacienti ishte sjellë me autoambulancë në emergjencë pa shenja jete si pasojë e aksidentit.

Kujtojmë se 21-vjeçari kishte qëndruar një ditë në arrati më pas ishte arrestuar nga policia. /Gazeta Express

Pamje nga aksidenti:

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit