7.8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Diplomati shqiptar befason me kërkesën për Kosovën: Pranojeni nismën franko-gjermane

Rekomandime

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Islam Lauka, ka thënë se tani është momenti i Kosovës për kompromis me Serbinë.

Ai, përmes një postimi në Facebook, ka deklaruar se institucionet e Kosovës duhet të trajtojnë seriozisht nismën e Francës dhe Gjermanisë, për dialogun me Serbinë, sipas së cilës Serbia detyrohet të pranojë ekzistencën e Kosovës si “realitet i veçantë politik e legal” dhe të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

- Advertisement -

Teksa ka argumentuar qëndrimin e tij, ish-ambasadori ka thënë se nisma franko-gjermane po gëzon mbështetjen edhe të Uashingtonit zyrtar, për shkak të agresionit rus në Ukrainë dhe rritjes së shqetësimit perëndimor për sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

Lauka e ka vlerësuar si shumë pozitiv faktin që nisma franko-gjermane e përjashton kompromisin e rënë, dhënien e territorit të Kosovës, Serbisë.

Reagimi i plotë i Laukës:

- Advertisement -

Koha për kompromis

Para, rreth një muaji, u bë e ditur se Franca dhe Gjermania kanë ndërmarrë një nismë për normalizimin e shpejtë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Thelbi i saj është ky:

- Advertisement -

Serbisë i kërkohet që të “pranojë ekzistencën e Kosovës si realitet i veçantë politik e legal”, por pa e detyruar që ta njohë atë formalisht. Në këtë kontekst, Beogradi nuk duhet të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Nëqoftë se Serbia pajtohet me këtë propozim, ajo do të ketë ndihma masive, ekonomike dhe financiare nga Brukseli dhe do ta ketë të hapur rrugën për anëtarësim në BE.

Kosovës i kërkohet që të heqë dorë nga njohja formale e Serbisë dhe si shpërblim do të marrë njohjen e menjëhershme nga 5 vendet e BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, si dhe do ta ketë të lirë rrugën për anëtarësim në strukturat euro-atlantike dhe organizata të tjera ndërkombëtare (por, në fazat e para, jo në OKB).

Në gjykimin tim, ka ardhur momenti që Kosova ta marrë shumë seriozisht këtë nismë, ta studiojë me përgjegjësi shtetërore dhe kombëtare dhe t’i thotë po kompromisit të propozuar.

Më poshtë, argumentet e qëndrimit tim:

1.Asnjë shtet, aq më pak Kosova me subjektivitet të cunguar ndërkombëtar, nuk e ka luksin të arrijë një kompromis plotësisht në favor të tij dhe në dëm të kundërshtarit, përndryshe ai nuk do të quhej i tillë, por fitore e njërës palë mbi tjetrën. Por ka kompromise e kompromise. Të mos harrojmë se para pak kohësh na është propozuar një kompromis i rëndë – dhënia e territorit tonë Serbisë, pranimi i të cilit do të ishte fatal për shtetësinë e Kosovës. Ai duhej refuzuar dhe Kosova me durimin e saj strategjik dhe ndihmën e miqve arriti ta shmangte atë rrezik. Është shumë pozitiv fakti që nisma franko-gjermane e përjashton atë.

2.Natryrisht, do të ishte mirë njohja formale e Serbisë, e cila do të përshpejtonte shumë procese, përfshirë anëtarësimin në OKB (megjithëse jo i sigurtë, për shkak të interesave ruse dhe vetos së saj). Por as njohja e Beogradit, as anëtarësimi i Kosovës në OKB nuk janë të natyrës ekzistenciale për të. Ndërkohë që, sipas mendimit tim, njohja nga 5 vendet e BE-së dhe hapja e rrugës së anëtarësimit në strukturat euro-atlantike, janë me rëndësi jetike për Kosovën dhe të ardhmen e saj si shtet i pavarur dhe sovran. Me anëtarësimin në NATO dhe BE, njohja formale e Serbisë do të shfaktorizohej shumë.

3.Agresioni rus në Ukrainë dhe, për pasojë, rritja e shqetësimit perëndimor për fatet e paqes dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, në Evropë e më gjerë, i ka bërë bashkë, si kurrë më parë, të paktën që pas “luftës së ftohtë, Brukselin dhe Uashingtonin. Ndaj, nisma franko-gjermane gëzon mbështetjen e plotë zyrtare të SHBA-së, ndryshe, psh, nga qëndrimet diverguese të paradokohshme për reciprocitetin apo tezen e shkëmbimeve territoriale.

4.Pranimi i nismës së Berlinit dhe Parisit i heq Moskës një ndër levat kryesore, me të cilen ajo mban pas vetes Serbinë – Kosovën.

Nuk ka asnjë garanci që pranimi i kompromisit nga Prishtina, do të bëjë që edhe Beogradi të veprojë në të njëjtën mënyrë. Por, të paktën, Kosova e nxjerr veten të larë dhe përgjegjësia e bllokimit të procesit të normalizimit i mbetet Serbisë dhe pasojat e ndëshkimit të parashikuar në nismën franko-gjermane, do të bien mbi të.

Mendoj se në këtë moment historik, pozita dhe opozita në Kosovë duhet të jenë të bashkuara. Në këtë kuadër, mbështes konstruktivitetin e AAK-së dhe z. Haradinajt dhe iu bëj thirrje z. Abdixhiku dhe z. Krasniqi t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së Kurtit për të biseduar rreth kësaj nisme. Serioziteti dhe kompleksiteti i saj kërkojnë bisedime konfidenciale midis të gjithë faktorëve politikë, ashtu si edhe diskutime të hapura në Kuvendin e Kosovës, pse jo edhe në publik.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit