-0.1 C
Pristina
Tuesday, March 26, 2024

Drejtoritë e Arsimit: Testimi online dhe gjendja emocionale janë arsyet e dështimit në PISA

Rekomandime

Drejtoritë Komunale të Arsimit thonë se dështimi në PISA erdhi për shkak të gjendjes emocionale dhe testimit online të nxënësve.

Testi PISA mori vëmendjen e kosovarëve, por edhe kësaj radhe jo për të mirë. Në mesin e 79 shteteve pjesëmarrjeve, Kosova u rendit në vendin e 76-të, duke shënuar një ngritje të lehtë nga hera e kaluar në lexim e matematikë. Rezultate më të dobëta pati në shkencë.

Saktësisht, 5058 nxënës nga shkolla të ndryshme të Kosovës plotësuan testin në formë elektronike. Dikush si shkaktar të rezultateve të tilla e cilësoi faktorin emocional e të tjerë testimin me kompjuterë, kështu të gjitha komunat e Kosovës arsyetuan rezultatet e dobëta.

- Advertisement -

Rreth 420 nxënës të Gjilanit i ishin nënshtruar testit PISA. Për t’i përgatitur 15-vjeçarët ishin angazhuar 14 koordinatorë nga komuna. Ndonëse nuk kanë të dhëna specifike për nxënësit e komunës së tyre, nga drejtoria e arsimit në Gjilan pranojnë që testi PISA pasqyron realitetin.

“Sipas informative që kemi testi PISA, është test i standardizuar dhe rezultatet që dalin duhet të merren reale. Rezultatet e publikuara në mjetet e informimit edhe për Komunën e Gjilanit nuk kanë qenë të dëshiruara ndërsa sa i përket rekomandimeve duhet të bëhet një analizë e thellë duke filluar nga shkolla deri në nivelin qendror” u shprehën nga zyra e DKA-së në Gjilan.

E në Pejë testit iu nënshtruan 245 nxënës. Edhe nga kjo komunë po e pranojnë që këto rezultate e pasqyrojnë realitetin.

- Advertisement -

Megjithatë drejtori i arsimit në Pejë, Besim Avdimetaj po thotë që nxënësit u ballafaquan me vështirësi të natyrës teknike, gjë që sipas tyre ka ndikuar në performancë.

“Rezultatet deri në një masë e pasqyrojnë realitetin, por në anën tjetër gjatë testimit online ka raste kur nxënësit hasin edhe në vështirësi të natyrës teknike gjë që mund të ndikojë në performancë të nxënësve. Komuna e Pejës këto rezultate i ka pranuar me zhgënjim dhe na obligojnë për mobilizim dhe ndryshime pozitive në sistemin arsimor”, ka thënë Avdimetaj.

- Advertisement -

Ndersa në Prizren gjithsej 14 shkolla ishin të përfshira në testin PISA. Për drejtoreshën e arsimit, Xhemile Vezgishi-Thaçi emocionet mund të kenë ndikuar në performancën e nxënësve.

“Si rezultate janë këto, por ne mendojmë se ndoshta ka mundur qe të ndikojë edhe faktori emocional dhe mbajtja e testit elektronik” tha ajo.

Për dallim nga komunat e tjera, në Gjakovë po shprehen më optimistë karshi njohurive të nxënësve të tyre. Drejtori Bernard Frrokaj tha për T7 se këto rezultate nuk e pasqyrojnë realitetin.

“Mendimi ynë është që këto rezultate nuk e pasqyrojnë realitetin në masë të madhe, sepse mendojmë se niveli i arsimit në vendin tonë është më i lartë sesa ai që paraqitet në rezultatet e testit PISA. Këtë e bazojmë në rezultatet të cilat i arrijnë nxënësit tanë si në testin e arritshmërisë, testin e maturës shtetërore dhe garat brenda e jashtë vendit” tha Frrokaj.

Por nëse ka probleme me sistemin arsimor në këtë komunë, atëherë të njëjtat po konsiderohen si rrjedhojë e vendimeve të ministrit Bytyqi.

“Rekomandimet tona janë: shqyrtimi i ligjeve dhe udhëzimeve administrative, ku mendojmë se shumë prej tyre e pengojnë zhvillimin normal të procesit mësimor (duke ju dhënë të drejtën që të avancohen p.sh. edhe tri vite shtesë nga UA 10/2018 mësimdhënësve të cilët janë të pakualifikuar). Mos lejimi që të ketë një listë rezerve të mësimdhënësve (ku dihet se gjatë vitit ka raste që semurët një mesimdhënës dhe e kemi të pamundur mbulimin e vendit të tij të punës)” tha Frrokaj.

Ndërkohë në komunën e Mitrovicës thanë që nuk i kanë pranuar rezultatet si komunë e drejtoria e arsimit në Prishtinë nuk i ka komentuar këto rezultate.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit