Ekskluzive: Si u alarmua Shtëpia e Bardhë nga kompania lobuese e Haradinajt dhe pse përmendi hetimet

Shtëpia e Bardhë ishte alarmuar në muajin dhjetor të vitit të kaluar, kur në adresë të Këshillit Nacional të Sigurisë kishin arritur e-maile nga Kabineti i Kryeministrit Ramush Haradinaj dhe nga një kompani që ai e kishte angazhuar për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan Gazeta Metro.

Një veprim i tillë kishte marrë përgjigje të ashpër nga zyrtarët amerikanë.

Këto e-maile, të cilat i ka siguruar Gazeta Metro, zbulojnë se Haradinaj kishte angazhuar Mathew Oresman, përmes firmës “Pillsbury Winthrop Shaw Pittman LLP”, që të aranzhonte takime për Kryeministrin me zyrtarë të nivelit të lartë në Washington. William Berkley, zyrtar i lartë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, i kishte shkruar i shqetësuar këshilltarit të Kryeministrit, Erolld Belegu, për formën se si po përpiqej Qeveria e Kosovës të lobonte.

Ai, madje, kishte tërhequr vërejtjen se angazhimi i këtyre kompanive mund të çonte edhe në hetime serioze për përdorimin e parasë publike.

“Ne në Shtëpinë e Bardhë jemi të shqetësuar që Kryeministri ka punësuar Mathew Oresman dhe firmën e tij Pillsbury Winthrop Shaw Pittman LLP për të avokuar për Qeverinë tuaj jashtë kanaleve zyrtare. Përdorimi i këtyre firmave ka të ngjarë të ketë efekt negativ dhe të lërë më pak mundësi për të arritur qëllimet tona të përbashkëta. Për më tepër, nëse Kryeministri po përdor fonde publike për të angazhuar lobistë, atëherë mund të ketë implikime ligjore në të dy anët, e që mund të çojë edhe në hetime”, kishte shkruar Berkley.

Në letrat që kompania e angazhuar nga Ramush Haradinaj kishte dërguar në Washington, merret vesh se ishin kërkuar takime dhe dhënë ide se si do të duhej të dukej Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

Në atë kohë, taksa sapo ishte vendosur. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin kundër dhe kërkonin pezullimin e saj. William Berkley më tutje ia kishte kujtuar Kabinetit të Haradinajt se taksa duhet të pezullohet, ndërsa ishte shprehur kategorik se për këtë arsye Shtëpia e Bardhë nuk do ta pranojë Kryeministrin Haradinaj në takime e diskutime në Washington.

“Përsëri, ne e inkurajojmë fuqishëm Kryeministrin që të përdorë autoritetin e tij të konsiderueshëm dhe ndikimin politik për të anuluar tarifat menjëherë dhe për t’u ri-fokusuar në diskutimin e brendshëm në një marrëveshje përfundimtare të dakorduar me Serbinë, e që do të përfitojnë të dyja palët. Ne nuk do të mbajmë bisedime të mëtejshme këtu në Washington me Kryeministrin deri në arritjen e këtyre objektivave”, kishte shkruar ky zyrtar i lartë amerikan./gazetametro.net