7.9 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Eksperti amerikan: “Çdo qeveri e Kosovës nëse i nënshtrohet Erdoganit do ta dëmtojnë rëndë pavarësinë e Kosovës”

Rekomandime

Alon Ben-Meir, profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Lindjes së Mesme, Turqisë dhe Ballkanit, në një intervistë për Gazetën Express ka folur rreth dialogut Kosovë-Serbi, taksës 100% ndaj produkteve serbe, liberalizimin e vizave për Kosovën, ndikimin e Presidentit Erdogan në çështjet e brendshme të Kosovës dhe koalicionin e mundshëm në mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

- Advertisement -

Ben-Meir ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi duhet të fillojë pa ndonjë parakusht, duke saktësuar se Kosova dhe Serbia duhet ta përmbyllin dialogun me marrëveshje për njohje reciproke në kufijtë aktualë.

Eksperti amerikan ka folur edhe për ndikimin e Presidentit të Turqisë në çështjet e brendshme të Kosovës, duke thënë se kjo dëmton interesin e Kosovës për integrim në BE. Profesori amerikan është shprehur se BE-ja duhet të heqë fillimisht regjimin e vizave për kosovarët përkohësisht, për të parë se si do të ndikojë në një periudhë më të gjatë kohore.

Teksa ka folur për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 6 tetor, ai ka thënë se Qeveria Haradinaj ka qenë e korruptuar dhe se koalicioni LDK-VV është më i duhuri për të qeverisur me Kosovën.

- Advertisement -

Gazeta Express: A mendoni se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të fillojë pa kushte dhe pa suspendimin e taksës 100% për produktet serbe?

Alon Ben Meir: Unë besoj se dialogu mes dy vendeve duhet të fillojë pa ndonjë parakusht, me përjashtim të heqjes së taksës së vënë nga Kosova ndaj mallrave të importuara nga Serbia. Kjo do të shërbejë për dy qëllime: Njëra është shfaqja e një gjesti të vullnetit të mirë dhe e dyta është që konsumatorët kosovarë të mos paguajnë çmime më të larta për produktet e importuara nga Serbia.

- Advertisement -

A mendoni se marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë duhet ta sjellë njohjen pavarësisë së të dy shteteve në kufijtë aktualë?

Alon Ben Meir: Nuk ka dyshim se çdo marrëveshje mes dy shteteve duhet të sjellë njohjen reciproke të pavarësisë së dy shteteve. Sa I përket kufijve, unë besoj që mbajtja e kufijve politikë në hartë duhet të mbetet e njëjtë, megjithëse serbët dhe kosovarët duhet të kenë mundësinë të lëvizin lirshëm mes dy vendeve, veçanërisht në zonat ku ekziston një numër i konsiderueshëm i komunitetit serb duke jetuar në Kosovë.

Si e shihni skandalin e fundit të Qeverisë së Serbisë në lidhje me pagesën ndaj Republikës Qendrore Afrikane për të tërhequr njohjen e Pavarësisë së Kosovës?

Alon Ben Meir: Unë besoj që korruptimi i qeverive nga ana e Serbisë, përfshirë Republikën e Afrikës Qendrore, për të tërhequr njohjen e saj ndaj pavarësisë së Kosovës është e gabuar dhe nuk do të bëjë asgjë përpos që do ta thellojë konfliktin mes dy vendeve. Siç e kam thënë edhe herë tjera vazhdimisht, Serbia duhet ta njohë faktin e padiskutueshëm se Kosova është një shtet i pavarur, dhe tërheqja e pavarësisë së Kosovës nga disa shtete nuk do ta ndryshojë këtë realitet.

Duke konsideruar faktin se Kosova është shteti i vetëm në Evropë që nuk ka liberalizim të vizave, edhe pse Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e Bashkimit Evropian, cilat janë pikëpamjet tua lidhur me këtë çështje?

Alon Ben Meir: Duke qenë se Kosova do të bëhet herët a vonë kandidate e suksesshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian, do të ishte e rrugës nga ana e BE-së të fillojë heqjen e vizave për një periudhë kohore të caktuar për të parë se çfarë do të jetë efekti i një liberalizimi të tillë për të hyrë në shtetet e BE-së. Nëse procesi zhvillohet pa pengesa, dhe nëse kosovarët nuk kryejnë krime në vendet e BE-së, atëherë liberalizimi I vizave duhet të bëhet i përhershëm. Kjo gjithashtu do të jetë mënyra më e mirë për ta shtruar rrugën e integrimit përfundimtar të Kosovës brenda BE-së.

Cili është opinioni juaj në lidhje me retorikën raciste të zyrtarëve qeveritarë serbë, veçanërisht atë Kryeministres Brnabic se kosovarët janë njerëz “që kanë ardhur nga mali”, dhe a e sheh këtë si një hap prapa për pajtimin mes Kosovës dhe Serbisë?

Alon Ben Meir: Asnjë kryeministër që është i denjë për pozitën që e mban nuk do të duhej të bënte komente të tilla degraduese ndaj fqinjëve me të cilët duhet të bashkëjetojë në një formë apo një tjetër. Bërja e deklaratave të tilla nuk është gjë tjetër, veçse mungesë respekti ndaj vetes dhe zyrës së saj dhe sigurisht se do ta rrezikonte secilin proces të ardhshëm të pajtimit, gjë që gjithashtu do të kishte ndikim negativ në interesin kombëtar të Serbisë.

A mendoni se ndikimi i Presidentit Erdogan në politikat dhe punët e brendshme të Kosovës(arrestimet e gjashtë profesorëve turq vitin e kaluar dhe ekstradimi i tyre në Turqi) është një hap prapa për Kosovën drejtë rrugës për integrimin në BE?

Alon Ben Meir: Çdo qeveri e Kosovës duhet ta dijë se nëse në një formë ose tjetër bëhet e nënshtruar ndaj Presidentit Erdogan të Turqisë do ta dëmtojnë rëndë pavarësinë e shtetit të tyre. Ai është një udhëheqës i pamëshirshëm të cilit i bën vetën për interesin e tij personal, dhe agjendën e tij të kobshme për të mbizotëruar Kosovën. Sa herë që qeveria e Kosovës dorëzohet para kërkesave të tilla të tmerrshme dhe dorëzon qytetarë turq që kërkojnë azil në Kosovë, kjo e dëmton pavarësinë dhe gjithashtu do të kishte ndikim të konsiderueshëm në përpjekjet e Kosovës për integrim në BE, veçanërisht për shkak se një gjë e tillë është saktësisht qëllim i Erdoganit.

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbahen me 6 tetor 2019, tani janë duke u zhvilluar bisedime të vazhdueshme mes dy partive të mëdha LDK-së dhe Vetëvendosjes për të formuar një koalicion para zgjedhjeve. A mendoni se në situatën e tanishme qe ndodhet Kosova, këto dy parti duhet të qeverisin shtetin?

Alon Ben Meir: Duke e marrë parasysh mungesën aktuale të stabilitetit në Kosovë, që ka ardhur nga dorëheqja e kryeministrit Haradinaj, dhe duke e marrë parasysh faktin që qeveria e tij është e korruptuar, mendoj se do të ishte veprim i zgjuar që LDK-ja dhe Vetëvendosje të formojnë koalicion dhe ta ndërtojnë qeverinë e ardhshme të Kosovës. Për këtë arsye, ata duhet të zotohen publikisht se do ta luftojnë korrupsionin, se do të kryejnë reforma politike, se do t’i sigurojnë të drejtat e njeriut dhe do të zhvillojnë plane ekonomike që do të ofrojnë më shumë vende pune, sidomos për të rinjtë. Asnjë qeverie që nuk zotohet për plotësimin e këtyre kërkesave nuk duhet t’i jepet mundësia për të qeverisur.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit