5.7 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

‘Flirti’ nga studiot televizive i AAK’së me VV’në – Sa është i mundur një koalicionin mes partive të Kurtit e Haradinajt

Rekomandime

Shkuarja në zgjedhje të reja dhe zgjedhja e presidentit të vendit janë aktualisht dy temat kryesore në skenën politike kosovare.

Si rrjedhojë, AAK-ja haptazi ka nisur ‘flirt’ me partinë e Albin Kurtit. Këta të fundit, deri më sot nuk i janë kanë dhënë sinjale pozitive për ndonjë bashkëpunim me partinë e Haradinajt.

- Advertisement -

Kanë përmendur edhe pazare për postin e Presidentit, që sipas VV’së për ta janë të papranueshme.

Një njohës i zhvillimeve politike në vend, duke folur për Gazetën Online ‘Reporteri.net’, thotë se në rast se mbahen zgjedhje, e sheh të mundshëm një koalicion paszgjedhor mes VV-së e AAK’së, e se përjashton as një bashkëqeverisje të ardhme të partisë së Kurtit me PDK’në.

Lëvizja Vetëvendosje që është partia e parë në vend ka kohë që kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje të reja, kurse AAK-ja që është në pushtet e ka bërë të qartë kushtëzimin se nëse kreu i saj i partisë Ramush Haradinaj nuk zgjidhet president, atëherë qytetarët duhet t’i drejtohen kutive të votimit.

- Advertisement -

Këto dy parti që shkëmbyen akuza mes vete sa pushtetin e kishte Albin Kurti, kohëve të fundit siç duke kanë relaskuar sadopak raportet e tyre të acaruara dhe kanë hapur një derë që të bashkëpunojnë mes vete pas zgjedhjeve të reja, kur të rrëzohet qeveria Hoti.

I pari që foli hapur për mundësinë e një koalicioni mes tyre, është shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj. Madje edhe për bashkëpunim parazgjedhor mes dy partive që shpesh herë kanë patur përplasje të ashpra mes vete.

- Advertisement -

“Unë nuk thash në asnjë variant se ne kemi marrëveshje me VV-në për president, por mund të kemi në të ardhmen që nuk e përjashtoj hiq mundësinë që do të jemi ndoshta partnerë me VV-në pas zgjedhjeve, mund të ketë edhe para zgjedhjeve”, ka thënë Haradinaj në një intervistë televizive.

“Po ne në politikë jemi. Kemi dallime substanciale por nuk domethënë që jemi armiq. Me askënd në Kosovë nuk jemi armiq politik. Kundërshtarë politik e mendime ndryshe por jo armiq”, tha Haradinaj, duke shtuar se partia që drejtohet nga vëllai i tij s’ka më vija të kuqe me asnjë parti.

E lidhur me vijat e kuqe dhe mundësinë e një koalicion të me VV-në, ka folur edhe deputeti i AAK’së, Pal Lekaj, në REPORTERI/INTERVISTA.

“Edhe pse jemi në qeveri, çdo herë kemi thënë se jemi për bashkëpunim me të gjerë, edhe me opozitën edhe shoqërinë civile. Në këtë relacion nuk kemi vija të kuqe me asnjë subjekt dhe as me VV-në”, ka thënë Lekaj për Gazetën Online ‘Reporteri.net’.

“Nuk kemi biseduar zyrtarisht për këtë çështje, por s’do të thotë që në të ardhmen nuk do të ulemi dhe të gjejmë një gjuhë të përbashkët. Unë kam kontakte me deputetët e VV-së, bisedojmë, por jo zyrtarisht”, ka deklaruar Lekaj.

I pyetur se a beson që Kurti do t’ia premtojë Haradinajt postin e presidentit, Lekaj ka thënë se për AAK’në, Ramush Haradinaj, si tani edhe pas zgjedhjeve do të jetë kandidati i tyre për President.

Për mundësinë e një koalicioni me AAK-në të martën mbrëma është deklaruar Glauk Konjufca, anëtar i kryesisë së Vetëvendosjes, i cili nuk ka qenë i gatshëm t’i përgjigjet pozitivisht kësaj gatishmërie.

Ai me këtë rast ka thënë se nuk është vetëm AAK që po shpreh gatishmëri për koalicion me VV-në, dhe sipas tij këtë gatishmëri e kanë shprehur hapur edhe PDK e LDK. Por, ai ka thënë se deri tash VV është e gatshme për bashkëpunim vetëm me Vjosa Osmanin.

Ish-kryekuvendari dhe ish-Ministri i Jashtëm në Qeverinë Kurti, ia ka bërë me dije Haradinajt, edhe se VV-ja nuk hyn në pazare për President.

“Ramushi e dha një koncept të votës veresi. Unë konsideroj që për këtë temë as nuk duhet të bëhen pazare, pasi ajo që ka nevojë Kosova është një qeverisje e re. Një qeverisje që ju ka ndërpre jeta në mënyrë makabre në mars të këtij viti. LVV mendon që duhet të kemi zgjedhje të reja në vend. LVV nuk hynë në kurrfarë pazari për presidentin, është gabim bile edhe e neveritshme”, ka thënë Konjufca në T7.

Por sa e shohin analistët politikë të mundshëm arritjen e një koalicioni VV-AAK?

Imer Mushkolaj, analist politik e sheh të mundshme arritjen e një koalicioni pas zgjedhor mes partisë së Haradinajt dhe të Kurtit.

“Nuk e përjashtoj mundësinë që AAK me hy në koalicion me VV-në. Nëse VV ka bërë koalicion me LDK-në, cila është arsyeja mos me bërë me AAK-në. Por nuk e shoh mundësinë që të mbërrihet koalicion parazgjedhor. VV do të shkoj e vetme, sikurse do të mund të shkonte edhe ndonjë listë, si ajo e Vjosa Osmanit”, ka thënë Mushkolaj për Gazetën Online ‘Reporteri.net’.

I pyetur sa mund të jetë i qëndrueshëm një qeveri e drejtuar nga VV-AAK, Mushkolaj ka pohuar se kjo gjë varet nga marrëveshja e koalicionit që e lidhin të dy partitë.

“Sa i përket qëndrueshmërisë varet nga marrëveshja politike që do të bëjnë. Nëse nuk arrihet të zgjidhet presidenti para zgjedhjeve është edhe një sfide që do të mund të ndikonte qoftë në stabilitetin e koalicionit apo mundësinë për t’u arritur çfarëdo koalicioni. Por në parim nuk shoh problem VV me bërë koalicion me AAK-në”, ka thënë Mushkolaj.

Për më tepër ai nuk e përjashton edhe mundësinë që Vetëvendosje të lidhë koalicion edhe me PDK-në.

“Por nuk e kisha përjashtuar mundësinë edhe me PDK-në, duke pasur parasysh që kryetari i PDK-së dhe ish lideri Hashim Thaçi janë në Hagë, mund të ishte si një lloj arsyeje që mund ta jepte VV”, ka tha thënë Mushkolaj.

Nga ana tjetër, ka disa ditë që është përmendur mbajtja e një tryeze të partive për çështjen e presidentit, por deri më tani nuk ka ndodhur një gjë e tillë. /Reporteri.net/

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit