4.9 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Fondacioni për Thaçin, ngrehen shqetësime se do të ketë fatin e fondit për Limajn e Haradinajn

Rekomandime

Ndonëse Qeveria e Kosovës ka vënë në dispozicion 20 milionë euro për të akuzuarit e Gjykatës Speciale, familja e ish-presidentit Hashim Thaçi është duke kërkuar para shtesë.

- Advertisement -

Vëllai i ish-presidentit, Idriz Thaçi, një ditë më parë, ka bërë të ditur se ka themeluar fondacionin “Përkrahje për mbrojtje juridike për Hashim Thaçin”.

Sipas njoftimit, ky Fondacion ka për qëllim mbështetjen juridike të presidentit Thaçi, derisa aty janë bërë të ditura edhe xhirollogaritë ku mund të alokohen mjetet.

“Disa nga aktivitetet themelore të Fondacionit janë si në vijim: Organizimi i ligjshëm dhe transparent për ngritjen e fondeve dhe sigurimi i mbështetjes financiare për të mundësuar mbrojtje të mirëfilltë juridike për Presidentin Thaçi, përgjatë zhvillimit të procesit gjyqësor ndaj tij; Ofrimi i asistencës teknike dhe profesionale për ekipin e mbrojtjes në kuadër të këtij procesi gjyqësor, me qëllim të argumentimit të pafajësisë së Presidentit Thaçi përballë pretendimeve të aktakuzës kundër tij”, thuhet në njoftim.

- Advertisement -

Por, kjo nuk është hera e vetme që nga qytetarët është duke u kërkuar ndihmë për të akuzuarit. Gjatë kohës kur Fatmir Limaj më 2003 e Ramush Haradinaj dy vjet më vonë, ishin të akuzuar nga Tribunali i Hagës, nga fondet private të hapura në atë kohë, ishin mbledhur rreth 1 milion e 712 mijë euro. Prej tyre, 1 milion e gjysmë për Haradinajn e 212 mijë për Limajn. Pasqyra e këtyre fondeve ishte jotransparente dhe asnjëherë nuk është bërë publike mënyra e shpenzimit të tyre.

Madje për fondin Haradinaj, tre persona u akuzuan për korrupsion.

- Advertisement -

Jahja Lluka nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Milazim Abazi, drejtor i Kasabank dhe Hashim Sejdiu, menaxher i degës Kasabank në Prishtinë, u akuzuan për deklarim të rremë të raporteve, pranimit të paligjshëm të kontributeve dhe mosdeklarim të transaksioneve bankare.

Abazi dhe Sejdiu u liruan në vitin 2010, por Lluka u shpall fajtor dhe u gjobit me 10.000 euro dhe 10 muaj burg me kusht, dënim që iu reduktua në nëntë muaj pas Apelit. Gjykata gjeti se nga gushti i vitit 2005 deri në nëntor të vitit 2006, Lluka kishte depozituar mbi 1.500.000 € në fondin Haradinaj përmes një serie transaksionesh të ndryshme në Kasabank.

Bazuar në përvojën e më hershme nga fondet e ndara për Limajn e Haradinajn, hulumtuesja e drejtësisë tranzicionale, Nora Ahmetaj, thotë se ekziston rreziku që edhe ky për Thaçin të mos jetë transparent ashtu siç është duke u proklamuar.

Sipas saj, një fond i tillë është i panevojshëm, duke pasur parasysh ndihmën që Qeveria e Kosovës e ofron për personat e akuzuar nga Specialja.

“Fondacioni ‘Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit’ është marrë nga vëllai i ish-presidentit, do të thotë nga një familjar dhe individ. Dihet se shteti i paguan avokatët e Thaçit dhe buxheti është caktuar nga Qeveria e kaluar dhe ende funksionon dhe ndan buxhet për mbrojtje juridike. Pas marrjes së vendimit për amendamentimin e Kushtetutës dhe themelimin e Gjykatës së Posaçme për krime lufte, Kuvendi i Kosovës, pa mbështetjen e opozitës, kishte vendosur që të miratojë me procedurë të shpejtuar edhe dy ligje, përkatësisht Ligjin për Gjykatën e Posaçme të hartuar nga Bashkimi Evropian dhe Ligjin për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencialë në Proceset Gjyqësore në Gjykatën Speciale. Pse duhet të themelohet edhe një fondacion privat për mbrojtjen e ish-Presidentit (si i akuzuar potencial) kur një gjë të tillë veç e garanton ligji. Edhe në të kaluarën është themeluar një fond i tillë për mbrojtje të Limajt dhe Haradinajt dhe kurrë askush nuk ka dhënë përgjegjësi se ku janë shpenzuar ato fonde, si dhe nuk ka pasur transparence. Dhe përvoja nga e kaluara lë të hapur shumë hipoteza se çfarë mund të bëhet me ato fonde”, është shprehur ajo.

Përveç Thaçit, Gjykata Speciale ka konfirmuar aktakuzën edhe ndaj ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqit, deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi e ndaj Salih Mustafës.

KOHA ka pyetur Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje, nëse fondacione të tilla do të hapen edhe për të përkrahur Veselin e Selimin. Por, derisa nga PDK-ja nuk janë përgjigjur, Lëvizja Vetëvendosje ka mohuar se do të bëjnë një gjë të tillë.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit