17 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Gashi: Nëse Kosova do të suImohej nga Serbia, Rama në rastin më të mirë do të rrinte neutral

Rekomandime

Në fundjavë, një sistem i sofistikuar kundërajror kinez zbarkoi në Serbi, ndërkaq u raportua se edhe Franca do t’ia shes Serbisë 12 avionë Iuftarakë.

Por armatosja e aleates së Rusisë në Ballkan, në kohën e agresionit të Kremlinit në Ukrainë s’po i bën përshtypje kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili tha Serbia po armatoset për mbrojtje.

- Advertisement -

Për publicistin Shkëlzen Gashi, një deklaratë e tillë e kryeministrit Rama tregon se Shqipëria dhe Serbia, janë në të njëjtat valë. Gashi madje druan se në rast të ndonjë sulmi të Serbisë mbi Kosovën, në rastin më të mirë Edi Rama do të qëndronte neutral.

“Kam dro se në rast të një sulmi të Sërbisë kundër Kosovës, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në rastin më të mirë, do të qëndronte neutral, gjë që prapëseprapë do të nënkuptonte rreshtim përkrah Sërbisë. Prandaj, Kroacia propozon që Kosova të futet në NATO, kurse Shqipëria nuk e propozon një gjë të tillë – edhe pse mund ta propozojë sa për sy e faqe, por nuk lobon dhe nuk angazhohet seriozisht e sinqerisht për një gjë të tillë, sepse kjo nuk është në interesin e Sërbisë”, tha ai në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express.

Publicisti Gashi, thotë poashtu se deklaratat e Edi Ramës dhe Presidenti të Maqedonisë Stevo Pendarovskit se armatosja e Serbisë nuk është rrezik për rajonin e shpërfaqë Ballkanin e Hapur iniciativë e treshes Serbi, Shqipëri dhe Maqedoni e Veriut.

- Advertisement -

“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mbron Sërbinë duke deklaruar se armatosja e saj nuk duhet ta shqetësojë fare Shqipërinë sepse është armatosje për mbrojtje. Prej kujt do të mbrohej Sërbia? Prej Kosovës? Malit të Zi? Bosnjë e Hercegovinës? Njësoj si Kryeministri Rama deklaroi edhe Drejtori i Zyrës për ‘Kosovë e Metohi’ në Qeverinë e Sërbisë, Petar Petković, se Sërbia nuk po e kërcënon askënd, vetëm po i avancon kapacitetet ushtarake mbrojtëse “për ta ruajtur stabilitetin në Ballkanin Perendimor”. Kush po e kërcënon stabilitetin në Ballkanin Perendimor? Kosova? Mali i Zi? Bosnjë e Hercegovina? Krejt njësoj edhe Presidenti i Maqedonisë, Stevo Pendarovski, thotë se “armatosja e Serbisë nuk paraqet rrezik për rajonin”. Jo rastësisht këto tri vende janë pjesë e Ballkanit të Hapur”, theksoi Gashi.

I pyetur nëse kryeministri Kurti do të duhej të reagonte ndaj deklaratës së Ramës për armatosjen e Serbisë, Gashi s’mendon se Kurti duhet të reagojë më ashpër sepse e qartë se Shqipëria dhe Serbia janë në të njëjtat valë.

- Advertisement -

“Kryeministri i Kosovës reagon me të drejtë pothuajse rregullisht për armatosjen e Sërbisë. Nuk më duket që Kryeministri i Kosovës duhet të reagojë më ashpër dhe më hapur kundër deklarimeve Kryeministrit të Shqipërisë lidhur me armatosjen e Sërbisë sepse tashmë është kristal e qartë se Shqipëria dhe Sërbia janë në të njëjtat valë. Maqedonia është pjesë e kësaj aleance vetëm që të mos duket haptas aleanca Shqipëri-Sërbi”, tha ai për Express.

Tutje, Gashi tha se Shqipëria duhet të shqetësohet për armatosjen e Serbisë sepse qëllimi i saj është dalja në Adriatik.

“Siç na mëson e kaluara, që nga vitet 1912-13, nga armatosja e Sërbisë nuk duhet të shqetësohet vetëm Kosova, por edhe Shqipëria, ngaqë qëllimi i Sërbisë ishte dhe është: dalja në Adriatik. Nga armatosja e Sërbisë mund të mos shqetësohet Edi Rama, por Shqipëria duhet të shqetësohet, madje fort. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk është se nuk i njeh vuajtjet që Sërbia ia ka shkaktuar Kosovës përgjatë tërë shekullit të kaluar, por nuk i ndjen ato”, tha Gashi.

Duke komentuar rreth vendimit të Beogradit për të blerë armë kineze, Gashi përmend raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

“Lidhur me armatosjen e Sërbisë nga Kina, Departamenti i Shtetit i ShBA-ve paralajmëron se të bërit biznes me kompani të vendosura në Kinë është vendim sovran, por Sërbia duhet të jetë e kujdesshme për rreziqet dhe çmimet afatshkurta dhe afatgjata”, tha Gashi.

Për armatosjen e fundit të Serbisë nga Kina, kanë folur kryeministri Kurti dhe Rama.

Kurti tha se është e rrezikshme armatosja e vazhdueshme e Serbisë.

“Serbia më duket se ndodhet në një lloj paniku kur po e vëren se nuk mund të qëndrojë në 3-4 ulëse njëkohësisht më, po përpiqet të forcohet për vete sepse ndoshta mund të ngelet e vetmuar. Armatosja e vazhdueshme e Serbisë s’është e parrezikshme për rajonin dhe Kosovën, por në anën tjetër, është shprehje e frikës shtyre se mund të ngelin të vetmuar atëherë kur po duket që s’mund të qëndrojnë në disa karrige siç janë mësuar”, tha kryeministri Kurti në një konferencë për gazetarë.

Ndërkaq kryeministri Edi Rama tha se nuk sheh rrezik nga mbrojtja raketore të cilën Serbia ditë më parë e ka marrë nga Kina.

“Nuk jam i shqetësuar për armatimin në fjalë. Nuk shoh se si një sistem mbrojtje nga raketat mund të jetë kërcënues”, tha kreu i qeverisë shqiptare.

Associated Press raportoi gjatë fundjavës se Serbia ka pranuar një dërgesë të sistemit kundërajror të sofistikuar kinez.

Transportuesit kinezë dërguan në Beograd pjesë të sistemit raketor kundërajror të Kinës, FK-3.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit