Gazeta e njohur zvicerane, SonntagsZeitung ka shkruar se si Zvicra ia pa sherrin Kosovës lidhur me rritjen e rasteve të reja me koronavirus. Në një artikull të gjatë, kjo gazetë shkruan se si shpërtheu vala e radhës e Covid-19 në Kosovë gjatë verës dhe se Zvicra nuk ishte e përgatitur për mërgimtarët që do të ktheheshin atje, pas një pushimi pa asnjë kufizim në Kosovë, transmeton Gazeta Express.
Turma ishte më e madhe se kurrë. Njëri avion i mbushur plotësisht pas tjetrit zbarkoi në Prishtinë në fillim të verës dhe i solli kosovarët, të shpërndarë në të gjithë botën, në atdheun e tyre. Nëse keni nevojë për taksi, ndonjëherë ju duhet të prisni mbi 40 minuta.
Vetëm në korrik, 446,340 pasagjerë mbërritën në Prishtinë, siç njoftoi me krenari aeroporti në Facebook. Një vit më parë, për shkak të kufizimeve të koronavirusit, ishin vetëm 88,607, ndërsa në vitin 2019, në vitin e fundit normal, 280,013. Përveç kësaj, disa qindra mijëra njerëz udhëtuan në Kosovë me autobus ose me vetura private. Kështu nis shkrimi i SonntagsZeitung.
Nuk kishte masa
Në Prishtinë dhe qytete të tjera kishte atmosferë si në Mallorca. Diskoteka, klube dhe restorante ishin plot deri në orët e para të mëngjesit. Nuk kishte masa paraprake, vështirë se dikush mbante ndonjë maskë. Qeveria kosovare gjithashtu i kishte hequr të gjitha kufizimet për festat private para pushimeve verore.
“Shumë kosovarë nga diaspora nuk i kanë parë të afërmit e tyre për dy vjet”, thotë mikrobiologia Fatime Imeri, drejtoreshë e Laborgemeinschaft 1, një laborator diagnostikues mjekësor në qytetin e Cyrihut. Edhe ajo, e cila informon për situatën e Koronës në platformën Albinfo.ch, udhëtoi në Kosovë për dy javë këtë verë dhe u befasua nga turmat.
Fatime Imeri, mikrobiologe dhe menaxhere e një laboratori diagnostiko-mjekësor në Cyrih, u bën thirrje bashkatdhetarëve të saj që të vaksinohen
Për shtetin e vogël ballkanik, vizitorët nga diaspora janë jetikë. Sipas OJQ-së Germin, ata shpenzuan rreth 500 milionë euro këtë verë. Dasmat që shumë kosovarë në mërgim dhe pasardhësit e tyre tradicionalisht i festojnë në atdheun e tyre janë veçanërisht domethënëse. Shpesh janë ftuar mbi 200 mysafirë.
Rastet e reja shpërthejnë
Por Kosova bëhet gjithashtu një terren ideal për mbarështim për variantin Delta. Sidomos pasi që askush në Kosovë nuk ishte vaksinuar deri në atë kohë. As vendasit, shumica e të cilëve nuk kishin pasur ende mundësi për ta bërë këtë, as diaspora që kishte udhëtuar atje, të cilët vetëm pak kishin shfrytëzuar ofertën e vaksinimit në Zvicër, shkruan SonntagsZeitung, transmeton Express.
Nëse i krahasoni rastet e përditshme në Zvicër dhe Kosovë në lidhje me numrin e banorëve, bëhet e qartë se si është përhapur virusi në të dyja vendet.
Deri më 20 korrik, në Kosovë kishte shumë pak raste të reja me Covid-19. Vetëm pas mbërritjes së shumë mysafirëve nga mërgata – të cilët gjithashtu ishin në gjendje të udhëtonin me aeroplan pa asnjë provë testimi – numrat shpërthyen. Deri më sot, vendi nuk ka qenë në gjendje ta ngadalësojë rritjen eksponenciale të rasteve. Në Zvicër, numri i rasteve u rrit vetëm në fund të festave.
20 orë pa maskë në autobusin plot me njerëz
Virusi kishte arritur në Ballkan përmes udhëtarëve, ku u përhap dhe më pas u kthye me një intensitet të madh. Në spitalet zvicerane, udhëtarët nga Ballkani aktualisht përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të pacientëve me koronavirus, siç shpjegoi të martën grupi punues federal i koronavirusit.
Fatime Imeri thotë se masa të thjeshta siç janë testet e shpejta para dasmave mund ta kishin parandaluar përhapjen. “Por pasi veç ka ndodhur, ju jeni gjithmonë më të zgjuar”. Nga pikëpamja zvicerane, është veçanërisht befasuese që autoritetet lokale nuk morën asnjë masë paraprake, megjithëse në shumë vende ishin dhënë paralajmërime për problemin e të kthyerve.
Qindra autobusë të mbushur me njerëz arritën në Zvicër nga fundi i pushimeve, dhe vështirë se ndonjë pasagjer mbante maskë gjatë udhëtimit 20-orësh. Një çertifikatë testimi në përgjithësi nuk kërkohej nga udhëtarët. Me teste të shpejta në stacionet e autobusëve, pozitivët mund të ishin identifikuar dhe do të ishin dërguar menjëherë në karantinë. Megjithatë, ata vazhduan ta përhapnin virusin në Zvicër, veçanërisht nëpër shkolla, të cilat tani po luftojnë me një numër të madh të rasteve.
“Teste false PCR në çdo cep”
Shumë njerëz të infektuar gjithashtu ka të ngjarë të kenë hyrë në Zvicër pa u vënë re me aeroplan. “Ju mund të blini certifikata të rreme të testit PCR në çdo cep rreth aeroportit”, thotë një udhëtar kosovar.
Në Kosovë, numri i rasteve është rritur në rreth 2000 në ditë javët e fundit, ndërsa shtrimet në spital dhe vdekjet janë rritur për shkak të nivelit të ulët të vaksinimit. Sistemi i kujdesit shëndetësor po arrin kufijtë e tij dhe situata është dramatike.